AKTIVITETE

Krijimi i SPAK- Me 15 prokurorë specialë apo me më pak?

Posted

Korriku ishte muaji i premtuar për ngritjen e strukturave të rëndësishme të Reformës në Drejtësi e ndërsa kjo e fundit është kryefjala në gojët e të gjithëve; atyre që e promovojnë, anatemojnë apo edhe ndërkombëtarëve që e kanë përparësi të axhendave, rruga drejt krijimit të Gjykatës Kushtetuese, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion apo Byrosë Kombëtare të Hetimit, duket se do të kërkojë kohë edhe përtej këtij muaji.
Megjithëse kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi do të deklaronte se brenda këtij muaji do të jetë gati lista për në SPAK, nga të 22 kandidatët vetëm 10 prej tyre e kanë kaluar procesin e vetingut, ndërsa 12 të tjerët presin ende kontrollin.
Intervistimi i kandidatëve  ka nisur prej dy ditësh, sipas një rendi emëror dhe siç ka bërë me dije Ibrahimi deri në fund të javës.
Por ndërsa kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe të figurës, thënë ndryshe vetingu –  që aktualisht kryhet nga KPK dhe KPA e më vonë nga një Komision i Posaçëm -, është kushti i parë i sigurisë që duhet të plotësojë kandidati para caktimit apo me emërimit  në detyrë, kreu i KLP-së do të shprehej se për renditjen sipas sistemit të pikëzimit, nuk do të priten përfundimet e vetingut për 12 kandidatët e tjerë.
Pas intervistimit, sipas Ibrahimit, do të nisë ushtrimi aritmetikor i vendosjes dhe mbledhjes së pikëve, që do të sjellë në fund edhe listën e fituesve sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Sipas Ibrahimit, KLP do të bëjë renditjen e të 22 kandidatëve, ndërsa më pas ata që do të jenë të gatshëm për të shkuar në SPAK do të kalojnë vetingun.

https://liberale.al/spak-me-pak/