AKTIVITETE

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Genti Ibrahimi priti dje në takim përfaqesuesit e Byrosë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës (International Narcotics and Law Enforcement)

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Genti Ibrahimi priti dje në takim përfaqesuesit e Byrosë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës (International Narcotics and Law Enforcement), një projekt i Departamentit Amerikan të Shtetit në mbështetje të strukturave të reja të drejtësisë në Shqipëri.

Zoti Ibrahimi prezantoi para të pranishmëve punën e deritanishme të Këshillit dhe angazhimin intensiv etë gjithë anëtareve në përgatitjen e dy rregulloreve të cilat do të shërbejnë si bazë vlerësimi për dy procese të rëndësishme; kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe kriteret dhe procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Në fjalën e tij, kryetari i KLP evidentoi faktin se Këshilli duhet të përballojë një punë voluminoze përsa i përket vlerësimit me rigorozitet dhe profesionalizëm të dosjeve të prokurorëve eksistues aktualisht në sistem në kushte kur KLP funksionon ende pa staf administrativ mbështetës, rekrutimi i të cilit pritet të zhvillohet në muajt në vijim. Ibrahimi theksoi se mungesa e një godine për Këshillin e Lartë të Prokurorisë sjell mjaft probleme në funksionimin e institucionit dhe zgjidhja duhet imediate në kushtet kur KLP ndodhet para fillimit të procesit të rekrutimit të administratës ndihmëse të saj. Kryetari falenderoi për mbështetjen Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë e cila nëpërmjet misioneve OPDAT (Office of Overseas Prosecutorial Development, Assistance and Training) dhe ICITAP (International Criminal Investigative Training Assistance Program) japin një kontribut të vyer në konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Në fjalën e saj, drejtoresha e projektit Zj Julie Craven vlerësoi punën e deritanishme të Këshillit te Lartë të Prokurorisë dhe siguroi se projekti drejtuar prej saj do të ofrojë mbështetje financiare, asistencë juridike dhe programe trajnimi institucioneve të reja të drejtësisë deri në fazën finale të konstituimit dhe funksionimit me kapacitete të plota.