AKTIVITETE

Njoftim mbi vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në Seancën Plenare të datës 25 Mars 2019

Posted

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot në mbledhje plenare për shqyrtimin e kërkesës së Z. Bledar Valikaj për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit nr.309 dt.06.02.2019, i cili urdhëron Këshillin e Lartë të Prokurorisë të emërojë si prokuror shtetasin Bledar Valikaj.

Komisioni i Zhvillimit të Karrierës i Këshillit të Lartë të Prokurorisë paraqiti nëpërmjet relatorit Sandër Beci relacionin dhe projekt-vendimin “Për emërimin si prokuror të kërkuesit Z. Bledar Valikaj” në zbatim të vendimit të sipërpërmendur të gjykatës dhe caktimin e tij në detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatësë së Shkallës së Parë Tiranë.
Në përfundim të diskutimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me 9 vota pro zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës. Me 7 vota kundër u rrëzua propozimi i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës për caktimin në detyrë të Z. Valikaj në Prokurorinë e Tiranës.


Anëtarët të cilët votuan pro zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës (pa kërkuar shqyrtimin e mëtejshëm të çështjes në Gjykatën e Lartë) e argumentuan qëndrimin e tyre me faktin se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka arsye të ngrejë pretendime në lidhje me thelbin e urdhërimit të Gjykatës sepse Këshilli nuk ka qenë palë në këtë konflikt. Ndryshimi i kuadrit ligjor gjatë kohës së shqyrtimit gjyqësor të ankimit të Z. Valikaj bëri që vendimi i Gjykatës që sipas kuadrit të vjetër ligjor i drejtohej Presidentit të Republikës, sipas kuadrit ligjor ekzistues të zbatohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në këto kushte Këshilli nuk ka arsye të sfidojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit.


Anëtarët të cilën votuan kundër zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës e argumentuan qëndrimin e tyre me nevojën për kërkuar rishikimin e vendimit të gjykatës së apelit përmes rekursit në Gjykatrën e Lartë duke krijuar kështu një siguri më të madhe për ligjshmërinë e atij vendimi.