AKTIVITETE

Me ftesë së Prokurorës së Përgjithshme, zj. Arta Marku, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z.Gent Ibrahimi merr pjesë në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Apelit

Posted

Gent Ibrahimi: “Prej tre muajsh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë është pjesë e sisitemit të prokurorisë. Unë do ju lutesha ta shihni KLP si pjesë të zgjeruar të familjes së çdo prokurori. Kemi detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta, të arrijmë rezultate në luftën kundër krimit. Ndëshkimi duhet të bjerë aty ku duhet të bjerë. Eshtë e nevojshme të krijojmë ura komunikimi”.

Krytari i Këshilli të Lartë të Prokurorisë, Z.Gent Ibrahimi i shoqeruar nga anëtari i KLP-së, prokurori Gentian Osmani morën pjesë në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Apelit, ku pjesë e analizës është edhe puna e prokurorive të Matit, Dibrës, Kurbinit dhe Krujës. Analiza vjetore u drejtua nga drejtuesja e Prokurorisë së kryeqytetit, Elisabeta Imeraj. E pranishme në takim drejtuesja e Prokurorisë së Përgjithshme Arta Marku  ka kritikuar në fjalën e saj prokurorët e rrethit të Tiranës për vonesën në hetimin e dosjeve.

Në analizën vjetore të punës së këtij institucioni, kryeprokuroria u shpreh se Tirana ka ngarkesë, por kjo nuk justifikon zvarritjen e çështjeve pa justifikim duke i lënë prej vitesh në sirtar. Arta Marku kërkoi nga prokurorët që të hetojnë pastrim e parave, pasi sipas saj ka shumë pak çështje që janë regjistruar duke mos iu përgjigjur realitetit.“Ngarkesa ka qenë e madhe, keni punuar mjaftueshëm. Kjo ngarkesë e madhe ka ulur ndjeshëm cilësinë dhe efektivitetin në punë. Ju nuk jeni përqendruar aq sa duhet në hetimin e çështjeve të rëndësishme dhe mund të thuhet se në pak raste ndonjë prej tyre ka përfunduar me ngritje akuzash apo me dërgim për gjykim. Janë konstatuar zvarritje të pajustifikuara në hetimin e çështjeve, ka çështje të rëndësishme që rrinë prej vitesh në sirtarët e prokurorisë, me një mungesë të theksuar përgjegjësie.

Për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ka shumë pak çështje që janë regjistruar dhe aq më pak që të jenë dërguar për gjykim.Kjo situatë nuk i përgjigjet aspak realitetit dhe është një nga pikat e dobëta për të cilat Shqipëria ka marrë kritika të shumta nga komiteti Manival dhe mund të penalizohet. Pra hetimet janë të pakta dhe jo të suksesshme për këtë vepër penale.

Për këto dhe për çdo problematike tjetër të konstatuar përgjegjësia është e secilit prej jush, është individuale dhe secili do të mbajë përgjegjësinë që i takojnë. Pasojat rëndojnë mbi qytetarin dhe më gjerë.Kërkoj të punoni duke i kushtuar rëndësinë e duhur çdo çështje dhe kryerjen e veprimeve hetimore në kohën më të shpejtë të mundshme në çështje ku vëmendja e publikut është e shtuar.Nëse veprohet shpejt nuk i lihet hapësirë spekulimeve.Kujdes me deklaratat publike për çështje të caktuara pasi rrezikoni të anashkaloni funksionin tuaj primar, atë të ndjekjes penale.Prokuroria nuk mund dhe nuk duhet ti përgjigjet me deklarata çdo ngacmimi që vjen nga politika. Përgjigja e duhur është nëpërmjet ushtrimit të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, zgjidhjes së çështjes në kohë të arsyeshme dhe me profesionalizëm.Ushtroni funksionet tuaj në pavarësi të plotë larg çdo ndikimi, por duke krijuar praktikat tuaja që janë të njëjta në raste të ngjashme”- tha Arta Marku.Nga ana e tij, kryetari i Këshilli të Lartë të Prokurorisë, Z.Gent Ibrahimi kërkoi bashkëpunim me prokurorët e Tiranës.

“Ju falenderoj për ftesën. Eshtë një moment i rëndësishëm për mua dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë që jemi sot të pranishëm bashkë me Z. Gentian Osmani në analizën tuaj të radhës. Prej tre muajsh tashmë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një pjesëtar i rëndësishëm në sistemin e prokurorisë. Ju e dini tashmë të gjithë rolin tonë. Kanë qënë tre muaj shumë të vrullshme, gjatë të cilave ne jemi marrë me kryerjen e detyrave të rëndësishmë, procedura të nevojshme për krijmin e prokurorisë së Posaçme dhe procedura për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Në këtë kuadër nuk kemi patur kohë të mjaftueshme për të marrë dhe për të dhënë aq sa  duhet me prokurorët dhe me sistemin e prokurorisë në përgjithësi. Prandaj e çmoj faktin që jam prezent në këtë analizë. Analizat janë momente të rëndësishme në jetën e institucioneve, janë momente reflektimi personal dhe institucional. Rezultatet e tyre janë pikënisje për vetkorrigjime, për përmirësime dhe për reforma. Për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, rezultatet e analizave tuaja ndaj të cilave ne jemi shumë të vëmëndëshëm, janë lëndë të parë për politikat tona të kuadrit. Detyra jonë është të sigurojmë se sistemi i prokurorisë është i furnizuar me masën dhe cilësinë e duhur të kuadrit prokurorial. Unë do ju lutesha ta shikoni Këshillin e Lartë të Prokurorisë si pjesë të zgjeruar të familjes së çdo prokurori. Kemi objektiva dhe përgjegjësi të përbashkëta, detyra jonë është të krijojmë një situatë pozitive dhe produktive ku sistemi të prokurorisë të japë rezultate maksimale në luftën kundër krimit dhe si pasojë, në shëndoshjen e moralit shoqeror. Prokuroria është në ballë të kësaj lufte. Detyra jonë është të krijojmë një sistem ku prevalon meritokracia dhe përgjeshmëria, ku prokurorët më të mirë ngjiten shkallët më të larta të sistemit, ku ndëshkimi duhet të bjerë aty dhe atëherë ku duhet të bjerë. Pikërisht mbi këto standarte ne llogarisim punën tuaj dhe punën tonë. Të gjithë e dini se sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë vepron mbi bazën e një kuadri ligjor të ri, te sofistikuar, i cili jep mundësi për të garantuar meritokraci dhe përgjeshmëri në radhën e prokurorisë, për të garantuar produkt të punës së saj. Ky kontakst i ri ligjor i kombinuar me disa elementë të rinj të statusit të prokurorit, paga dhe katarsisi e vetingut, do të bëjë të mundur që sistemi në tërësi, të japë rezultate të tij me ato pasojat të mirëpritura nga morali shoqeror dhe në jetën e gjithë shqiptarëve. Të krijojmë midis nesh një urë komunikimi për të mundësuar punën e të dyja palëve”.