VENDE VAKANTE

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpall fillimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, përmes procedurës së hapur të thirrjes publike për aplikim, bazuar në rregulloren “Mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm” të miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Posted

NJ O F T I M
Datë 29 mars 2019

Në bazë tё nenit 148/a paragrafi 3 të Kushtetutës, Seksionit I dhe II të Kreut IV të ligjit 97/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, (këtej e tutje Ligji për Prokurorinë)

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpall fillimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, përmes procedurës së hapur të thirrjs publike për aplikim, bazuar në rregulloren “Mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm” të miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u bën thirrje të kandidojnë të gjithë të interesuarve që plotësojnë kushtet e mëposhtme :

  1. Kandidatët duhet;
  1. Të kenë 15 vjet përvojë pune si juristë të spikatur;
  2. Të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të kenë gradë shkencore në drejtësi;
  3. Të mos kenë mbushur  moshën e daljes në pension sipas nenit 64, pika 3 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”
  4. Të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së   interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike;
  5. Të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike;
  6. Të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
  7. Të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
  8. Të mos kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës;
  9. Të mos kenë masë disiplinore në fuqi.

Kandidatët që plotësojnë kushtet e sipërpërmendura mund të paraqesin kërkesën  jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data e shpalljes së thirrjes në faqen e internetit të Këshillit.

Krahas kërkesës për kandidim, kandidatët dorëzojnë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. Një jetëshkrim i përditësuar;
  2. Një platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times New Roman, madhësia 12, me një njësi hapësire mes rreshtave;
  3. Një deklaratë nën përgjegjësi ligjore se nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor apo i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit para vitit 1990;
  4.  Një deklaratë nën përgjegjësi ligjore se nuk është bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve sekrete;
  5. Një vetëdeklarim sipas Ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;
  6.  Formularin “Deklaratë e pasurisë dhe interesave privatë e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë” të hartuar nga ILDKPI në zbatim të nenit 3/1 të ligjit nr. 9049/2003, në zarf të mbyllur, për kandidatët që nuk janë subjekte të rivlerësimit;
  7. Dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror;
  8. Vërtetimin/ dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;
  9. Rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e drejtësisë penale;
  10. Rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta, gjatë formimit fillestar dhe atij të vazhdueshëm në Shkollën e Magjistraturës, dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;
  11.  Rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e së drejtës penale; 
    1. Kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja sipas pikës 1, gërma c të nenit 9 të kësaj rregulloreje nëse ka;
    1. Kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë nëse ka;

     12.Autorizimet për Këshillin sipas Shtojcave B dhe C të kësaj rregulloreje.

    13.Kopje të Vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit apo Kolegjit te          Apelimit nëse kandidati për Prokuror i Përgjithsëm ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit;

Aplikimet (shprehja e interesit dhe dokumentat e kërkuara) duhet të dorëzohen në formë fizike në adresën: Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Rruga “Qemal Stafa”, nr. 1, Godina e Prokurorisë së Përgjithshme, Tiranë.

Shprehja e interesit mund tëdërgohet dhe në formë elektronike në adresën: vendevakante@klp.al.

Aplikimet e dorëzuara pas përfundimit të afatit të përcaktuar në këtë thirrje nuk do të merren në konsideratë.

Informacione mё tё detajuara lidhur me kriteret, procedurёn dhe metodologjinё e vlerёsimit tё kandidatёve i gjeni nё rregulloren e publikuar nё faqen zyrtare tё KLP-sё  si dhe nё Fletoren zyrtare nr.44 dt.29.03.2019.