AKTIVITETE

Njoftim mbi vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në Seancën Plenare të datës 1 Prill 2019

Posted

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi sot në mbledhje plenare caktimin e përkohëshëm të një prokurori në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje dhe të një prokurori në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Drejtuesit e këtyre institucioneve janë shkarkuar më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në nenin 59 “Caktimi i përkohshëm”, të Ligjit nr.96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, parashikohet se: “1.Pozicioni i magjistratit mund të plotësohet përkohësisht, kur magjistrati me pozicion të përhershëm nuk është në gjendje të ushtrojë funksionin për një periudhë jo më shumë se tre muaj, për shkak të: a) caktimit në pozicione të tjera; b) arsyeve të tjera të parashikuara nga ligji. . Në nenin 59 të ligjit të sipërcituar nuk parashikohen kushtet dhe kriteret, që një prokuror duhet të plotësojë për t’u caktuar përkohësisht në një pozicion magjistrati. Bazuar në intepretimin sistematik, të dispozitave ligjore të pjesës së tretë të Ligjit 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“ të titulluar “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”, rezulton se prokurori që caktohet deri në tre muaj në një pozicion të ngelur bosh përkohësisht, duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret që kërkohen nga ligji për ushtrimin e detyrës për atë pozicion.

Komisioni për Zhvillimin e Karrierës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, bazuar nga të dhënat e marra në Sektorin e Burimeve Njerëzore vlerësoi se përmbushin kriteret ligjore të kërkuara nga ligji për të ushtruar funksionin si Drejtues në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, prokuroret: Rovena Zoto, Merita Selimi dhe Arben Dyla. Gjatë votimit në seancën plenare z. Arben Dyla mori 7 vota pro, Rovena Zoto 2 vota pro, Merita Selimi 1 vot pro. Pas votimit, është caktuar Arben Dyla në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Shkallës së Parë Lushnjepër një periudhë tre mujore.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mori në shqyrtim edhe tre propozime të anëtarëve të Këshillit për Drejtues të Përkohëshëm të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier: Violeta Shkurta , Genc Mane dhe Clirim Sina. Gjatë votimit në seancën plenare, Violeta Shkurta mori 7 vota pro, Genc Mane 1 vot pro dhe Clirim Sina 1 vot pro. Pas votimit, është caktuar Violeta Shkurta në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Shkallës së Parë Fier për një periudhë tre mujore.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me shumicë votash deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për prokurorin Ardian Nezha, aktualisht prokuror ne Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë, më datë 30 Prill 2019, për arsye të kërkesës për dorëheqje.

Pika e fundit e rendit të ditës parashikonte hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarit jo prokuror për Komisionin e Posaçëm për vlerësimin e kandidatëve për SPAK. Ndër tre anetarët të cilët morën pjesë në short, Gent Ibrahimi, Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj, shorti përcaktoi Tartar Bazaj si anëtari i pestë i këtij Komisionin.

Me miratimin e anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë, Këshilli është shprehur dakort me raportin e paraqitur nga Shkolla e Magjistraturës, për rezultatet e vlerësimit paraprak të kandidatëve aplikues për pranimin në Formimin Fillestar për vitin akademik 2019-2020.