AKTIVITETE

Njoftim mbi vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në Seancën Plenare te datës 15 Prill 2019

Posted

Në mbledhjen e zhvilluar sot,  Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi në mënyrë unanime raportin për analizën e aftësive profesionale të prokurorëve Manjola Kajani, Ened Nakuci, Eugen Beci, Njazi Seferi, Doloreza Musabelliu, Blerim Tominaj, Elisabeta Imeraj, Olsian Cela, Perparim Kulluri, Vladimir Mara pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni i Vlërësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, bazuar në nenet 149/a, 179/b nenin “E” (aneksi) të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenin 189, pika 1, gërma “a” të Ligjit nr. 115/2016, “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”; nenet 40 dhe 42 të Ligjit Nr.84/2016 “ Për vlërësimin kalimtar të gjyqëtarëve dhe prokurorëve nëve në Republikën e Shqipërisë”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi mbledhjen plenare me një diskutim jashtë rendit të ditës, i cili lidhet me ligjishmërinë e prezencës në këtë mbledhje të anëtarin të ri prokuror të Këshillit, z. Vatë Staka, i cili është shpallur fitues nga Komisionin e Votimit  në Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve e zhvilluar në datën 11 Prill 2019.  Anëtarët e Këshillit nënvizuan se sipas nenit 116 ligjit 115/2016 “ Për organet e qeverisjes sësistemit të drejtësisë”, anëtari i ri merr pjesë në mbledhjet e Këshillit pas përfundimit të afatit të ankimimit prej 5 ditësh. “Ankimimet për shkelje të procedurës që lidhen me thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme, verifikimin e pjesëmarrjes, të votimit dhe numërimit të votave, të konstatimit dhe shpalljes së votave të pavleshme dhe të shpalljes së rezultatit gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, behen në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga dita e shpalljes së vendimit në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme”. Nisur nga ky argument, me 6 vota pro, Këshilli vendosi që z.Vatë Staka nuk mund të marrë pjesë në këtë mbledhje.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi sot në mbledhje plenare caktimin e përkohëshëm të një prokurori në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë dhe të një prokurori në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Drejtuesit e këtyre institucioneve janë shkarkuar më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në nenin 59 “Caktimi i përkohshëm”, të Ligjit nr.96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, parashikohet se: “1.Pozicioni i magjistratit mund të plotësohet përkohësisht, kur magjistrati me pozicion të përhershëm nuk është në gjendje të ushtrojë funksionin për një periudhë jo më shumë se tre muaj, për shkak të: a) caktimit në pozicione të tjera; b) arsyeve të tjera të parashikuara nga ligji. Në nenin 59 të ligjit të sipërcituar nuk parashikohen kushtet dhe kriteret, që një prokuror duhet të plotësojë për t’u caktuar përkohësisht në një pozicion magjistrati. Bazuar në intepretimin sistematik, të dispozitave ligjore të pjesës së tretë të Ligjit 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“ të titulluar “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”, rezulton se prokurori që caktohet deri në tre muaj në një pozicion të ngelur bosh përkohësisht, duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret që kërkohen nga ligji për ushtrimin e detyrës për atë pozicion.

Komisioni për Zhvillimin e Karrierës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, bazuar nga të dhënat e marra në Sektorin e Burimeve Njerëzore vlerësoi se z. Sali Hasa përmbush kriteret ligjore të kërkuara nga ligji për të ushtruar funksionin si Drejtues në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë dhe propozoi z. Sali Hasa për caktim të përkohshëm 3-mujor si drejtues në Sarandë. Ky propozim u miratua me 7 vota pro.

Komisioni për Zhvillim të Karrierës në KLP propozoi z. Ludovik Doda për caktim të përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë e Apelit në Durrës. Ky propozim u miratua me 10 vota pro.

KLP ka miratuar me 5 vota pro caktimin në detyrë të prokurorit Bledar Valikaj në Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë.  Me shumicë votash, Këshilli miratoi caktimin e përkohëshëm të z. Isa Jata në Prokurorinë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Gjatë mbledhjes është miratuar me 8 vota pro, caktimin e përkohëshëm të zj. Afërdita Ndoi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës dhe rikthimin në sistemin e prokurorisë dhe caktimin në detyrë pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë të prokurorit Leonard Filopati për shkak të mbarimit të afatit të komandimit në Ministrinë e Drejtësisë. Me 8 vota pro është miratuar projekt-vendimin për mbarimin e statusit të prokurorit për z. Shahin Pasha për efekt të mbushjes së moshës për pension.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me shumicë votash rregulloren “Për kriteret dhe procedurën e caktimit” dhe shyrtoi projet-aktet për angazhimin e prokurores Blerta Hamza dhe prokurores Mirela Kapo në veprimtari jashtë funksionit (mësimdhënie). Me 9 vota pro, është miratuar kërkesa e zj. Blerta Hamza për 2orë/javë mësimdhënie në Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër dhe me 10 vota pro miratohet  kërkesa e zj. Mirela Kapo për 2orë/javë mësimdhënie në Universitetit New York Tiranë.