Reforma, kreu i KLP, Gent Ibrahimi: Magjistratët po kalojnë në kokën e gjilpërës

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi ishte i pranishëm sot gjatë takimit prezantues të dokumentit metodologjik “Monitorimi i Integritetit Gjyqësor”, aktivitet i zhvillua në kuadër të projektit: ‘Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian në partneritet me Save the Children dhe Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.

Gent Ibrahimi, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i pranishëm sot gjatë takimit prezantues të dokumentit metodologjik “Monitorimi i Integritetit Gjyqësor”. Ky aktivitet është pjesë e nënprojektit “Monitorimi i Integritetit Gjyqesor”, që u zbatua nga Instituti për Studimet Publike dhe Ligjore në harkun kohor Dhjetor 2017 – Maj 2019. Në takim ishin të pranishëm Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca, Ministria e Drejtësisë, Znj. Etilda Gjonaj dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami.

Dokumenti metodologjik « Monitorimi i Integritetit Gjyqësor », prezanton fushat kryesore të performancës së aktiviteteve gjyqësore, me faktorët, që duhen konsideruar për monitorimin e integritetit gjyqësor. Ky dokument synon të kontribuojë në forcimin dhe zhvillimin e integritetit gjyqësor sipas një metodologjie bashkëkohore, të elaboruar dhe pranuar gjerësisht nga standardet ndërkombëtare  të promovimit të integritetit gjyqësor.  

Me qëllimin për të ndihmuar aktorët e shoqërisë civile si watchdog të integritetit gjyqësor, Metodologjia e Integritetit Gjyqësor synon t’u shërbejë atyre në aktivitete monitoruese të ardhshme, por edhe gjykatave dhe gjyqtarëve në përpjekjet për rritjen e integritetit gjyqësor, gjatë punës së tyre, e për rrjedhojë dhe në rritjen e besimit të publikut tek drejtësia. 

Në fjalën e tij, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë u ndal te reforma në drejtësi. Ibrahimi theksoi rëndësinë e përfshirjes së shoqerisë civile si komponent i patjetërsueshëm në monitorimin e zbatimit me sukses të reformës në drejtësinë dhe fakti se magjistratët po kontrollohen intensivisht.

 “Ky është një instrument për të monitoruar reformën e drejtësise duke garantuar integritetin e sistemit të drejtësisë. Magjistratet e vendit kalojnë në kokën e gjilpërës si asnjë sistem tjetër. Shoqëria civile duhet të bëhet faktor, të monitoroj zbatimin me reformave kyçe për vendin. Detyra e shoqërise civile është të angazhoje sa më shumë projekte për të monitoruar aspekte të veçanta të zbatimit të reformës në drejtësi. Ky dokument është një platformë e konsultuar me shumë aktorë, ekspertë të fushës me ekspertizë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ofruar instrumentin e nevojshëm për monitorimin dhe vlerësimin e ecurisë së reformës në drejtësi”- tha Ibrahimi. Në takim u theksua qasja gjithëpërfshirëse e kësaj metodologjie për të identifikuar, analizuar, vlerësuar, trajtuar, dhe komunikuar risqet kryesore të integritetit, që shoqërojnë pushtetin gjyqësor, e cila do të shërbejë si burim referimi për të gjithë aktorët e interesuar, në kushtet e aktiviteteve të ndryshme monitoruese për të ardhmen mbi pavarësinë, eficencën dhe efikasitetin e pushtetit gjyqësor.  Gjithashtu,  nga të pranishmit dhe diskutuesit, u dakortësua  që  zbatimi i kësaj metodologjie në nivel pushteti gjyqësor, gjykatash dhe gjyqtarësh do të mundësojë një sistem efektiv të menaxhimit të integritetit në  gjyqësor, që i përshtatet kërkesave  dhe pritshmërive të publikut ndaj pushtetit gjyqësor.

https://balkanweb.com/reforma-kreu-i-klp-magjistratet-po-kalojne-koken-e-gjilperes/[1]