08 Janar 2019
Viti 2019 do t’i japë vendit një Prokuror të Përgjithshëm. Të paktën kështu duket nga afatet që i duhet të përmbushë Këshilli i Lartë i Prokurorisë për përzgjedhjen e tij. Në studion e ABC News përballë gazetares Mirela Milori, kryetari i këtij Këshilli, Gent Ibrahimi shpjegoi hapat që do të ndiqen.
“Për këtë ligji jep 3 muaj kohë. Kështu që duke filluar nga data e krijimit të KLP-së, e cila është në 19 Nëntor pavarësisht vështirësive dhe kohës që kalon në ato ditët e para që ti je akoma i papërgatitur si organizatë e re, mendoj që do i qëndrojmë këtij afati. Në 19 Mars ne do jemi në gjendje të kemi metodologjinë përmes së cilës do vlerësojmë kandidaturat”, u shpreh Ibrahimi.
Vetëm pasi do të kenë në duar këtë metodologji do të nxjerrin thirrjen për Prokuror të Përgjithshëm. Edhe këtu kërkohet kohë për procedurat në vijim.
“Pastaj besoj kandidatët do kenë rreth një muaj kohë në dispozicion për të paraqitur dokumentacionin. Edhe ne do kemi kohën tonë për të vlerësuar kandidatin në atë rast mos qofsha i gabuar do jetë rreth 30 ditë”, u shreh kreu i KLP-së.
Llogaritjet e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë tregojnë se edhe 6 muaj do të kalojnë nën drejtimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
“18 Mars thirrja, 19 Prill dorëzimi i aplikimeve, 19 Qershor ndoshta mbyllja e procesit dhe propozimi nga ana jonë e tre kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, theksoi Ibrahimi.
Në fund i mbetet parlamentit të votojë. Por duket se koha nuk do të vazhdojë të rrjedhë më, kryetari i KLP-së është i sigurtë se parlamenti do ta votojë para se të nisë pushimet.
“Padyshim që garantoj që do ta kapim këtë afat. Nuk mund të lemë Kuvendin të nisë pushimet e verës pa çuar propozimet tona”, tha kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.
Nëse Kuvendi nuk e zgjedh dot me tre të pestat brenda 30 ditëve atëherë kandidatura që është renditur e para nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë quhet i emëruar. Prokurori i ri i përhershëm do të kenë mandat 7-vjeçar dhe emrat që do të garojnë duhet së paku të kenë kaluar Vettingun, të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të kenë doktoraturë si dhe të kenë 15 vite punë në sistemin e drejtësisë.