KLP hap garën për vende vakante në SPAK. Intervista e kryetarit Gent Ibrahimi për “Ora News”

08 Janar 2019

Gent Ibrahimi: Në SPAK më të mirët, Shkolla e Magjistraturës porta ekskluzive

Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi dje garën për vendet vakante për Prokurorinë Speciale Antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK. KLP ka vendosur që numri total i anëtarëve të SPAK të jetë 15, kjo edhe për shkak të fluksit të punës që do të kenë. Prokuroria Speciale, së bashku me Gjykatën Speciale, do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar.

Prokurorët e SPAK-ut do të jenë më të mirë. Kështu u shpreh Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi në një intervistë ekskluzive për Ora News me gazetaren Beti Njuma.

Gent Ibrahimi: Ligji i krijon garanci që këta njerëz ti futen detyrës së re me një mentalitet të ri, me garanci të reja, me një status të ri sa i takon pagës, sigurisë për karrierën. Ne do bëjmë pjesën tonë të detyrës që aty të shkojnë më të mirët. Këta njerëz kanë qenë prokurorë, do vazhdojnë të jenë prokurorë, asgjë nuk do ndryshojë në mënyrë dramatike në jetën e tyre, por ata do veprojnë në një kontekst të ri. Në kontekstin e garancive të reja, në kontekstin e një mandati të ri, pastërtisë së figurës dhe në kontekstin e një pritshmërie të re, edhe në kontekstin e vëmendjes së shoqërisë dhe medias, për të diktuar një nivel të ri performancë për prokurorët e SPAK.

Gent Ibrahimi tha se Shkollë e Magjistraturës është porta e vetme për të hyrë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai sqaroi se ata persona që duan të jenë pjesë e drejtësisë shqiptare, pavarësisht se mund të kenë mbaruar jashtë shkollën, duhet t’i nënshtrohen 3 vjet Shkollës së Magjistraturës.

Beti Njuma: Është parë mbushja e kësaj zbrastie me kuadro që vijnë nga jashtë, që kanë përfunduar shkollën jashtë?

Gent Ibrahimi:Për këtë ka një JO të madhe. Shkolla e Magjistraturës është porta ekskluzive për tek sistemi shqiptar i drejtësisë. Çdo kush mund të ketë mbaruar në Oxfort, Harvard, por duhet të kalojë edhe Shkollën e Magjistraturës. Në këtë kuptim kemi një problem sa i takon ritmit të plotësimit të vakancave që krijohen. Pa dyshim Shkolla e Magjistraturës do të përshpejtojë rimet, do të nxjerrë më shumë kuadër të rinj, por një kandidat për prokuror, për gjyqtar do 3 vite që të bëhet i tillë. Kështu që është një problem afatgjatë që do të duhet të ballafaqohemi në vijm.

Presim kandidatë që kanë kaluar vetingun, por dhe ata që pritet të kalojnë vetingun

Jo sa i takon KLP, pjesa jonë e verifikimeve kryhet shumë shpejt. Pjesa e verifikimeve që ka të bëjë me vetingun do të varet nga vetingu. Ne do të përpiqemi që ti fusim kandidatët në listën prioritare të  institucioneve të vetingut.  Ne presim që të kemi kandidatë qoftë nga ata që e kanë kaluar filtrin në veting, qoftë nga ata që nuk e kanë kaluar dhe do të duhet ta kalojnë atë.

Veprat penale që do të trajtojë SPAK

Pjesa dërrmuese e portofolit të veprave penale që hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda do t’i kalojë SPAK, janë edhe disa vepra të tjera penale që hetohen nga Prokuroritë e Rretheve, kryesisht ato që kanë të bëjnë me korrupsionin. Pra mund të paramendosh që SPAK do ketë nevojë për një ekip prej 20 prokurorësh.

Mandati i prokurorit të SPAK 9 vjet, garanci për karrierën

Është një privacion i rëndësishëm, në fund të fundit jemi qenie njerëzore që kemi të drejtë kushtetuese për privatësinë. Këto janë disa rrethana speciale që i imponojnë këtë kufizim të përkohshëm të privatësisë, në funksion të diçkaje më të rëndësishme. Për ata kjo gjë e rëndësishme e ka emrin karrierë, e ka emrin konfirmim profesional, për ne të tjerët, shoqërinë e ka emrin garanci që në ato nivele puna e hetimit të krimit të bëhet siç duhet dhe me këmbënguljen e duhur. Është një garanci e rëndësishme. Garancia më e rëndësishme për një funksionar publike është mundësia për të qëndruar gjatë në detyrë, një mundësi që nuk vihet në pikëpyetje nga rrethanat politike. Pra garancia e parë është të dish që ti i hyn një karriere, që zgjat aq sa zgjat. 9 vjet është një kohë e gjatë, për disa nga prokurorët mund të jetë një kohë që mund të korrespondojë me një pjesë të mirë të karrierës. Dikush mund ti afrohet fundit të karrierës me këto 9 vjet, dikush mund ta konsolidojë karrierën, por është një kohë e rëndësishme për pavarësinë. Është vështirë që ky mandat 9-vjeçar të ndërpritet, ndonëse mundësia teorike ekziston, ata do të vazhdojnë të jenë prokurorë. Si të gjithë të tjerët mund të bien pre e shkeljeve disiplinore që ndëshkohen nga KLP, por jo si çdo rast tjetër, në këtë rast KLP duhet të veprojë me dy të tretat që është një shumicë shumë e lartë dhe vështirë për tu arritur. Ka garanci për këta njerëz që do të marrin kurajën qytetare që do të shërbejnë si Prokurorë të SPAK, janë të mëdha, qoftë sa i takon mandatit, qoftë kushteve ekstra të vështirësive ekstra që imponohen mbi KLP për ta ndërpre në ndonjë rast eventual mandatin e tyre.

Intervista e Plotë