06 Shkurt 2019

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, priti sot në takim përfaqesuesit e misionit amerikan OPDAT/ICITAP, prezenca e të cilit në Shqipëri asiston me reformën në sistemin e drejtësisë, ku shqetësim kryesor ka ngritur korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat thuhet se përbëjnë kërcënim për demokracinë. “Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë ndër pengesat më të rëndësishme që kërcënojnë demokracitë e reja e të brishta në të gjithë Evropën Juglindore.
Luftimi i këtyre është emëruesi i përbashkët i të gjitha programeve të asistencës së OPDAT. Megjithatë, çdo program bilateral është përshtatur për të përmbushur nevojat individuale të vendit pritës. Çdo program fokusohet në çështjet e sundimit të ligjit dhe grumbullon shumëllojshmëri mjetesh për të përmbushur këto çështje”, është shprehur OPDAT pak kohë më parë.
Zoti Gent Ibrahimi shprehu falenderimin e tij për kontributin e vazhdueshem të misionit OPDAT në ndërtimin dhe zbatimin e parimeve kryeqësore në funksionimin sa më efikas të reformës në drejtësi, duke prezantuar të pranishmëve situatën aktuale dhe objektivat imediate të institucionit që ai drejton.
Drejtuesi i ICITAP për Shqipëri dhe Mali i Zi, Z. Steve Bennet përgëzoi punën e deritanishme të KLP-së duke e siguruar kryetarin Ibrahimi për mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm përsa i përket hartimit të draft-rregullores së funksionimit të KLP-së dhe trajnime dhe specializime të ndryshme për anëtarët e saj.