Njoftim mbi vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në Seancën Plenare te datës 13 Maj 2019

Në mbledhjen e zhvilluar sot,  Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me shumicë votash raportin për analizën e aftësive profesionale të prokurorëve subjekte rivlerësimit  Behar Dibra, Shkëlzen Cena dhe Klodian Braho, pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni i Vlërësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, bazuar në nenet 149/a, 179/b nenin “E” (aneksi) të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenin 189, pika 1, gërma “a” të Ligjit nr. 115/2016, “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”; nenet 40 dhe 42 të Ligjit Nr.84/2016 “ Për vlërësimin kalimtar të gjyqëtarëve dhe prokurorëve nëve në Republikën e Shqipërisë”.  Një kopje e këtij raporti i dërgohen menjëherë, Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Është miratuar me shumicë votash, 11 pro dhe asnjë kundër projekt-vendimi për Rregulloren “Për pagesën e prokurorëve jashtë orarit zyrtar”. Në relacionin e përgatitur nga  Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale me relator prokuror Gentian Osmani është paraqitur propozimi për rregullore me 11 nene për pagesën e prokurorëve për punën e kryer jashtë orarit zyrtar , jo më shumë se 200 orë/vit. Gjithashtu, propozohen kompensim financiar ose ditë pushimi për të gjithë sistemin e prokurorisë eksistuese (Prokuroritë e Shkallës së Parë dhe të Apelit) duke filluar nga 1 Janar 2019. Verifikimi për këto orë shtesë do të kryet nga Drejtuesit të Prokurorive ku prokurorët ushtrojnë detyrën duke marrë në konsideratë grafikun e gadishmërisë dhe ngarkesën si pasoje e angazhimit në hetime të cilat kërkojnë më shumë volume pune dhe për rrjedhoje më shumë orë pune.

Komisioni i Posaçëm i KLP i ngarkuar me vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidateve për SPAK kërkoi miratimin e projekt-vendimit për njё ndryshim ne formën e një amendamenti nё Rregulloren “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Afati i kërkuar është 3 javor. Shtyrja e afatit me 3 javë është argumentuar nga krytari i Komisionit të Posaçëm i KLP  me nevojë për më shumë kohë për shyrtimin e dosjeve për 23 kandidatë të kanë aplikuar për SPAK. Ky projekt-vendim u miratua me 10 vota pro dhe 1 kundër e zj. Nurihan Seiti, e cila argumentoi votën e saj me mendimin se 2 javë do të ishin të mjaftueshme për verifikimin e dosjeve duke bërë të mundur që procesin për ngritjen e SPAK-ut të përfundojë në fund të muajt Qershor sipas afateve të përcaktuara paraprakisht.

Po ashtu, u miratua me shumicë votash, 11 pro dhe asnjë kundër projekt-akti për angazhimin e prokurorit Ylli Pjetërnikaj në veprimtari jashtë funksionit ( mёsimdhёnie).