Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca është takuar ditën e sotme me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z.Gent Ibrahimi. Gjatë takimit, z. Ibrahimi ka informuar ambasadorin Soreca mbi ecurinë e procesit për krijimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë paraqiti një pasqyrë të përgjithshme të zhvillimit të deritamishëm , nga fazat e shprehjes së interesit të prokurorëve për të qënë pjesë së kësaj strukture deri në fazën e vlerësimit të këtyre kandidaturave

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është shprehur se “aktualisht Komisioni i Posaçëm i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i ngarkuar me vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidateve për SPAK është në fazën e avancuar të verifikimit të aplikantëve prokurorë për anën profesionale dhe integritetin e figurës. 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur njoftimin për 15 vendet vakante për Prokurorinë e Posaçme në datën 7 Janar 2019. Duke qenë se brenda afatit të shpalljes prej 30 ditëve kalendarike kishin aplikuar vetëm 17 kandidatë, numër i cili u konsiderua se nuk mundësonte konkurrencën dhe përzgjedhjen e më të mirëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e shtyu afatin e aplikimit deri në 21 Shkurt 2019. Në përfundim të afatit për shprehjen e interesit, pranë KLP u paraqitën 28 aplikime. Sipas Rregullores përkatëse që disiplinon procesin e përgjedhjes së prokurorëve të kësaj prokurorie, u ngrit një Komision i Posaçëm i cili fillimisht verifikoi plotësimin e kushteve ligjore për secilin aplikant.

Në përfundim të këtij procesi, 3 aplikantë nuk u lejuan të vijonin garën për arsye të mospërmbushjes së kushteve ligjore. Duke zbatuar kërkesat e një procesi të drejtë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi nominalisht kandidatët e skualifikuar së bashku me argumentet përkatëse dhe nuk pati asnjë ankesë ndaj vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Një nga kandidatët për Prokurorinë e Posaçme u zgjodh anëtar i Këshillit, ndërsa një kandidat tjetër u tërhoq nga gara. Aktualisht janë 23 kandidatë në garë dhe Komisioni i Posaçëm tashmë ndodhet në një fazë të avancuar të vlerësimit.

Pas përfundimit të vlerësimit nga ana e Komisionit, Këshilli vijon me intervistat dhe vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve. Ky proces parashikohet të zgjasë të paktën 3 javë. Ngritja e Prokurorisë së Posaçme varet nga rezultatet përfundimtare të procesit të rivlërësimit për kandidatët”- tha Ibrahimi.

Nga ana e tij, kreu i diplomacisë evropiane ka vënë theksin tek krijimi i SPAK, duke kërkuar funksionimin urgjent të strukturës, që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. “KLP në fazën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve. Është shumë e rëndësishme që SPAK të funksionojë sa më shpejt të jetë e mundur, për të përmirësuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Soreca.

https://balkanweb.com/spak-urgjent-funksional-soreca-lufte-krimit-e-korrupsionit/