Sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë zhvilluar intervistat me kandidatët e radhës që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e SPAK, përkatësisht Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Klodian Braho dhe Manjola Kajana janë pesë kandidatët të cilët janë intervistuar sot.
Të parat që dolën para KLP ishin prokuroret Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Enkeleda Xhengo. Prokurori Ened Nakuçi prezantoi para Këshillit dhe misioneve ndërkombëtare dosjet që ka hetuar ku përfshihen operacioni ‘Sunrise’, arrestimi i Fatos Selmanit, çështja e Klemend Balilit dhe çështja që njihet si ‘Hakmarrja për Drejtësi’. Gjatë intervistës ai është pyetur dhe ka folur për marrëdhëniet juridaksionale me autoritetet e huaja, si dhe për kërcënimet e vazhdueshme nga grupet kriminale që ka hetuar.
Për prokuroret Enkeleda Millonai dhe Enkeleda Xheng, pyetjet e KLP-së kanë qenë të përgjithshme: A keni ndjerë presion dhe ka ndikuar në vendimarrjen tuaj? Çfarë mendoni se duhet të funksionojë më mirë në bashkëpunim me autoritetet e tjera? Çfarë kontributi mendoni se do t’i jepni SPAK-ut? Si i vlerësoni rezultatet tuaja të arritura deri tani?
Pas tyre për intervistë është prezantuar Klodian Braho, prokurori i cili ka hetuar funksionarë të lartë shtetërorë si në rastin e Gjykatës së Apelit ashtu dhe atë të Lartë të dënuar me vendim të formës së prerë dhe prokurorja Manjola Kajana.
I pyetur nëse ka qenë i paragjykuar, ai tha se ka pasur raste, por shtoi se rezulatet e punës së tij kanë qenë përgjigjja më e mirë ndaj këtyre sulmeve.
Klodian Braho po heton ish kryeprokurorin Adriatik Llalla, ndërsa më herët ka hetuar edhe ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohej për falsifikim të dokumenteve dhe ndërtim të paligjshëm.
22 kandidatët që kërkojnë të hyjnë në Prokurorinë e Posaçme që do të hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, ju nënshtrohen pyetjeve që kanë për qëllim të kuptojnë qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tyre. Procesi i intervistave në KLP është parashikuar të mbyllet nesër me kandidatët Dritan Prenci, Ndini Tavani, Maksim Sota dhe Vladimir Mara.Në seancat me dyer të mbyllura, përveç anëtarëve të KLP-së, pyetje bëjnë edhe dy misoneve ndërkombëtare të EURALIUS dhe OPDAT.