Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi priti sot në takim ambasadoren e Holandës në Shqipëri, Guusje Korthals Altes.
Gjatë bisedës, z. Ibrahimi bëri një prezantim të shkurtër të punës së Këshillit gjatë këtyre muajve duke theksuar dy procese kryesore me shumë ndjeshmëri publike: përzgjedhja e kandidatëve për SPAK pas një gare konkurruese e cila është zhvilluar në disa etapa, nga vlërësimi i aftësive profesionale të prokurorëve kandidate deri tek vendosmëria dhe paanshmëria e tyre në përballimin e detyrës dhe zgjidhja e Prokurorit të Përgjithshëm, proces i cili është ende në vijim për shkak se një prej kandidatëve nuk ka kaluar ende filtrin e vetingut, kusht i patjetërsueshëm për të vazhduar garën.
Ambasadorja Altes përgëzoi kryetarin e KLP për punën e kryer në menaxhimin me sukses të një institucioni të ri, me shumë problematika për të zgjidhur, por me shumë përgjegjësi në zbatimit të reformës në drejtësi. Ambasadorja holandeze shprehu gadishmërinë e qeverisë që ajo përfaqëson për të kontribuar në mbështetjen e Këshillit duke ofruar mundësitë për trajnime dhe specializime në fushën e vlerësimit të aftësive profesionale të prokurorëve, të menaxhimit të kërkesave të tyre për ngritjen në karrierë dhe mbështetje logjistike dhe financiare me qëllim mbarëvajtjen e punës së Këshillit.
Kryetari Gent Ibrahimi falenderoi ambasadoren për gjithë mbështetjen e deritanishme dhe e siguroi se Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbetet i angazhuar për të vazhduar këtë bashkëpunim.