
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi deklaroi në ceremoninë e inaugurimit të pallatit të ri të drejtësisë se koha e sistemit të vjetër ka përfunduar dhe tashmë do të fillojë një epokë e re që pritet të japë rezultatet duke filluar nga vjeshta.
“Shembujt e parë janë vërtetuar, sidomos për ngritjen e SPAK-ut. Opinioni ka ndjekur procesin. Vetë ne shijuam një proces shembullor që nisi nga parimet dhe rregullat për të zbritur te emrat për të shërbyer. Kandidatë që vlerësohen kundrejt kritereve. Askush nuk mund të pretendojë se tërheq fijet e padukshme të interesave, askush nuk mund të paracaktojë rezultatet. Koha kur vendimet merreshin dhe procedurat kryheshin thjesht për t’i legjitimuar, ka mbaruar”, – tha ai.
“Prania e kudondodhur e ndërkombëtarëve janë garancia më e madhe dhe e plotë për integritetin dhe suksesin e SPAK. Pavarësisht klimës së mosbesimit, kjo pritje pozitive na motivon për t’i çuar standardet përpara. Së shpejti do të zgjedhim kandidatët për Prokurorin e Përgjithshëm. Të gjithë të barabartë në start të gjithë në vendin e vet në finish”, – tha Ibrahimi.
“Magjistratët që do të betohen sot janë të ndryshëm nga të tjerët ndër vite. Fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë, frutet po vijnë, ne presim me besimin dhe durimin për t’i shkuar në fund kësaj rruge që kemi nisur”, – tha ai.
Në vijim fjala e plotë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi :
Mirëmbrëma të ftuar e miq,
Miresevini në festën tonë. Ndoshta duhet ta nis duke ju kërkuar ndjesë për ndonjë ç’organizim të vogël apo ndonjë çedim të vogël në protokoll, por siç e shihni jemi në shtëpi të re dhe shpresoj që do na e falni.
E çmoj vërtet që gjetët kohën të na bashkoheni sot duke sfiduar edhe vapën që mesa duket është kthyer mes nesh për të qëndruar kësaj rradhe.
Ma merr mendja që për të gjithë ju ka qenë sfidë thjesht gjetja e rrugës për të ardhur sot këtu. Mëse e natyrshme po të mbahet parasysh se kjo është një adresë e re në adresarin e institucioneve tona. Sidoqoftë, mendoj se kjo adresë e re do bëhet shpejt e njohur për të gjithë. Jam i bindur që kur të vini këtu herën tjetër do mjaftojë t’i thoni shoferit të taksisë: “Tek poli i drejtësisë të lutem”, dhe ai nuk do ketë asnjë mëdyshje, asnjë pyetje. Dhe kur e them këtë nuk kam parasysh thjesht dhe vetëm njohjen graduale të vendndodhjes gjeografike të godinës, por, ç’ka është më e rëndësishme rëndësinë që ajo (godina) do të marrë në jetën shoqërore dhe institucionale të vendit. Për këtë jam i bindur.
Se fsheh se jam i emocionuar që, bashkë me kolegët Llagami e Sadushi, po bëj sot mikpritësin në shtëpinë e re të drejtësisë. Ne bëmë ç’mos që t’a organizonim këtë ceremoni pikërisht sot, në ditën e përvjetorit të amendamenteve kushtetuese që çelën siparin e reformës në drejtësi. Deshëm që pikërisht sot t’ju tregojmë shtëpinë tonë të re si dhe të ndajmë me ju emocionin e betimit të magjistratëve të rinj. Janë 2 momente me ngarkesë të lartë simbolike pozitive që vijnë pas një kohe të gjatë kur lajmet nga sistemi i drejtësisë, për fat të keq, i ngjajnë një “buletini lufte” me vetting, me vonesa dhe debate të hidhura, me reminishenca nga e kaluara që ende i ngatërrohen nëpër këmbë institucioneve të reja. Sot duam t’ju tregojmë bashkëqytetarëve tanë që ajo reformë që është bërë pjesë e jetës dhe e fjalorit të tyre prej 3 vitesh, po jep rezultatet e para.
Ne duam që linjat e drejta dhe të hijshme të kësaj godine, transparenca dhe aksesi që e karakterizojnë atë nga ana arkitektonike, të simbolizojnë mënyrën se si do të administrohet sistemi i drejtësisë në këtë vend në të ardhmen.
Do kisha dashur të kisha kohën e nevojshme që të ndaja me ju në detaj mënyrën sesi ne i bëjmë punët tona në Këshill. Sesi kjo mënyrë pune ndryshon si nata me ditën me mënyrën sesi janë bërë të njëjtat punë në të shkuarën e afërt. Për fat të keq nuk kam kaq kohë. Por sidoqoftë, besoj jeni në një mendje më mua nëse them se shembujt e parë të kësaj mënyre të re të të bërit të gjërave tashmë kanë ndodhur. Dhe këtu e kam fjalën sidmos për procesin e ngritjes së Prokurorisë së Posaçme. Opinioni publik, për muaj me rradhë tashmë, ka ndjekur me interes legjitim procesin e përzgjedhjes së prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Vetë ne anëtarët e Këshillit “shijuam” një proces shembullor i cili nisi nga parimet dhe rregullat e përgjithshme për të zbritur pastaj natyrshëm tek emrat e përveçëm të prokurorëve të përzgjedhur. Kandidatë që vlerësohen përkudrejt kritereve të dakordësuara e të bëra publike paraprakisht. Procedura vlerësimi e pikëzimi të dakordësuara e të bëra publike paraprakisht. Ky ishte në thelb procesi që sapo lamë pas.
Askush në këtë proces nuk mund të pretendojë se tërheq fijet e padukshme të interesave dhe të përkatësive të ngushta shoqërore e politike. Askush nuk mund të paracaktojë rezultatet për sa kohë procedurat dhe kriteret veprojnë njëlloj mbi të gjithë. Koha kur vendimet e kësaj natyre merreshin dhe procedurat kryheshin thjesht dhe vetëm për t’i legjitimuar ato ka mbaruar. Formula e ndërtimit dhe funksionimit të Këshillit, procedurat ekzigjente të imponuara nga ligji dhe aktet tona nënligjore për përzgjedhjen e kandidatëve, vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e tyre, pjesëmarrja e partnerëve tanë të huaj në çdo fazë të procesit përbëjnë një garanci afatgjatë për integritetin e procesit dhe, në llogari të fundit, suksesin e Prokurorisë së Posaçme. Të gjithë të barabartë në start, secili në vendin e vend në finish. Kjo ka qenë motoja e procesit që solli listen fituese per SPAK.
Do desha të theksoj se ne jemi të prekur nga pritja që opinioni publik dhe media, në përgjithësi, i bënë listës sonë, pavarësisht klimës së mosbesimit të fortë që ka shoqëruar reformën dhe procesin e zbatimit të saj. Kjo pritje na motivon për t’i qëndruar këtyre standarteve të larta dhe për t’i çuar ato më tej në të ardhmen.
Së shpejti Këshilli do të vijojë me zbatimin e një detyre tjetër të rëndësishme: përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Ne mezi presim që të vendosim një tjetër standard në këtë proces të rëndësishëm. Sërish, të gjithë të barabartë në start, secili në vendin e vend në finish.
Tani më lejoni disa fjalë për magjistratët e rinj që nisin sot rrugëtimin sfidues në sistemin e drejtësisë. Këta magjistratë që do të betohen sot me dorën mbi Kushtetutë janë krejt të ndryshëm nga pararendësit e tyre ndër vite. Po pse mund të pyesë dikush? A nuk janë edhe ata produkte të po asaj shkolle, të po atij programi formues si magjistratët e tjerë ndër vite? Kjo është e vërtetë. Sidoqoftë, unë mendoj se ndryshimi i tyre qëndron në faktin se ata janë mbrujtur si magjistratë në një stinë reformash që nisi në vitin 2016 (vit kur ata nisën studimet në Shkollën e Magjistraturës) dhe që vijon sot e kësaj dite. Ata janë të vetëdijshëm për shkaqet që përcaktuan nevojën e reformës dhe që i dhanë trajtë e përmbajtje institucioneve të reja. Ata janë dëshmitarë të procesit ekzigjent të vetting-ut që iu desh të kalonin për të marrë dritën jeshile për të hyrë në rradhët e magjistraturës. Sepse, sot të dashur miq, të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e magjistraturës së Republikës së Shqipërisë, përpara se të ulen në bankat e Shkollës së Magjistraturës duhet të kalojnë në vetting. Të gjithë ata që përfundojnë me sukses studimet në Shkollën e Magjistraturës kalojnë përsëri në vetting. E më tej, magjistratët e Republikës i nënshtrohen një kontrolli rigoroz të pasurisë dhe integritetit ndër vite, tashmë bazuar në një standard të ri, të cilin e prezantuan me sukses institucionet e vetting –ut.
Vetë magjistratëve të rinj do desha t’ju them se Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të jetë në krah të tyre dhe do të bëjë të mundur që në çdo fazë të karrierës së tyre profesionale të mbizotërojë meritokracia dhe integriteti.
Të dashur të ftuar e miq,
Do desha ta mbyll këtë fjalë të shkurtër duke shprehur besimin se fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë. Frytet po vijnë. Detyra jonë është të bëjmë të mundur që ato të mos vonojnë. Nga ju presim besimin, durimin dhe opozicionin që lypset për ti shkuar në fund kësaj rruge që kemi nisur.
Falemnderit edhe një herë që jeni sot këtu me ne .
Fotot: Olsi Beci