Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi i ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi: “FBI-ja amerikane do të trajnojë BKH”

Gent Ibrahimi Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë- institucion që “veton” kandidatët për SPAK dhe që liston edhe kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi.

Shqipëria ka patur gjatë 28 viteve tranzicion 24 ministra Drejtësie, por nuk ka patur Drejtësi. Tre vjet pas ndryshimeve të thella kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi- publiku pret ende të shohë ngritjen e institucioneve të reja dhe mbi të gjitha pret të shohë “dhëmbët” e drejtësisë së re.
Një nga emrat e rinj që është bërë pjesë fjalorit të gjuhës shqipe është SPAK- e thënë thjesht: Prokoruria e Posaçme.
Objekt i punës së këtij institucioni janë veprat penale të korrupisonit dhe krimit të organizuyar. SPAK nuk pritet t’i nxjerrë fundin “krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta”, por pritet të jetë fillimi i fundit të një epoke që për emërues të përbashkët ka patur fjalën: PANDëSHKUESHMëRI.
Prej vitesh në raportet vjetore të Komisionit Europian është kërkuar hetimi, gjykimi, dhe ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta. E njëjta fjali u vendos kusht në listën e detyrave të Këshillit Europian që Shqipëria të hapë negociatat.
Pyetja sot është: kur do të nisë punën SPAK dhe a ka dhëmbë për të bluar një lloj “mishi” me të cilin nuk është mësuar të merret drejtësia shqiptare.
Drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar – thotë një maksimë e njohur për të gjithë juristët.
Interesi, kurioziteti dhe pritshmëritë për SPAK – janë në rritje veçanërisht po të kihet parasysh se kë mund të hetojë institucioni i ri:Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrat, zv/ministrat,Deputetët, Kryetarët e Bashkive. Me një fjalë: piramidën e pushtetit. Po a është gati SPAK për të nisur kryqëzatën?

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi e parashikon të shpejtë ditën kur do të nis punë SPAK, Prokuroria Speciale, e cila mund të hetojë majën e piramidës së pushtetit.
Ibrahimi foli për pavarësinë e prokurorëve të SPAK.
“Pavarësia e prokurorëve të SPAK ka edhe një dimension tjetër përveç çlirimit të lidhjes hierarkike që në fakt kanë ekzistuar në të kaluarën.Këshilli vetëm mund ta shkarkojë një prokuror të prokurorisë së posaçme, por edhe këtë gjest ekstrem mund ta bëj vetëm me ⅔ e anëtarëve të Këshillit. Ju siguroj që përvoja e këtyre 6-7 muajve të parë të Këshillit sugjeron se arritja e mazhorancës sidomos për këto çështje kaq kontradiktore siç është ndëshkimi i prokurorit të Prokurorisë së Posaçme është pothuaj i pamundur që të arrihet. Pra pavarësia e tyre ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm- ato shërbejnë për një mandat 9 vjeçar që nuk e kanë prokurorët e tjerë”, -tha Ibrahimi në RTSH
Prokurorët e SPAK do të punojnë me oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke shmangur edhe lidhjet me policinë e shtetit.

“Prokuroria shqiptare gjithmonë ka patur nevojë për ndërmjetësim dhe ndihmën e policisë së shtetit për të hetuar krimin. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka për Zot, prokurorin e Prokurorisë së Posaçme. Kjo ndihmon edhe në konfidencialitetin dhe sekretin e hetimeve sepse gjithçka aty konsumohet brenda një trupe të vogël njerëzisht. Këto historitë me përgjime që dalin lart e poshtë shpresoj të mos i dëgjoj më, për shkak të faktit që do të jetë vetëm një grup ekskluziv njerëzish shumë i ngushtë që do të ketë akses në dokument”, – u shpreh kreu i KLP-së.
Sipas Ibrahimit SPAK do të nisë punë më herët se Byroja Kombëtare e Hetimit. Për këtë arsye është parashikuar dhe një zgjidhje tranzitore.
“FBI do të trainojë NBI – ky është akronimi në anglisht i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Natyrisht që bëhet fjalë për një trainim disa mujor, në bazën më të madhe të trainimeve të FBI-së. Zgjidhja tranzitore do të jetë që prokurorët e prokurorisë së posaçme do të punojnë me ato struktura të policisë gjyqësore që janë të pranishëm në zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, – tha Ibrahimi në RTSH.

https://www.youtube.com/watch?v=ToMR0RqdT8o