Krytari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi sqaron arsyet e shtyrjes së mbledhjes së Këshillit e parashikuar për datën 23 Shtator 2019

Është shtyrë për ditën e mërkurë në orën 10.00 mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cila ishte parashikuar për t’u zhvilluar ditën e hënë 23 Shtator 2019. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritej që në këtë mbledhje të miratonte listën e kandidatëve që kanë shprehur interes për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet për të vazhduar garën në vijim.

Shkak i shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë është bërë fakti se KLP nuk është njohur zyrtarisht me vendimin e Komisionerit Publik për ankimimin ose mosankimimin  e vendimit të KPK-së së datës 4 Shtator 2019, për kandidatin në garë për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Olsian Çela deri në afatin kur ishte njoftuar mbledhja e Këshillit.

Për shtyrjen e mbledhjes së KLP-së, përmes një njoftim për mediat Institucioni i Komisionerëve Publikë, ka sqaruar arsyen pse nuk ka pasur një njoftim për KLP lidhur me Olsian Çelën.

Institucioni i Komisionerëve Publikë, thotë se afati i fundit për të ankimuar vendimin ose jo, ishte data 21Shtator 2019, që i binte e shtunë, ndërsa mbështetur në ligj, afati për paraqitjen e ankimit mbaron ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit, domëthënë ditën e hënë 23Shtator 2019.

“Komisionerët Publikë kanë afat 15 ditë, nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për ta ankimuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Nisur nga fakti që afati 15-ditor, në rastin konkret, mbaronte më datë 21.9.2019, ditë e shtunë,  bazuar në nenin 148 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për paraqitjen e ankimit mbaron ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit, pra sot, e hënë, datë 23 Shtator 2019.

Komisionerët Publikë, duke qenë institucioni i vetëm, ndër tri institucionet e rivlerësimit, që në bazë të ligjit, kompetencën e tij kushtetuese për të ankimuar ose jo vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e ushtron brenda një afati të prerë kohor, 15 ditë, janë duke përmbushur detyrimet e tyre me kapacitet të plotë.”, -thuhet në njoftimin e Institucioni i Komisionerëve Publikë.

KPK-ja vendosi me datë 4 shtator që të konfirmonte në detyrë prokurorin Çela, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të presë përgjigjen e Komisionerit Publik nëse do të ankimojë ose jo vendimin e saj.

Për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, kanë shprehur interes Arta Marku, e cila është kryeprokurore e përkohëshme në detyrë, si dhe Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj.

 “Rezultoi se në një hallkë të procesit administrativ, në atë hallkë që ka të bëjë me kalimin e dokumentacionit nga KPP tek komisioneri ka ndodhur një vonesë. Kjo bënë që sot të jetë ende brenda afatit për komisionerët, për kryerjen e një ankimi të mundshëm. Në këto kushte, këshilli është në pamundësi për të marrë vendimin sot. Sidoqoftë, nga momenti i marrjes së vendimit nga Këshilli për listën zyrtarëve të kandidatëve, besoj se Këshilli brenda tetorit do të dërgojë listën në parlament, kandidatët të renditur sipas meritës së tyre, për ti hapur pastaj rrugës procedurës parlamentare”, ka thënë kryetari i KLP, Gent Ibrahimi në një intervistë për Top Channel përballë gazetares Anila Hoxha.

Kreu i KLP flet edhe për Prokurorinë e posaçme SPAK, që siç duket ka ngelur në stacionin e vettingut.

“Na duhet një numër i arsyeshëm prokurorësh për të përballuar ngarkesën që do të rëndojë pastaj mbi zyrën e Prokurorisë të Posaçme. Pra, diskutimi është kushtetues përsa i takon dhjetës, dhjetës dhe më pak, ndërsa pjesa tjetër do jenë 8,7,9, ka të bëjë vetëm me çëshjte praktike.

Ku do ta bazoni këtë vendim?

“ Në interpretimin e kushtetutës që e bënë në radhë të parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë”.

Çfarë ndodh me kandidatët, me pesë të tjerë, të cilët ndërkohë po presin gongun e KPP-së, për tu paraqitur në seancat publike?

“Ata mund të emërohen çdo kohë në Prokurorinë e Posaçme, në momentin që plotësohet kushti ligjor i kalimit të vettingut, në vendim të formës së prerë.”

SPAK-u kur do jetë gati? “Janë pyetje të përbëra edhe përgjigjet s’janë veçse të përbëra. Pra, përgjigjja ime domosdosmërisht që kushtëzohet nga ecuria e procesit të vettingut. Domosdoshmërisht që kushtëzohet nga vendimi që do të marrë Këshilli për interpretimin e dispozitës kushtetuese që flet për 10 anëtarë të Prokurorisë së Posaçme” deklaroi Gent Ibrahimi.

Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, KLP shtyn mbledhjen

Shtyhet mbledhja për Prokurorinë e Përgjithshme/ Komisioneri përplaset me Këshillin për afatet