Kuvend/ Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi në seancë dëgjimore te Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, u ftua sot nga Kuvendi i Shqipërisë një seancë dëgjimore te Komisioni i Ligjeve lidhur me veprimtarinë e Këshillit që nga periudha e konstituimi të tij në dhjetor të vitit 2018 deri më sot dhe ecurinë e ngritjeve të institucioneve të reja, SPAK dhe BKH.

Ibrahimi tha se deri më tani janë përzgjedhur 15 prokurorë për SPAK, 8 prej të cilëve e kanë kaluar Vettingun me vendim të formës së prerë, pasi është kusht për t’u bërë pjesë e kësaj strukture, që do të luftojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.

“Sot kemi identifikuar dhe përzgjedhur 15 kandidatë, për të qenë pjesë të Prokurorisë së Posaçme, por këta prokurorë duhet të marrin edhe vulën e Vettingut. Në momentin që ata emërohen, SPAK fillon punën. Deri më tani, 8 prej tyre e kanë kaluar Vettingun. Është kusht, që pa kaluar Vettingun, prokurorët nuk mund të bëhen pjesë e SPAK. Gara për t’u bërë pjesë e SPAK është hapur që në janar të vitit 2019, por buxheti ynë është aktivizuar në qershor të këtij viti”, tha Ibrahimi.

Në fjalën e tij, kreu i KLP-së deklaroi se “Këshilli nuk është bërë pengesë për Vetting-un” duke i nisur në kohë organeve të tij raportet e vlerësimit profesional të prokurorëve dhe shtoi se institucioni që ai drejton nuk po arrin të ecë me detyrat e veta, për shkak të vonesave në procesin e Vetting-ut.

“Koha që ata marrin është arsyeja e vetme pse ne nuk kemi ende SPAK dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Nëse SPAK ngrihet sot me 8 prokurorë, secili prej tyre do të ketë minimalisht 55 çështje. Janë shumë. Kjo po na pengon që ta ngremë tani. Shumë shpejt do e kompletojmë Prokurorinë e Posaçme, prej saj varet Byroja Kombëtare e Hetimit. Ky do të jetë mjaft i gjatë si proces, disa muaj”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi shtoi se për suksesin apo dështimin e SPAK ka dy përbërës: “Aftësia për të vënë para ligjit funksionarët e shtetit dhe aftësia për të goditur krimin e organizuar”.

Më tej, kryetari Gent Ibrahimi tha se ‘nuk po bëhet vetëm Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, por paralelisht është duke u bërë edhe një mini-vetting për shumë zyrtarë të tjerë’.

“Një mini-vetting po zhvillohet aktualisht nga KLP dhe KLGJ për shumë zyrtarë të tjerë. Në rastin tonë, ata që përfundojnë Shkollën e Magjistraturës i nënshtrohen Vettingut, para se të nisin karrierën e tyre si prokurorë, por edhe çdo kandidat për ngritje në karrierë kalon në Vetting”.

Ndërkohë, Gent Ibrahimi u ndal edhe tek akuzat që kryeministri Edi Rama ka bërë nga Parlamenti, i cili tha se në sistemin e drejtësisë është ngritur “grupimi më i rrezikshëm kriminal i quajtur KÇK, (Kap Ç’të Kapësh). Ibrahimi tha se ‘kjo është një akuzë politike dhe si të tillë e ka trajtuar dhe institucioni që ai drejton’.

“Kryeministri Edi Rama bëri një akuzë të përgjithshme dhe politike, si të tillë e kemi trajtuar edhe ne. Nuk është se po bëjmë një hetim të thelluar, por po e shohim në përgjithësi. Nuk mjafton për të bërë gjyq”, deklaroi ai.

Gjatë seancës dëgjimore, deputetët të pranishëm kanë ngritur pyetje në lidhje me afatet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ngritjen e SPAK dhe veprimtarinë e Këshillit në rastet e masave disiplinore ndaj prokurorëve. Deputeti Andi Përmeti ka pyetur kryetarin Ibrahimi nëse SPAK do të ketë fuqinë për të dënuar politikanët e korruptuar, ky i fundit i është përgjigjur se ”SPAK ka të gjitha kushtet administrative, ligjore për të proçeduar këdo politikan të nivelit të lartë dhe gjithashtu krimin e organizuar.”

RAPORT MBI VEPRIMTARINË E KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË PËR PERIUDHËN DHJETOR 2018-KORRIK 2019

Njoftimi është pasqyruar në mediat:

“Grupi i rrezikshëm KÇK”, Ibrahimi i përgjigjet Ramës: Akuzë politike, SPAK fillon punën në momentin që..

Ngritja e SPAK, Ibrahimi: Ecuria varet nga procesi i vetting-ut

Kreu i KLP-së reagon ndaj deklaratave të Ramës për KÇK-në