Gjatë paraditës së sotme, në sallën e mbledhjeve në ambjetet e Prokurorisë së Përgjithshme, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka pritur në takim Jorgan K. Andrews, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA. Jorgan K. Andrews, është caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit si dhe mbikëqyr gjithashtu programet e kësaj byroje në Europë e Azi, duke përfshirë edhe Afganistanin dhe Pakistanin.
Gjithashtu, të pranishëm në takim ishin edhe Leyla Moses- Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri dhe Julie Craven, Drejtoreshë e Byrosë për çështjet ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës si dhe Michelle Lakomy nga OPDAT.
Kreu i KLP-së, ka shpjeguar ecurinë dhe punën e institucionit që ai drejton, ndërsa u ndal tek disa tema të rëndësishme, siç është ngritja e Prokurorisë Special (SPAK) dhe zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm.
Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi nënvizoi se në 10 muaj eksistencë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka konsoliduar infrastrukturën ligjore për ngritjen e SPAK.
“Këshilli është në hapat e fundit për dy procese të rëndësishme: zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritjen e SPAK. Mbështetja e Ambasadës Amerikane dhe misionit të asistencës së saj OPDAT dhe ICITAP gjatë këtyre proceseve është një garanci e pamohueshme për objektivitetin, profesionalizmin dhe integritetin e tyre”.
Gent Ibrahimi i ka njohur zyrtarët amerikanë me hapat e ndërmarra për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri, por edhe formulën e re lidhur me implementimin e menjëhershëm të SPAK-ut, ngritja e të cilit është vonuar për shkak se 5 prokurorë nga 15 nuk kanë kaluar ende në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), ndërsa 2 prej tyre ndodhen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA). Në mungesë të një numri prej 10 prokurorësh të nevojshëm për ngritjen e SPAK, sipas nenit 148/dh 2 të Kushtetutës, shtuar me ligjin nr.76, datë 22.07.2016, “Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë të cilat emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi”.
Zoti Ibrahimi tha se po shikohet mundësia që dy vendet të plotësohen me prokurorë me caktim të përkohshëm të cilën e kanë kaluar Vettingun me vendim të formës së prerë dhe kanë qënë pjesë e listës e kandidateve për prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) të cilët plotësojnë kushtet ligjiore pas vlerësimit paraprak, listë kjo e miratuar me vendim nr.57 me datë 5 Prill 2019.
Në fjalën e tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Andrews ka shprehur vlerësimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për veprimtarinë e deritanishme të Këshillit dhe ka siguruar për mbështetjen e plotë të SHBA-së për zbatimin e reformës në drejtësi.
“SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Vendi i Shqipërisë është në familjen europiane dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi është rruga e duhur për të mbërritur atje. Do të vazhdojmë t’ju ofrojmë asistencën tonë gjatë punës tuaj. Padyshim që jemi të ndërgjegjshëm për presionin me të cilin përballet KLP këto kohë, por jam i bindur gjithashtu se Këshilli do të marrë vendimet e duhura dhe jemi të vendosur t’ju ofrojmë mbështetjen tonë në mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve të SPAK.Keni ngritur një bazë ligjore të fortë për institucionet e reja të drejtësisë, të aftë të mbajë larg korrupsionin dhe presionin e politikës mbi këto struktura. Duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend sepse tani do të keni instrumentet e duhura. Jam besimplotë se SPAK do të jetë një institucion model ashtu siç e presin me pa durim shqiptarët”.