Vendimet e marra në mbledhjen plenare të datës 25 Tetor 2019

Është zhvilluar sot në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor seanca plenare e radhës e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me rendin e ditës të dakortësuar paraprakisht me anëtarët të Këshillit. Seanca është mbajtur në prezencë të 11 anëtarëve. Dy prej anëtarëve të Këshillit kanë sjellë propozime për t’i shtuar rendit të ditës, konkretisht anëtari Kostaq Beluri propozon të shtohet në rendin e ditës miratimin e raport vlerësimeve për dy kandidatë të pranuar në formimin fillestar në Shkollën e magjistraturës, Blerina Musabelliu dhe Urim Kalia. Propozimi është miratuar me 10 vota pro dhe 1 kundër ( Arben Dollapaj ).

Anëtari Sandër Beci propozoi që rendit të ditës t’i shtohen dy caktime në pozicion të përkohshëm, Brahim Dragoshi prokuror në Gjykatën e Apelit Shkodër të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër dhe Asllan Bajramaj prokuror në Prokurorinë e Shkallës së Parë Përmet të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit i Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë Përmet. Propozimi u pranua me 9 vota pro dhe 2 kundër ( Arben Dollapj dhe Gent Ibrahimi ).

Mbështetur në nenin 149/a të Kushtetutës, në nenin 59 pika 1 dhe 4 të Ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqëtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, si dhe neneve 164/8, 166/2, 189/1/atë Ligjit 115/2016 “Për organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë” me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli miratoi me shumicë votash 9 caktime në pozicion të përkohshëm si vijon:

1) Miratimi i projekt – aktit për caktimin e përkohshëm të znj.Afërdita Ndoi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të ushtrojë përkohësisht detyrën si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

2) Miratimi i projekt – aktit për caktimin e përkohshëm të z.Albert Murçaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.

3) Miratimi i projekt – aktit për caktimin e përkohshëm të z.Lorenc Mërkuri, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

4) Miratimi i projekt – aktit për caktimin e përkohshëm të z.Ludovik Doda, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

5) Miratimi i projekt – aktit për caktimin e përkohshëm të z.Ylli Pjetërnika, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

6) Miratimi i projekt – aktit për caktimin e përkohshëm të z.Lazër Çardaku, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

7) Miratimi i projekt – aktit për caktimin e përkohshëm të z.Isa Jata, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda.

8) Miratimi i projekt – aktit për caktimin e përkohshëm të z.Erion Çela, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, të vazhdojë të ushtrojë përkohësisht detyrën si Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

9) Miratimi i projekt-aktit pёr ndёrprerjen e caktimit tё përkohshëm tё z. Urim Buci në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin dhe rikthimin e tij në detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.

Është miratuar me 9 vota (anëtarët Bujar Sheshi dhe Vatë Staka nuk ishin të pranishëm në sallë në momentin e votimit) projekt-aktit të vlerësimit, në kuadër të rivlerёsimit kalimtar për prokurorin Nezir Gjoka. Gjithashtu në mbledhje janë miratuar me 11 vota pro dy raportet për verifikimin e pasurisë dhe figures të kandidatëve znj. Blerina Musabelliu dhe z. Urim Kalia.

Pika e fundit të rendit të ditës parashikonte diskutime në lidhje me hapat e mëtejshme për konstituimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në fjalën e tij, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi paraqiti para Këshillit fazën aktuale në të cilët ndodhet procesi e krijimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në 16 Korrik 2019, Këshillit i Lartë i Prokurorisë ka renditur 15 kandidatë prokuror për SPAK si vijon Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Ndini Tavani, Behar Dibra, Anita Jella dhe Besnik Muçi. Tashmë 8 prej tyre kanë kaluar vetingun me vendim të formës së prerë, Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra. Prokurori Ndini Tavani është tërhequr më herët nga gara për SPAK dhe në datën 11 Tetor 2019 është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Kandidatja Manjola Kajana është ankimuar në datën 2 Gusht 2019 nga Komisioneri Publik dhe ndodhet aktualisht në pritje të vendimit përfundimtar të Kolegjit Posaçëm të Apelimit (KPA). Kandidatja Anita Jella nuk ka arritur të kalojë instancën e parë të vetingut për shkak se seanca dëgjimore është shtyrë pasi përfaqesuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Kandidati ka sjell provat e reja. Besnik Muçi është zgjedhur si anëtar në Gjykatën Kushtetuese me dektret të Presidentit në datën 16 Tetor 2019.
Duke u nisur nga kjo situate, Komisioni i Posaçëm për ngritjen e SPAK në Këshilli të Lartë të Prokurorisë ka propozuar disa hapat për konstituimi i SPAK.

Sipas propozimit kërkohet që brenda 30 ditëve (ose brenda muajit nëntor 2019) në mbledhje plenare të Këshillit të përmbyllet procedura e ngritjes në detyrë për 8 prokurorët kandidatë për Prokurorinë e Posaçme dhe të kryhet emërimi i tyre pranë kësaj prokurorie.
Gjatë kësaj periudhe tranzitore, Komisioni Posaçëm propozon që Këshilli (komisionet përkatëse) të përgatisin aktet e nevojshme për t’u miratuar. Këto akte përfshijnë: Vendimet për emërimin e 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme; Vendimin për caktimin e përherëshëm të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme me mandat 3 vjeçar nga 8 prokororë të emëruar në Prokurorinë e Posaçme; Ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorë që janë të emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ushtrojnë detyrën pranë një prokurorie tjetër; Ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorë që janë të caktuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda por janë emëruar pranë një prokurorie tjetër.
Emërimin e prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, në prokurori të tjera të juridiksionit të përgjithshëm (duhet theksuar që me fillimin e punës së Prokurorisë së Posaçme pushon së funksionuari Prokuroria e Krimeve të Rënda).
Komisioni propozon gjithashtu që Këshilli të autorizojë Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të koordinojë punën me Këshillin e Lartë Gjyqësor për të marrë në mënyrë të njëkohshme vendimet përkatëse për Gjykatën e Posaçme dhe Prokurorinë e Posaçme. Ekzistenca e njërit organ pa tjetrin, qoftë edhe disa orëshe mund të sjellë probleme. Pas emërimit të 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë hap menjëherë garën për shprehjen e interesin nga ana e 8 prokurorëve tashmë të emëruar për pozicionin e drejtuesit, fazë e cila zgjat 5 ditë. Gjithë procesin duhet të mbarojë brenda 30 ditëve.
Anëtarët e Këshillit kanë shprehur opinionet e tyre rreth këtij propozimit i cili është votuar në unanimitet.

Duke u përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me hapat të miratuara nga Këshilli për konstituimin e Prokurorisë së Posaçme, kryetari i Këshillit të Lartë I Prokurorisë, Gent Ibrahimi nënvizoi faktin se në harkun kohor të 30 ditëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të emërojë 8 prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion. Do të jenë këta prokurorë më pas që do të vendosin emrin e drejtuesit të tyre për një mandat 3 vjeçar. Por emërimi i këtyre 8 emrave nuk do të thotë se SPAK do të nisë të funksionojë, do të jetë kreu i SPAK që do të përcaktojë numrin përfundimtar të organikës. “Ne sot arrijmë përfundimin se ngritja me 8 apo 10 nuk na përket ne. Vendimin për dyshmenë e ka marrë kushtetutë bërësi. SPAK është një institucion kushtetues. Drejtuesi i Prokurorisë së Posacme do të fiksojë organikën e saj. Ne emërojmë ata që mundemi dhe për momentin mund të emërojmë vetëm 8. Mendoj se deri në nëntor mund të kemi të ngritur SPAK. Ne kemi bërë llogarinë që të marrim të gjitha vendimet e nevojshme. Këshilli nuk e gjykoi të përshtatshme linjën e veprimit dyshemenë me 10 anëtarë. Nuk na takon ne ta marrim këtë përgjegjësi. Drejtuesi i SPAK do të plotësojë organikën. Ne po emërojmë prokurorët për SPAK, ne nuk marrim vendimin për krijimin e SPAK. Ne nuk e shkelim kushtetutën për ngritjen e SPAK me 8 anëtarë”. Pyetjes për sa i përket zgjedhjes së Kryeprokurorit me mandat 7-vjeçar, kryetari Gent Ibrahimi u shpreh se lista me 3 kandidatë do t’i dorëzohet Kuvendit brenda muajit nëntor. “Të hënën do të jemi në gjendje të njoftojmë kandidatët të përgatiten për intervistën. Ata kanë 10 ditë kohë për t’u përgatitur. Një ose dy ditë pas intervistave do të jemi në gjëndje t’i japim Kuvendit listën me kandidatë”.