Vendimet e marra në mbledhjen plenare të datës 29 Tetor 2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar sot në mbledhjen e radhës e zhvilluar në sallën e mbledhjeve në Prokurorinë e Përgjithshme, listën me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore pas vlerësimit paraprak. Mbledhja është mbajtur në praninë e 9 anëtarëve dhe në mungesë të anëtarëve Besnik Cani dhe Nurihan Seiti.

Në bazë të nenit 148/a të Kushtetutës, të nenit 22 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 17/pika 4 të rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e listës me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore sipas rendit alfabetik si më poshtë:

  • Arta Marku
  • Fatjona Memçaj
  • Olsian Çela

Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, njofton se në datën 13 nëntor 2019 duke filluar nga ora 9:30 do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik.  Në zbatim të nenit 19, pika 1 te rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video. Kandidatët do të njoftohen nominalisht dhe në adresën e postës elektronike që ata kanë deklaruar në momentin e aplikimit.