Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot Mbledhjen Plenare të rradhës në ambjentet e KLGJ. Mbledhja e ditës së sotme është zhvilluar në praninë e 11 anëtarëve të Këshillit dhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS (EU Funded Project), OPDAT (Funded from the United States Department of Justice/Assistance and Training and Technical Assistance Program), si dhe vёzhgues tё tjerё tё akredituar.
Pika e parë e rendit të ditës ishte miratimi i Metodologjisë për Vlerësimin dhe Renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, duke rënë dakort parimisht se ky do të jetë një dokument orientues, i cili do të lehtësojë punën e Këshillit për vlerësimin e kandidatëve.
Sipas rendit të ditës janë administruar edhe dorëzimet e deklaratave të anëtarëve të KLP-së lidhur me pengesat ligjore dhe konfliktin e interesit sa i përket anëtarëve të Këshillit në kuadër të procesit të vlerësimit/renditjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, sipas ligjit Nr. 9367, datë 07.04.2005 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESAVE NË USHTRIMIN E FUNKSIONEVE PUBLIKE i ndryshuar me ligjin nr. 9475, datë 09.02.2006; me ligjin nr. 9529, datë 11.05.2006; me ligjin nr. 86/2012 datë 18.09.2012 dhe me Ligjin nr. 44/2014 datë 24.04.2014.
Lidhur me këtë çështje, dy prej anëtarëve, Esmeralda Cami dhe Kostaq Beluri kanë dorëzuar pranë Këshillit formularin e vetëdeklarimit ku shprehen se mund të jenë objekt i konfliktit të interesit. Zonja Cami, i ka paraqitur Këshillit dyshimin e saj se mund të jetë në konflikt interesi për shkak se ndaj saj është nisur një akt administrativ për nisjen e një hetimi për masë disiplinore.
‘Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit ka referuar për personin tim një masë disiplinore dhe rezulton se Prokurori i Përgjithshëm është organi kompetent që do të drejtojë referimin ndaj personit tim, ndaj ngre pretendimin se kjo përbën konflik interesi,’ është shprehur zonja Cani. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pasi dëgjoi argumentimin e zonjës Cami, votoi me një votë pro, (specifikisht anëtari Kostaq Beluri i cili mendon se zonja Cami ka konflikt interesi) dhe 9 vota kundër duke rrëzuar kështu pretendimin e saj.
Këshilli ka marrë gjithashtu në shqyrtim edhe pretendimin e ngritur nga anëtari Kostaq Beluri, lidhur me një vendim administrativ nisur ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, por këshilli nuk gjeti asnjë argument i cili mund të provonte se zoti Beluri është në konflikt interesi për sa i përket procesit të pikëzimit për përzgjedhjen e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm.
Kryetari Gent Ibrahimi bëri gjithashtu me dije se disa anëtarë kanë ngritur dyshime se anëtari i KLP-së, zoti Tartar Bazaj mund të ketë konflikt interesi në procesin e pikëzimit për përzgjedhjen e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm, nisur nga një kallëzim të bërë nga gazetari Artur Çani në Prokuorinë e Përgjithshme.
Zoti Bazaj ka shpjeguar pozicionin e tij lidhur me këtë kallëzim duke insistuar se prej disa muajsh është bërë objekt sulmi nga gazetari në fjalë. Ai gjithashtu i kërkoi Këshillit të vendosi nëse ekziston një argument i arsyeshëm për ta cilësuar atë në konflikt interesi. Pas vlerësimit, Këshilli vendosi me 2 vota pro, (Kryetari Gent Ibrahimi dhe anëtari Kostaq Beluri mendojnë se zoti Bazaj ka konflikt interesi në procesin e pikëzimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm) dhe 8 vota kundër.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pasi administroi të gjithë deklaratat e anëtarëve, ka vendosur se asnjë prej 11-të anëtarëve nuk ka pengesë ligjore për të marrë pjesë në procesin e pikëzimit të përzgjedhjes së kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm.
KLP ka miratuar gjithashtu me shumicë votash projekt-aktet e vlerësimit, në kuadër të rivlerёsimit kalimtar për prokurorin Bilbil Mete, i miratuar me 11 vota pro.
KLP ka miratuar me 11 vota pro rregulloren “Për rregullat e garantimit të mbrojtjes së detyrueshme dhe caktimin mbi bazën e parimit të rotacionit të avokatit mbrojtës, nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore, në procesin penal”.
Me 11 vota pro është miratuar projekt-akti për përfundimin e procesit për ngritjen në detyrë të prokurorit Ndini Tavani, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,si rezultat i dorëheqjes së paraqitur në Këshill.