Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot intervistat me kandidatët për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm,  ka zhvilluar gjatë ditës së sotme, intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik,  Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela. Kjo është faza përmbyllëse e procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë me mandat 7 vjeçar.

Në zbatim të nenit 19, pika 1 të rregullores “Mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, intervistat me kandidatët janë regjistruar me audio dhe video.

Kandidatët kanë paraqitur para Këshillit një prezantim për formimin, eksperiencën profesionale dhe veprimtarinë e tyre ndër vite si dhe platformën e depozituar për vlerësim në Këshill.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar i kanë adresuar pyetje secilit kandidat, duke nxjerrë në pah aftësitë e tyre njerëzore, profesionale dhe administrative të kërkuara nga ky pozicion.