
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen plenare e cila konkludon edhe fazën përmbyllëse të procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë me mandat 7 vjeçar. Procesi i përzgjedhjes u zhvillua edhe nën mbikqyrjen e përfaqësuesëve të komunitetit ndërkombëtar si EURALIUS, OPDAT dhe vёzhgues tё tjerё tё akredituar, të cilët i kushtuan një rëndësi të veçantë procesit të pikëzimit.
Më shumicë votash KLP ka miratuar projekt -vendimin “Për renditjen e kandidatёve qё kanё shprehur interesin pёr pozicionin e Prokurorit tё Pёrgjithshёm”, bazuar në rezultatet e vlerësimit të kritereve sipas nenit 23 të Ligjit nr. 97/2016, “Pёr organizimin dhe funksionimin e Prokurorisё nё Republikёn e Shqipërisë” si dhe tё Rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”.
Sipas pikëzimit të bërë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i pari në listë është renditur kandidati Olsian Çela me 459 pikë, i ndjekur nga Arta Marku me 406 pikë dhe kandidatja e tretë Fatjona Memcaj.
Renditja e tre kandidatëve sipas pikëve:
- Olsian Çela (459 pikë)
- Arta Marku (406 pikë)
- Fatjona Memçaj (362 pikë)
Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i KLP-së z.Gent Ibrahimi në një prononcim për mediat, theksoi rëndësinë e përfundimit të këtij procesi duke shtuar se tashmë çështja e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm ka kaluar në Kuvend dhe i takon këtij të fundit të zgjedhë mes tre kandidatëve, Arta Markut, Olsian Çelës dhe Fatjona Memçes.

Intervista kryetarit të KLP-së, z.Gent Ibrahimi për median
Do të ketë kontestime?
“Kemi ndjenjën e lehtësimit. Le ta gëzojmë. Shpresojmë se nuk do të ketë ankime nga anëtarët. Secili pati mundësinë të shprehë vullnetin e vet. Tashmë brenda tre ditësh ata do të mund të paraqesin ankimimin.
Sa është afati për ankim?
Brenda tre ditësh, nga dita e sotme.
Nëse nuk do ketë vullnet politik për të zgjedhur Kryeprokurorin , ç’do ndodhë?
Ne dhamë një shembull me këtë proces, që i përgjigjemi dhe skepticizmit. Ky shembull do merret parasysh dhe nga Kuvendi. Ai mund të zgjedh edhe kandidatin e tretë në listën tonë. Kuvendi shpresoj të marrë parasysh pozicionin e KLP-së dhe të zgjedhë të parin në listën tonë.
A nuk do ishte e udhës të na bënit me dije si kanë votuar të gjithë anëtarët e KLP-së?
Unë nuk e di ende si kanë votuar anëtarët e Këshillit. Ata kanë të drejtën ligjore të votojnë si e mendojnë ata. Jam në mëdyshje nëse duhet bërë publike mënyra se si ka votuar secili prej tyre. Mendoj që ka të mira dhe të këqija në publikimin e akteve individuale të votimit të anëtarëve.
Do donit ta zgjidhnit ju apo Parlamenti Kryeprokurorin dhe a do të bashkëpunojë KLP me Kryeprokurorin e ri, nëse Kuvendi nuk zgjedh Çelën?
Nuk është çështje dëshire, është çështje ligji dhe ligji parashikon që Kryeprokurorin e zgjedh Parlamenti. Ne do bashkëpunojmë po aq mirë me secilin kandidat që do të zgjedhë Kuvend. Nuk do të jetë e vështirë për ne të bashkëpunojmë me secilin, por mendoj që Kuvendi do të zgjedhë shembullin tonë, pasi jemi ne që bëjmë vlerësimin.