Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron 8 prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe shpall garën për kreu e saj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot mbledhjen plenare me rendin e ditës të publikuar paraprakisht në faqën zyrtare të Këshillit. Pika e parë e rendit të ditës ishte miratimi i projekt-akteve për emërimin e 8 (tetë) prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme, përkatësisht Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Çelami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho.

Mbledhja është zhvilluar në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë të EURALIUS, OPDAT si dhe vëzhgues të tjerë të akredituar. Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur zyrtarisht garën për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme e cila mbetet e hapur për shprehje interesin për një afat kohor prej 15 ditësh nga dita e sotme. Në emër të Komisionit të Posaçëm për Prokurorinë e Posaçme, relatoi z.Bujar Sheshi i cili paraqiti para Këshillit të gjithë ecurinë e procesit gjatë këtyre muajve.

Më datë 19 Dhjetor 2019, tetë prokurorë të emëruar në SPAK do të kryejnë betimin para Presidentit të Republikës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në faqën zyrtare të Kēshillit,sipas ligjint nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, neni 6, pika 2 për “Kufizimin e mandatit me ligj” thuhet se “Mandati fillon ditën kur bëhet ceremonia e betimit përpara Presidentit të Republikës. Data e betimit i njoftohet dhe Këshillit dhe përfshihet në dosjen personale”.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan lidhur me metodologjinë që do ndiqet për sa i përket përzgjedhjes së drejtuesit të SPAK, ku të gjithë anëtarët ranë dakord se do të jenë 7 kriteret mbi të cilat do të kryhet përzgjedhja si vijon: eksperienca në ndjekjen e çështjeve sensitive; eksperienca dhe aftësia në organizim dhe drejtim strukture; eksperienca në hartim të rregulloreve dhe çështjeve administrative; eksperienca në çështje me ndjeshmëri të lartë publike ku është dashur edhe bashkëpunimi me median; eksperienca në menaxhimin e burimeve njerëzore; vizioni dhe plani që do të ndjekin për krijimin e Prokurorisë së Posaçme; imazhi publik i kandidatëve.

Sipas kreut të Këshillit, Gent Ibrahimi, prokurorët e SPAK zgjidhen për një mandat 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi dhe për këtë arsye ai propozoi se çdo anëtar të votojë secilin kandidat për drejtues të SPAK duke shpjeguar pikezimin e tij për çdo kandidat, në një formular pikëzimi pas momentit që do të njihen me platformën konkurruese të secilit. Ai propozoi që zgjedhja e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme të kalojë nga Këshilli, jo vetem si vendimarrje nga Komisioni i Posaçëm në Këshill. Ky propozim është miratuar me 6 vota pro dhe 5 kundër (Beci, Bazaj, Cani, Sheshi, Staka). Me 8 vota pro dhe 3 vota kundër u vendos se intervista me kandidatët do të konsiderohet një mjet vleresimi plotësues, por nuk do të jete pjesë e pikëzimit të kandidatëve për drejtues të SPAK. Drejtuesi do të vleresohet me pikë në 7 kriteret e sipërcituara të paracaktuara në metologjinë e vlerësimit.

Gjithashtu, Këshilli ka vendosur që intervista me kandidatët për drejtues të SPAK të jetë një instrument i vlerësimit në tërësinë e figurës publike të kandidatëve përtej 7 kritereve të paracaktuara me ligj. Intervista nuk do të jetë pjesë e pikëzimit. Gjithashtu janë miratuar me 11 vota pro caktimi i përkohshëm në pozicionin e prokuroritë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, të znj.Irena Çunoti, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë; Caktimi i përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Për Krimet e Rënda Tiranë, të z.Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë; Caktimi i përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, të znj.Rozeta Qirjaqi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë; Caktimi i përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, të z.Julian Çafka, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.