Njoftim mbi kandidatët të cilët kanë shprehur interesin për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme

Sot ka përfunduar afati i aplikimit për pozicionin e Drejtuesit së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bazuar në njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të shpallur në faqen zyrtare të Këshillit, me datë 26 nëntor 2019 janë njoftuar të gjithë prokurorët e emëruar në Prokurorinë e Posaçme të shprehin interesin për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Afati i aplikimit është data 10 dhjetor 2019. Dorëzimi i kërkesës dhe dokumentacionit bëhet pranë zyrës së Protokollit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në adresën: Rruga “Qemal Stafa”, nr.1, pranë mjediseve të Prokurorisë së Përgjithshme, Tiranë. Në afatin e përcaktuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë , thirrjes për shprehje interesi i janë përgjigjur tre kandidatë, Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani.

Ata kanë dorëzuar pranë Këshillit letrën e motivimit, përmes së cilës kanë shprehur interesin për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, letrën mbështetëse (shpjeguese) për standardet 1,2,3,4,5,7 të parashikuara në metodologjinë e miratuar me vendim të KLP nr.237, datë 25.11.2019 (publikuar në faqen zyrtare të Këshillit) si dhe vizionin ose planin e besueshëm për ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv sipas standardit 6 të metodologjisë.