Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi sot transferimin e prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, si rezultat i shkrirjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të Prokurorisë së Posaçme. Menjëherë pas mbledhjes, kreu i Këshillit, z. Gent Ibrahimi përmes një interviste për median deklaroi se me datë 18.12.2019, ky Këshill do të zhvillojë seancën dëgjimore lidhur me përzgjedhjen e një prej 3 kandidatëve që kanë shprehur interes për postin e kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili.
Zoti Ibrahimi theksoi se intervistat me kandidatët për kreun e SPAK do të zhvillohen në të njëjtën procedurë që u zbatua për zgjedhjen e kryeprokurorit dhe përzgjedhja e tij do kalojë filtrin me 7 kritere, sa profesionale aq dhe morale.
Intervista
Z.Ibrahimi, kur është vendosur për të bërë intervistat me 3 kandidatët për kreun e SPAK?
“Me datë 18 dhjetor. Dosjet e tyre janë në këshill. Seancat dëgjimore do të zhvillohen me 18 dhjetor dhe do të jenë publike, besoj do të jetë njësoj si me prokurorët e përgjithshëm. Do t’i vlerësojmë këto kandidatë mbi 7 kritere. Ne kemi marrë një vendim në bllok për këta prokurore kanë shërbyer tek Krimet e Rënda. Me datën 19 do të fillojnë punë tetë prokurorët që kemi zgjedhur. Kur bëhet fjalë për ristrukturim nuk shohim kërkesat e prokurorëve, por nevojat e sistemit. Nevojat më të mëdha janë më shumë në Tiranë, por edhe në Durrës ka probleme. Problemet në Tiranë janë më të mëdha. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë ligjërisht si prokurori karriere. Jo të gjithë kanë shkuar në SPAK. Në datë 20 nuk do ketë as Gjykatë dhe as Prokurori të Krimeve të Rënda. Vendimet tona hyjnë në fuqi me datën 19″.
Zoti Ibrahimi, a është vendosur nëse seancat dëgjimore do të jenë publike apo të mbyllura?
“Seancat dëgjimore do të jenë publike. Besoj do të bëjmë një mbulim qëndror siç bëmë edhe me intervistat për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.”
Po në lidhje me metodologjinë e përdorur?
“Metodologjia faktikisht rrjedh nga rregullorja jonë e miratuar prej kohësh. Në bazë të kësaj rregulloreje metodologjia parashikon rreth 7 kritere. Ne do t’i vlerësojmë kandidatët përkundrejt këtyre 7 kritereve që kanë të bëjnë me aftësitë e tyre organizative, përfaqësive por edhe të hetimit.”
Zoti Ibrahimi, është shfaqur një foto në media me Kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda me një prej anëtarëve të KLP-së. Kemi të bëjmë me ndonjë shkelje në këtë mes?
“Mendoj që jo. Nuk ka ndonjë mister aq më tepër që zotëria në fjalë është prokuror, ata njihen, takohen… Sot nuk është marrë vendim personal për zonjën në fjalë, është marrë një vendim në kuadrin e një ristrukturimi që ka të bëjë me të gjithë zyrën. Nuk është marrë vendim personal për asnjërin nga prokurorët, por vendim në bllok për të sistemuar brenda sistemit këta prokurorë që dikur ishin pjesë e Krimeve të Rënda”.
Në lidhje me caktimet e përkohshme ka pasur pëlqime të prokurorëve dhe në lidhje me ngritjen e SPAK-ut, me 19 dhjetor do të ngrihet me 8 prokurorë apo do të komandoni 2?
“Caktimet e përkohshme nuk kërkojnë pëlqimet e prokurorëve, pasi mënyra e veprimit të Këshillit ka si interes primar sistemin. Ne e përdorim caktimin e përkohshëm si insturment për ta bërë sistemin funksional dhe jo për interesat individuale të prokurorëve. Në datën 19 dhjetor do të fillojnë punën ata 8 prokurorë që ne tashmë kemi emëruar. Struktura e Prokurorisë së Posaçme do të plotësohet në vijimësi përmes zbatimit të disa mekanizmave.
Pra,minimumi 10?
“Do të ketë më shumë se 10, ju siguroj për këtë, por mekanizmat përmes të cilave arrihet atje janë disa. Një është emërimi i këtyre 8 prokurorëve, ku shpresojmë së shpejti edhe i të tjerëve që janë në faza të ndryshme të Vetting-ut, transferimi i disa prokurorëve të tjerë që mund ta vërë në përdorim drejtuesi i SPAK-ut, si dhe negociata midis SPAK si organ kushtetues dhe Kuvendit, për organikën dhe strukturën.”
Përse nuk u caktuan këta prokurorë në vendet ku kishin emërimet e mëparshme si psh, Donika Prela në Durrës apo edhe Anton Martini në Shkodër?
“ Është një pyetje legjitime, por përgjigja e parë është ajo që thashë; kur bëhet fjalë për ristrukturim ne neglizhojmë kërkesat për ambiciet personale të prokurorëve dhe e shohim çështjen nga nevojat e sistemit dhe të shoqërisë. Arsyeja e dytë, e cila është edhe e nënvetëdijshme, është fakti që këta prokurorë kanë shërbyer si prokurorë karriere dhe prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë dhe është akoma sipas sistemit të vjetër që ekziston në Shqipëri, një prokurori karriere ndaj jemi përpara vështirësisë që prokurorë të cilët kanë qenë prokurorë karriere do të duhet ti trajtojmë në një mënyrë që s’i përgjigjet statusit të tyre të karrierës dhe zgjidhja që bëmë e ka parasysh edhe këtë ndonëse nuk është ky qëllimi kryesor. Qëllimi kryesor është ti pozicionojmë këta prokurorë aty ku janë nevojat më të mëdha dhe në Tiranë janë nevojat më të mëdha sa i takon numrit të çështjeve dhe vështirësisë së tyre.
Nga ana tjetër edhe Durrësi ka nevoja zoti Ibrahimi?
“Patjetër edhe Durrësi. Edhe problematikat e Durrësit janë adresuar dhe do të adresohen në vijimësi nga Këshilli, por pavarësisht kësaj në Tiranë ka më shumë vështirësi.”
Zoti Ibrahimi, në datën 19 bëhet betimi, pra në datën 20 Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk do të funksionojë më?
“Po është e saktë. Në datën 20 dhjetor 2019, nuk do të ketë më Prokurori të Krimeve të Rënda as Gjykatë të Krimeve të Rënda. Ne jemi koordinuar edhe me Presidentit e Republikës edhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor që në atë datë, institucionet në nivel prokurorial të jenë në efiçencë të plotë.”
A është marrë parasysh çështja që shumë dosje janë në fazë pretence dhe mund të sjellë problem për disa të burgosur apo dënuar?
“Kjo është arsyeja përse ne e keni bërë me afat, pra vendimet tona hyjnë në fuqi më datë 19.12.2019 dhe kjo periudhë është një periudhë pune intensive që i shërben shumë gjërave, identifikimit të dosjeve, inventarizimit të tyre, përcaktimin e rregullave për transferimin e dosjeve nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Posaçme, miratimi i rregullave për transferimin e nënpunësve civil, të oficerëve të policisë gjyqësore, pra një mori çështjesh. Të gjitha janë në adresim tani dhe do të jenë të gjitha gati në datë 19 dhjetor.”
Zoti Ibrahimi, ndalemi pak dosja “Tërmeti Tiranë-Durrës-Krujë’. Keni ndonjë komunikim ju me këto institucione, a ju kanë shprehur nevojë për bashkëpunim për ekspertë, buxhet apo mbështetje materiale të një hetimi që kërkon shumë energji por nga ana tjetër edhe prezenca e Kryeprokurorit atje ka bërë që qytetarët të presin një përgjigje por që ende nuk ka një person përgjegjës edhe pse tërmeti ka mbi 10 ditë që ka shkaktuar edhe viktima?
“Do ju duhet të mësoheni me ndarjet e reja dhe të përgjegjësive të prokurorisë. Ky Këshill është shumë distant me rastin konkret. Ato janë kompetencat e Kryeprokurorit. Në thelb Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një zyrë e kuadrit që menaxhon karrierat e prokurorëve.”
Zoti Ibrahimi, në lidhje me foton ku Donika Prela shfaqet me një nga anëtarët e KLP-së, a do të ishte etike nga ana e zotit Stakaj të jepte dorëheqjen nga votimi për të dhe a është njoftuar KLP për një çështje të pushuar për anëtarin Tartar Bazaj nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me dekriminalizimin?
“Jo, tani e marr vesh prej jush që çështja e dekriminalizimi në adresë të zotit Bazaj është pushuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Sa i takon konfliktit të supozuar mes zotit Stakaj dhe zonjës Prela, ju përgjigja një herë kësaj pyetjeje. Ne sot nuk kemi marrë një vendim individual ndaj znj. Prela pavarësisht se ajo është akomoduar të ushtrojë profesionin e saj pranë Prokurorisë së Tiranës, ne e konsiderojmë vendimin e sotëm si një vendim të përgjithshëm ristrukturimi që vjen si pasojë e pushimit të funksionimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.” https://www.youtube.com/watch?v=wUeSsQ4Y190&feature=emb_title&fbclid=IwAR1hqaHIfQrR0m5z_SSvSDNibYHsjdUxsl9xiNnjGUE_erzUXKnHLS5qzKs