Vendimet e marra në seancën plenare të datës 12 dhjetor 2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur sot më 12.12.2019, mbledhjen plenare me praninë e të gjithë anëtareve dhe prezencën e përfaqësueseve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT, si dhe vëzhgues tё tjerë tё akredituar.

Sipas rendit të ditës, janë marrë vendimet për emërimin e prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme. Këshilli vendosi me 11 vota pro transferimin e prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, si rezultat i shkrirjes së kësaj prokurorie, në prokurori të tjera të juridiksionit të përgjithshëm, si vijon; Arens Çela, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj, Doloreza Musabelliu, Elisabeta Imeraj, Manjola Kajana, Vladimir Mara, Sonila Muhametaj dhe Pranvera Pustina transferohen në Prokurorinë e Shkallës së Parë, Tiranë. Prokurori Artan Bajrami transferohet në Prokurorinë e Apelit Tiranë ndërsa z. Përparim Kulluri transferohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër dhe Eugen Beçi transferohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë Korçë. Vendimi i miratuar hyn në fuqi më datë 19.12.2019.

Pika e dytë të rendit të ditës, për ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorët që ushtrojnë detyrën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të krijimit të Prokurorisë së Posaçme dhe caktimet e reja të përkohshme të tyre, Këshilli vendosi me 11 vota pro, caktimin e përkohshëm të prokurorëve Anton Martini, Isa Jata dhe Dritan Prenci, në Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë, ndërkohë që për prokuroren Donika Prela transferimi i saj në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Tiranë, u votua me 10 vota pro dhe 1 kundër nga nënkryetari, z. Alfred Balla. Caktimi i përkohshëm hyn në fuqi më 19.12.2019 deri më 18.03.2020.

Në vijim Këshilli miratoi ndërprerjen e caktimit të përkohshëm të prokurores Enkeleda Millonai si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për shkak të emërimit të saj si prokurore në Prokurorinë e Posaçme.

Miratohet gjithashtu me 11 vota pro, projekt-akti pёr caktimin e përkohshëm për një periudhë kohore 3 mujore, tё prokurores Arta Markusi prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Me propozim të kryetarit të KLP-së, z.Gent Ibrahimi, ky projekt-akt u miratua me ndryshimin e pikës së fundit, ku u caktua që projekt-akti të hyjë në fuqi më datë 1 janar 2020.

Gjithashtu, sipas rendit të ditës janë miratuar me 11 vota pro edhe projekt-aktet e vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorin, Pelivan Malaj dhe ndërprerjen e caktimit të përkohshëm të prokurores Alketa Zifla si Drejtoreshë Kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kthimin e saj si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Këshilli miratoi gjithashtu edhe kërkesat për veprimtari jashtë funksionit (mësimdhënie) të prokurorëve z. Kreshnik Ajazi, znj. Ermira Tafani , znj. Enkeleda Millonai dhe z.Adnan Xholi.