Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e rradhës plenare me prezencën e përfaqësuesëve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPTAD si dhe vёzhgues tё tjerё tё akredituar.
Këshilli ka nisur mbledhjen plenare me miratimin e pikës së parë të rendit të ditës, sa i përket deklarimit dhe dorëzimit të deklaratave nga ana e anëtarëve të KLP-së, lidhur me pengesat ligjore dhe konfliktin e interesave në kuadër të procesit të vendimmarrjes për Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Zoti Arben Kraja paraqiti pranë KLP-së një kërkesë për përjashtimin e anëtarit Tartar Bazaj nga votimi për drejtues SPAK për konflikt interesi, e cila u rrëzua me 9 vota kundër.
Më shumicë votash KLP ka miratuar projekt -vendimin “Për emërimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, pasi shpjegoi metodologjinë me të cilën do të votohet për zgjedhjen e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, sipas nenit 148/dh pika 3 e Kushtetutës, shpalli të hapur votimin për secilin kandidat sipas rendit alfabetik.
Sipas votimit të bërë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i pari në listë është renditur kandidati Arben Kraja me 6 vota, ndjekur nga Altin Dumani me 4 vota dhe Ervin Kondili me 1 votë.
Në vijim të mbledhjes, është miratuar me 11 vota pro, projekt-akti “Për caktimin e përkohshëm të z. Rifat Kojku në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër” nga sot, 19.12.2019 deri më 18 Mars 2019.
Pas një sërë diskutimesh, Këshilli vendosi të shtyjë për seancën e rradhës, miratimin e projekt-aktit “Për caktimin e përkohshëm të drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan”.
Gjithashtu, janë miratuar me unanimitet pika 6 dhe e 7 e rendit të ditës, lidhur me “Rregullat për transferimin e personelit administrativ të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në Prokurorinë e Posaçme si dhe projekt-vendimi “Për plotësimin e pozicionit të Drejtorit të Kabinetit të Prokurorit të Përgjithëm, pozicionit të Drejtorit të Drejtorisë të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pozicionit të specialistit/ ndihmës-magjistratit në Drejtorinë e Studimeve, Inspektimit dhe Çështjeve të tjera Ligjore përmes procedurës së komandimit të prokurorëvë”. Shprehja e interesit do të botohet në faqen zyrtare të KLP-së dhe do të jetë e hapur për një afat kohor prej 15 ditësh.
Komisioni i Karrierës pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, propozoi zgjatjen e afatit të komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Shkallës së Parë Mat, z. Abaz Muça, i miratuar me 11 vota pro.