Këshilli i Lartë i Prokurorisë prezanton zyrtarisht kreun e Prokurorisë së Posaçme

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka prezantuar ditën e sotme kreun e Prokurorisë së Posaçme, zotin Arben Kraja. Kryetari z. Gent Ibrahimi prezantoi drejtuesin e SPAK, në ambientet e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në prezencën e kryeprokurorit Olsian Çela, kryetarëve të komisioneve të këtij Këshilli si dhe ish-drejtuesen e Krimeve të Rënda, zonjën Donika Prela.

Në fjalën e tij përshëndetëse kreu i KLP-së theksoi se nga sot nis një proces i ri në kuadër të Reformës në Drejtësi.

“Është bukur që po përtojmë një stinë nisjesh, e inaugurimit. Sot bëjmë një mbyllje të procesit dhe hapim një tjetër. Sot mbyllet një derë, hapet një tjetër. Ne kemi ndjerë peshën e punës. Tashmë këto institucione janë të krijuara. Tashmë presim që dritat e skenës të zhvendosen atje ku duhet të jenë. Do të japim kontributin tonë për reformën në drejtësi. Jam i lumtur që gjatë një procesi të gjatë, transparent, kemi SPAK-un. SPAK është akronim që ndoshta dhe fëmijët e kanë mësuar. Jam optimist që ky akronim do të japë kontributin. Jam i lumtur që të prezantoj zotin Kraja në këtë detyrë. Falënderoj zonjën Prela për kontributin e saj. Tashmë gjithçka është në vendin e vet. Zoti Kraja është në krye të detyrës. Të gjithë mund të shkojnë të festojnë të qetë festat dhe të nisim nga puna vitin e ri.”, – tha zoti Ibrahimi.

Kryetari i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se në këtë institucion do të krijojë një skuadër të fortë në bashkëpunim edhe me prokurorët e tjerë.

“Dy fjalë shkurt se nuk dua ta zgjasë. Kemi shumë punë për të bërë. Falënderoj KLP për këtë proces transparent. Unë thash edhe dje, i falënderoj ata që votuan për mua dhe ata që votuan për kandidatët e tjerë. Do të bëjmë një skuadër të fortë dhe do ta drejtojë me kompetencë. Koha është për punë, nuk kemi shumë llafe. Dhe do fillojmë nga puna.”, – tha zoti Kraja.