Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e radhës plenare. Mbledhja u zhvillua në mungesë të anëtarit Arben Dollapaj dhe në praninë e përfaqësueseve ndërkombëtarë, përfaqësueseve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT, si dhe vëzhgues tё tjerë tё akredituar.
Sipas agjendës së publikuar paraprakisht nga Këshilli, për drejtues të Prokurorisë së Shkallës së Parë Kukës, Komisioni i Karrierës solli edhe 3 propozime për emrin si; Edmond Kariqi, Fahrije Vata dhe Rita Gjati. Me 6 vota pro Këshilli voton prokuroren Rita Gjati (Tartar Bazaj, Alfred Balla, Nurihan Seiti, Besnik Cani, Esmeralda Cami dhe Kostaq Beluri) si Drejtuese e Prokurorisë pranë Shkallës së Parë Kukës, me caktim të përkohshëm 3 mujor.
Miratohet me 6 vota pro (Gent Ibrahimi, Nurihan Seiti, Alfred Balla dhe Besnik Cani) projekt-akti “Për caktimin e përkohshëm të Kreshnik Ajazi në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan”.
Gjithashtu, është miratuar me 10 vota pro, Violeta Shkurta në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë Fier dhe Arben Dyla në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë Lushnje.
Pas një sërë diskutimesh, është miratuar me 9 vota pro (dhe 1 votë kundër, ajo e Besnik Canit), projekt-akti për caktimin e përkohshëm të prokurorit Françesk Ganaj, si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë.
Diskutime të shumta ka pasur edhe miratimi i projekt-akteve për miratimin e përkohshëm për prokuroret që do të dërgohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ku u miratua me 9 vota pro, (dhe 1 kundër ajo e zonjës Esmeralda Cami), projekt-akti për caktimin e përkohshëm të prokurores Alma Bramo në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
Nga ana tjetër, 8 anëtare të Këshillit votuan sot për tërheqjen e relacionit të Komisionit të Karrierës për emërimin e përkohshëm të prokurores Suela Belulit në Prokurorinë e Durrësit. Ky vendim pati kundër vetëm votat e zonjës Esmeralda Cami dhe zotit Sandër Beci ndërsa anëtari Bujar Sheshi mungonte në sallë në momentin e votimit.
Në vijim, Këshilli ka miratuar me shumicë votash vendimin “Për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për znj.Marjana Shtjefni, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Shkodër, për shkak të dorëheqjes”.
Gjatë mbledhjes është votuar sipas rendit të ditës edhe për çështjen e miratimit të projekt-aktit të vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorët Anisa Qilimi, Ludovik Doda, Spartak Çoçoli dhe Natasha Shallapi (Prifti).
Pas diskutimeve të shumta u miratuan me shumicë votash të 4 rastet sipas radhës, më saktësisht me nga 9 vota, në mungesë të zotit Arben Dollapaj dhe Vatë Stakaj.
Në përfundim, Këshilli ka diskutuar lidhur me shkresën e mbërritur më datë 23.12.2019 nga kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja, sa i përket transferimit të përkohshëm të 2 prokurorëve, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Këshillit i kërkohet dhënja e pëlqimit për këtë kërkesë sipas nenin 46 te ligjit 96/2016. Pas konsultimeve, Këshilli vendosi me 10 vota pro, të fusë në rendin e ditës kërkesën e kreu të SPAK. Ndërkohë, me 9 vota pro (dhe 1 votë kundër nga zonja Nurihan Seiti) u miratua kërkesa e drejtuesit të SPAK, zotit Arben Kraja për transferimin e përkohshëm të prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.
Në përfundim , Këshilli vendosi që ditën e nesërme të publikojë edhe një qëndrim zyrtar lidhur me akuzat e ditëve të fundit sa i përket përzgjedhjes së kryetarit të Prokurorisë së Posaçme, akuza të cilat kanë ardhur jo vetëm nga media por edhe nga opozita e që kanë pasur dukshëm qëllime institucionale.