VENDIME TË MARRA NË SEANCËN PLENARE, 15.01.2020

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme seancën e parë plenare për vitin 2020. Mbledhja është zhvilluar në praninë të gjithë anëtarët e Këshillit me përjashtim të znj. Esmeralda Keshi, e cila mungoi për arsye shëndetësore. Seanca u zhvillua në prezencën e përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vëzhgues tё tjerë tё akredituar.

Sipas rendit të ditës të publikuar paraprakisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në faqen zyrtare, mbështetur në nenin 29 të Ligjit Nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe në nenin 183, të Ligjit Nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 9 vota pro dhe 1 kundër (Tartar Bazaj), numrin maksimal të kandidatëve për prokurorë që do të pranohen në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021, i cili është 35 (tridhjetë e pesë).

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbështetur nё nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 59 pika 1 dhe 4, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe neneve 164/8, 166/2, 189/1/a të Ligjit 115 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, miratoi unanimisht me 10 vota pro, vazhdimin e caktimit të përkohshëm të z. Gjon Fusha, si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër, për periudhën 16.01.2020 deri më 15.04.2020.  

Në vijim, Këshilli diskutoi lidhur me pikën e tretë të rendit të ditës, mbi prezantimin e opinioneve për kandidatët të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar në tre pozicione në Prokurorinë e Përgjithshme, opinion të përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbështetur në nenet 53, 54, 56 dhe 58 të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me datë 19.12.2019 ka shpallur hapjen e procedurës për paraqitjen e kërkesës nga kandidaturat që vijnë nga radhët e prokurorëve, për t’u komanduar, me pëlqimin e tyre. Këshilli miratoi me 9 vota pro dhe 1 kundër (Tartar Bazaj), propozimin e Komisionit të Karrierës për vijimin e procedurave të komandimit për kandidatët prokurorë znj. Pranvera Pustina, znj. Ols Dado dhe znj. Arens Çela si dhe përjashtimin nga kandidimi të prokurorit znj. Olgert Rumnici, për shkak se komandimi i tij do të ndikonte veprimtarinë normale të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat. Në mbledhjen e ardhshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi se do të marrë vendimin përfundimtar për këto 3 kandidatura të paraqitura.

Në përmbyllje të agjendës, në mbështetje të nenit 24 të Ligjit Nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, nenit 189/1/a të Ligjit Nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” i ndryshuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale për prokuroren znj. Esmeralda Ndoci, miratoi me 8 vota pro dhe 2 kundër (Gent Ibrahimi dhe Tartar Bazaj), kërkesën për lejen e papaguar për arsye familjare, të znj. Esmeralda Ndoci, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për një periudhë 24 mujore.