Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur sot seancën plenare të radhës, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve dhe në mungesë të z. Besnik Canit, i cili nuk u paraqit për arsye personale. Të pranishëm në këtë mbledhje kanë qenë edhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vёzhgues tё tjerë tё akredituar.
Sipas rendit të ditës dhe pikës së parë të parashikuar në agjendën e publikuar paraprakisht, Këshilli , pasi u njoh me dorëheqjen e znj. Rudina Shermadhi, me detyrë Kancelare në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, paraqitur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nëpërmjet kërkesës së regjistruar me nr. 60. Prot. datë 13.01.2020, mbështetur nё nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 100 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, nenin 64 të ligjit “ Për nëpunësin civil” i ndryshuar” si dhe neneve 164/8, 166/2, 189/1/a të Ligjit 115 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, miratoi unanimisht me 10 vota pro, ndërprerjen e marrëdhënies në shërbimin civil të prokurorisë të znj. Rudina Shermadhi.
Mbështetur nё nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 53, 54, të Ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe neneve 164/8, 166/2, 189/1/a të Ligjit 115 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, me propozim të Komisionit Për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi me 10 vota pro komandimin e znj. Pranvera Pustina, z. Ols Dado dhe Arens Çela, prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si ndihmës-magjistratë pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu, Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale paraqiti projekt-aktet për miratimin e relacioneve për verifikimin e pasurisë, figurës dhe integritetit si dhe kushteve të tjera ligjore të kandidatëve për t’u emëruar magjistrat në profilin prokuror, për 10 magjistratët e rinj të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2018-2019. Pasi u njoh me projekt-aktet, Këshilli votoi me 9 vota pro dhe 1 kundër (z. Tartar Bazaj), miratimin e relacionit për secilin kandidat, sipas tekstit bashkëlidhur duke lejuar kandidimin e secilit prej tyre, sipas listës emërore të paraqitur nga relatorët e komisionit: Adnan Hoxha, Alba Dhima, Aurora Hajro, Ermira Manelli, Florian Boriçi, Gjergji Ceka, Ledion Tema, Gëzim Spahiu, Pierind Çukaj dhe Xhoana Mehmetaj.
Në përputhje me nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenet 35/3 dhe 39/1 të Ligjit “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe neneve 164/8, 166/2, 189/1/b të Ligjit “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, me propozim të Komisionit Për Zhvillimin e Karrierës, pas shqyrtimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe integritetit profesional, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 10 vota pro, projekt-aktin për shpalljen e vendeve vakante për emërimin e 10 magjistratëve prokuror, si vijon: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, 2 vende; Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, 2 vende; Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, 1vend; Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë, 1 vend; Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, 1 vend; Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, 1 vend; Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, 1 vend dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, 1 vend.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë fton magjistratët e profilit prokuror të diplomuar në vitin akademik 2018-2019 të paraqesin një kërkesë me shkrim ku të tregojnë parapëlqimin e tyre për 3 prej vendeve të përmendura më lart, sipas radhës së pëlqimit, jo më vonë se 2 javë kalendarike nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.