Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi në Konferencën Rajonale “Hetimi financiar i korrupsionit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë”

Gent Ibrahimi: Duhet të hetohen zyrtarët e lartë, jo çështje banale.

Sot paradite është zhvilluar Konferenca Rajonale me temë “Hetimi financiar i korrupsionit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë”. Konferenca realizohet në kuadër të Programit Rajonal Matra të Sundimit të Ligjit (Matra Regional Rule of Law Program), Qendra ALTRI në partneritet me Transparency International Macedonia dhe Institutin Demokratik të Kosovës po zbaton iniciativën “Forcimi i kapaciteteve për hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë” me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është forcimi i kapaciteteve të institucioneve publike të angazhuara në hetimin penal dhe administrativ të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave midis këtyre vendeve.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve të angazhuara në hetimin penal dhe administrativ të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë dhe tematika e diskutimeve trajtohet nga ekspertë dhe prokurorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me eksperiencë të gjatë dhe të pasur në këtë fushë, të cilët do të sjellin eksperiencën e vendeve të tyre.  

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ngriti shqetësimin për gamën e gjerë të veprave penale në fushën e korrupsionit, të cilat sipas tij nuk duhet të ishin në juridiksionin e SPAK. Ibrahimi tha se nëse duhen rezultate pozitive në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme të reduktohet dhe të përqendrohet tek ata zyrtarë që kanë peshë.

Një çështje me rëndësi jetike në suksesin apo dështimin e hetimit të korrupsionit është zgjedhja që bën legjislatori në lidhje me juridiksionin e prokurorisë së posaçme, me fjalë të tjera zgjedhja e portofolit të veprave penale që hetohen nga kjo zyrë prokurorie apo nga një zyrë tjetër prokurorie, në rastin tonë është fjala për portofolin e SPAK.

Po ta krahasosh sferën e çështjeve penale që heton sot SPAK në krahasim me atë sferë që hetonte Prokuroria e Krimeve të Rënde, është evidente një ngushtim dhe përqendrim tek ato vepra penale që janë të rëndësishme, krimi i organizuar dhe korrupsioni.  Kam një pikëpyetje për këtë të dytën, që jam i bindur që do dëgjojmë për të gjithmonë e më shpesh në të ardhmen nëse zgjedhja që është bërë për juridiksionin e SPAK sa i takon korrupsionit është apo nuk është më e mira. Fakti është që prokuroria jonë e posaçme do të jetë e detyruar të hetojë edhe çështjen më banale të korrupsionit në periferitë e këtij vendi, krahas çështjeve të rëndësishme të korrupsionit që përfshijnë liderin e lartë të administratës dhe të politikës. Kjo ndoshta me kalimin e kohës do të vërtetojë që nuk ishte zgjedhje e mirë.  Është vërtetë jetike që zgjedhja, vendimet në lidhje me juridiksionin të jenë të tilla që të mundësojnë rezultatet që ne i presim. Në rast se presim rezultate në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme në këtë aspekt të jetë më i reduktuar dhe të jetë i orientuar atyre funksionarëve që kanë peshë.

Institucionet e drejtësisë në Shqipëri pavarësisht sforcimit që është bërë në reformën në drejtësi vazhdojnë të nën financohen në mënyrë dramatike. Të gjithë ne, KLP, SPAK jemi të nën financuar në mënyrë dramatike. Kuptohet që nuk mund të ketë rezultate pa mbështetjen e nevojshme financiare. Është një aspekt i rëndësishëm i qeverisjes së sistemit dhe aspekti tjetër është menaxhimi i burimeve njerëzore dhe resurseve materiale. Në rastin e prokurorisë në Shqipëri ka një ndarje ishullore. Është thelbësore që publiku të kuptojë që këto struktura, kanë dhënë apo jo rezultate, pra është fjala për përgjegjshmërinë e organeve. Ka zhvillime pozitive në këtë pikë. Vetë përzgjedhja që ka qenë një proces që për nga interesi mund të krahasohet vetëm me telenovelat më të suksesshme, mendoj që është hapi i parë drejt garantimit të transparencës dhe ruajtjes së vëmendjes së publikut mbi këtë institucion”.

Në fjalën e saj, Ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri, Guusje Korthals Altes gjatë konferencës për hetimin financiar tha se në thelb të korrupsionit është keqpërdorimi i pushtetit për përfitime private. Duke vlerësuar hapat që vendi po ndërmerr, ambasadorja tha se Holanda mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Nëse korrupsioni është sëmundje, atëherë një pjesë e trajtimit të saj është transparenca. A është korrupsioni një sëmundje dhe pse duhet ta luftojmë? Arsyeja pse korrupsioni quhet sëmundje është sepse askush nuk është imun ndaj tij. Kohët e fundit është treguar se ka shumë vende dhe njerëz që janë të përfshirë në çështje të korrupsionit. Kur flasim për korrupsionin e kemi fjalën keqpërdorimin e pushtetit për përfitime private. Në thelb do të thotë të prishësh, të shkatërrosh. Në Shqipëri ka hapësirë për disa fjalë shprese, kemi parë hapa të rëndësishëm. Shqipëria ka punuar shumë fort. Një ndër hapat është procesi i Vetting-ut dhe reforma në drejtësi që vazhdon. Shqipëria ka ngritur një kuadër ligjor për të luftuar korrupsionin. Të gjitha këto hapa që Shqipëria por edhe vendet e rajonit po i ndërmarrin i sjellin më pranë rrugës drejt BE. Perspektiva e Holandës është gjithëpërfshirëse, pra mbështet edhe Shqipërinë. Më bëhet qejfi që ka dy struktura që luftojnë korrupsionin, kanë shumë punë mbi shpatulla, por do të kenë mbështetje”.

I ftuar në konferencën rajonale, drejtuesi i SPAK, Arben Kraja nënvizoi vështirësitë që ka hetimi i zyrtarëve të lartë dhe në këtë betejë duhet të jenë të gjithë bashkë.

“Të hetosh dhe ushtrosh ndjekje penale ndaj zyrtarëve të lartë padyshim që ka vështirësi. Janë njerëz të fuqishëm me pushtet, që ndodhen direkt me situata penale nga më të ndryshmet. Kërkon vendosmëri, profesionalizëm dhe objektivitet. Në kuadër të kësaj sigurisht do kesh dhe suksesin. Aktualisht Prokuroria e Posaçme ka 8 të emëruar dhe dy të caktuar përkohësisht. Kemi nisur hetimet duke u fokusuar në çështje më të rëndësishme. Kemi rivendosur kontaktet me partnerët ndërkombëtarë për çështje që vazhdojnë të hetohen. Janë disa hetime të përbashkëta që bëhen për llogari të autoritete e huaja. Ndërkohë kemi miratuar paketën e plotë të akteve nënligjore për zgjedhjen e drejtorit dhe anëtarëve të Byrosë së Hetimit. Ne aktualisht kemi prokurorë por nuk kemi hetuesit. Kanë nisur aplikimet dhe shpresojmë që deri më datën 30 janar të kemi një numër sa më të madh kandidatësh që më pas të mund të zgjedhim më të mirin dhe profesionistin. Duhet të kesh bazë ligjore të mirë, strukturë dhe vullnet për të arritur. Ne i kemi. Por për të pasur rezultate duhet pak kohë. E rëndësishme është që jemi në rrugë të mirë. Për të pasur sukses duhet të jemi të gjithë bashkë. Duhen hequr barrierat kush e ka apo kush nuk e ka përgjegjësinë.  Duhet të jemi në front të gjithë në luftën kundër krimit përndryshe nuk do të kemi sukses. Dështimi dhe suksesi duhet të jetë i të gjithëve bashkë”.