Ditën e sotme është mbajtur mbledhja e 44-të e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Seanca u zhvillua në ambientet e KLGJ-së, me praninë e 11 anëtarëve dhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vёzhgues tё tjerë tё akredituar. Mbledhja nisi me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 15.01.2020 dhe prezantimin e rendit të ditës.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbështetur nё nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 59 pika 1 dhe 4, të Ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe neneve 164/8, 166/2, 189/1/a të Ligjit “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, me propozim të Komisionit Për Zhvillimin e Karrierës, miratoi me 11 vota pro, caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, z. Albert Murçaj.
Këshilli miratoi unanimisht caktimin e përkohshëm të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, z. Brahim Dragjoshi, z. Lorenc Mërkuri, Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, z. Erion Çela, Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, z. Ludovik Doda, Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, z. Asllan Bajramaj, Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet.
Gjithashtu, me 11 vota pro u miratuan edhe caktimet e përkohshme të z. Lazër Çardaku në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër dhe znj. Afërdita Ndoi, në pozicionin e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Këshilli vendosi me 7 vota pro dhe 4 kundër (Besnik Cani, Tartar Bazaj, Gent Ibrahimi dhe Alfred Balla), caktimin e përkohshëm të z.Ylli Pjetërnikaj, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Tiranë.

Në përputhje me nenin 6 dhe 7 të Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, nenit 159 të ligjit “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar si dhe ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Rregulloren “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, miratuar me vendim nr. 51, datë 19.03.2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 2 (dy) vendeve vakante për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Njoftimi i vendeve vakante dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, do të publikohen në faqen zyrtare të Këshillit.