Vendime të marra në seancën plenare, 31 Janar 2020

Është mbajtur gjatë paradites së sotme, mbledhja e 45-të e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në praninë e përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vёzhguesë tё tjerë tё akredituar. Seanca e sotme është përshëndetur edhe nga kreu i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, z. Artur Metani.

Këshilli ka vendosur të shtojë në rendin e ditës, të dakortësuar dhe publikuar paraprakisht dy çështje të tjera, kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, z. Artur Metani për nisjen e procedurave për komandimin e një magjistrati në profilin prokuror pranë zyrës së ILD-së, për një afat kohor prej 5 vitesh si dhe kërkesën e prokurorit z. Agim Dilka, për dorëheqje nga funksioni, kërkesë kjo e propozuar rishtazi nga Komisioni i Vlerësimit Etik dhe Profesional. Këshilli ka miratuar me shumicë votash të dy kërkesat.

Këshilli ka vijuar me miratimin e pikave të tjera të rendit të ditës. Bazuar nё nenin 148/dh të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 48/1, 163/2, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nenin 4, nenin 12 të Ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pasi ka verifikuar plotësimin e të gjitha kushteve dhe kritereve të parashikuar në ligjin nr.95/2016 dhe në referencë të vendimit të tij, nr.137 datë 16.07.2019 “Për miratimin e listës me renditjen e kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme”, vendosi miratimin e emërimit si prokurore në Prokurorinë e Posaçme, znj. Doloreza Musabelliu për një mandat 9 (nëntë) vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Gjithashtu, bazuar në nenin 189, pika 1, germa “a” të Ligjit Nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”; nenit 32, pika 7 të Ligjit Nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi miratimin e listës pjesore të kandidatëve të pranuar në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës për periudhën 2019- 2022 si vijon; znj. Armida Kaçi, znj. Griselda Haxhiaj si dhe z. Leonard Suçi. Ky vendim u njoftohet kandidatëve të sipërpërmendur dhe Shkollës së magjistraturës.