Intervista e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi për Tema TV

Në kushtet kur një numër i madh dosjesh, për shkak të shkrirjes së prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë kaluar në rrethe, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi në një intervistë për TVT-në, thotë se komandimet e përkohshme janë mekanizmi i vetëm që ka në dorë KLP, për plotësimin e organikës në institucionin e akuzës së rretheve.

Tema TV: Me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda shumë dosje kanë kaluar për kompetencë në prokuroritë e rretheve, ndërkohë që procesi i Vetting-ut nga ana tjetër ka krijuar vakanca të tepërta në prokurori. Si do të bëhet i mundur plotësimi i këtyre vakancave?

Gent Ibrahimi, Kryetar i KLP-së: “Është detyra jonë, e Këshillit, që ta zbusim këtë problematikë, aq sa është e mundur. Ne kemi disa mjete në dispozicion. Disa prej këtyre mjeteve, në fakt, i përdorim edhe sot: janë caktimet e përkohshme të prokurorëve në ato pozicione që kanë mbetur vakante dhe që nuk mund të mbeten të tilla, siç janë për shembull, pozicionet e drejtuesve të zyrave. Pa një drejtues, zyra nuk mund të funksionojë administrativisht. Ne kemi qenë të detyruar që t’i plotësojmë ato vakanca përmes një mekanizmi që ne e quajmë caktim i përkohshëm. Afatet tremujore të caktimit të përkohshëm të drejtuesve të shumë prej zyrave kanë përfunduar.”

Tema TV: A mund të çojë kjo në mbylljen e disa prokurorive, flas këtu p.sh në prokurorinë e Matit është vetëm drejtuesi, që është miratuar së fundmi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, prokuroria e Kavajës etj?

Gent Ibrahimi, Kryetar i KLP-së: “Sidoqoftë ky është një vendim që nuk i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Është Prokurori i Përgjithshëm, i cili pasi shikon këtë situatë të ngarkesës së punës në zyrat e prokurorisë së Republikës, qoftë në kushtet aktuale, qoftë duke iu referuar dhe numrit që parashikon organika për secilën zyrë prokurorie. Mbyllja apo çelja e një zyre prokurorie, në fakt janë vendime që për ne janë të prejardhura, janë vendime që i merr Këshilli i Lartë Gjyqësor, për Gjykatat. Dhe pasi ata vendosin për gjykatat, Prokuroria organizohet në funksion të gjykatave.”

Tema TV: A është SPAK i gatshëm të hetojë brenda korniza juridiksionale që i njeh ligji?

Gent Ibrahimi, Kryetar i KLP-së: Vendimi që është marrë për juridiksionin e SPAK-ut dhe fushën e veprimit të tij, i cili parashikon që veprat e korrupsionit, të çfarëdo lloji qofshin ato, do të duhet të hetohen nga SPAK. A është apo s’është ky vendimi i duhur? Do të duhet të shikohet, pasi ky është një dyshim intelektual, pasi praktika ende nuk ka treguar asgjë. Përveç këtij dyshimi që mua më lindi, por që me çfarë kam parë e kanë edhe të tjerë, besoj që në përgjithësi kushtet për suksesin e SPAK-ut ekzistojnë dhe janë të forta. Kushte të natyrës administrative apo edhe financiare. Pra, a ka SPAK, mbështetjen e nevojshme, administrative, financiare apo edhe policore, e kam fjalën kryesisht këtu për BKH-në, si dhe kushte që kanë të bëjnë pastaj me situatën e përgjithshme shoqërore dhe politike.

Tema TV: Duke parë edhe shembullin e prokurorive në rajon, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kosova ka akt-akuza për zyrtarë të lartë, që është edhe kompetencë lëndore e SPAK, Prokurorisë Speciale në vendin tonë, po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut që dështoi me Prokurorinë Speciale.  Çfarë garancish kemi ne për SPAK-un, për të hetuar zyrtarët e lartë, duke qenë se ndikimi politik, ndikimi i krimit dhe korrupsionit është shumë i lartë?

Gent Ibrahimi, Kryetar i KLP-së: Unë mund të them një gjë, e cila është pozitive. Kur është konceptuar SPAK-u jonë, eksperiencat e Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë apo edhe Rumanisë, kanë qenë të gjitha anë tryezë. Kështu vendimet që janë marrë, janë marrë duke pasur parasysh edhe dobësitë relative, apo edhe avantazhet relative, që paraqesin këto modele. Kështu që, kushtet për suksesin e SPAK-ut tonë ekzistojnë dhe SPAK nuk ka justifikime për të mos pasur sukses, përveç vendosmërisë dhe vullnetit të prokurorëve të vet. Nga ana tjetër ka disa çështje të cilat edhe mund të rishikohen me kalimin e kohës.

Tema TV: Sapo është ngritur Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK dhe që pritshmëritë sigurisht janë të larta. Është ngritur me një numër të reduktuar, prej 8 anëtarësh dhe dy të komanduar. Këto komandime z. Ibrahimi bëhen me kërkesë të kreut të SPAK, apo nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me miratimin e KLP-së?

Gent Ibrahimi, Kryetar i KLP-së: Në fakt është një instrument që e kryen vet drejtuesi i SPAK dhe nuk ka nevojë për ndërmjetësimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Përveç disa rasteve të veçanta, për çështje të veçanta. Prokurori i SPAK në bashkëpunim me drejtuesin e prokurorisë prej nga vijnë këta prokurorë, maksimalisht për një vit, mund të transferojë një ose dy prokurorë. Pra, është një proces që ndodh jashtë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kuptohet që është një instrument i jashtëzakonshëm, duhet përdorur në raste të jashtëzakonshme, siç ishte edhe është fillimi i punës së Prokurorisë së Posaçme. Por, në kushte normale, prokurorët shkojnë në SPAK përmes procedurës së ngritjes në detyrë, që e bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Tema TV: Duke parë edhe ndikimin politik, ashtu sikurse një nismë të ndërmarrë nga qeveria për organizatën “KÇK”. Sa e nevojshme është një nismë e tillë, a i tremb kjo prokurorët dhe pse ishte e nevojshme si nismë kur kemi SPAK-un, organet e reja të drejtësisë?

Gent Ibrahimi, Kryetar i KLP-së: “Nuk do të desha të shprehesha për një nismë për të cilën nuk di asgjë më shumë nga ç ‘kam dëgjuar kryeministrin nëpër media. Dhe unë tashmë e di që është krejt e pamjaftueshme të kuptosh në thellësi diçka thjesht nga deklarimet e shkurtra sintetike që bëhen në media. E thënë me fjalë të tjera: nuk e di përmbajtjen e projektligjit”.