Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot në seancë plenare në praninë të 10 anëtarëve dhe në mungesë të anëtarit Besnik Cani. Në fillim të mbledhjes janë miratuar procesverbalet e seancave plenare të datës 27.01.2020 dhe 31.01.2020 të Këshillit dhe me propozim të shumicës së anëtarëve të Këshillit, është tërhequr nga rendi i ditës lidhur me miratimin e Rregullores “Mbi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë në shkallët më të larta dhe në pozicionin e drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”.
Këshilli ka miratuar projekt-aktet për emërimin dhe caktimin në detyrë të 10 (dhjetë) magjistratëve të rinj të diplomuar në vitin 2019 në Shkollën e Magjistraturës. Mbështetur nё nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 35 dhe 39 të Ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe neneve 166 dhe 189/1/a të Ligjit “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, me propozim të Komisionit Për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi për emërimin si prokuror dhe caktimin në detyrë të tyre si vijon: Të emërojë si Prokuror dhe të caktojë z. Adnan Hoxha, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, të emërojë si Prokuror dhe të caktojë z. Florian Boriçi, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, të emërojë si Prokuror dhe të caktojë z. Gëzim Spahiu, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të emërojë si Prokuror dhe të caktojë z. Ledion Tema, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, të emërojë si Prokuror dhe të caktojë z. Gjergj Ceka, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korcë, të emërojë si Prokuror dhe të caktojë znj. Ermira Manelli, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, të emërojë si Prokuror dhe të caktojë z. Pierind Çukaj në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë, të emërojë si Prokurore dhe të caktojë znj. Aurora Hajro, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, të emërojë si Prokurore dhe të caktojë znj. Alba Dhima, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë dhe të emërojë si Prokurore dhe të caktojë znj. Xhoana Mehmetaj, në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.
Në vijim Këshilli ka miratuar me shumicë votash dy raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit Ervin Karanxha dhe Artan Hazbi, projektakti për pranimin e dorëheqjes së prokurorit Erion Pustina, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec dhe projektakti për dhënie leje të papaguar bazuar në kërkesën e prokurores Silvana Pani, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet.
Në përgjigje të kërkesës së Shkollës së Magjistraturës, Këshilli miratoi projektaktin “Për miratimin e aktiviteteve trajnuese të shkollës së magjistraturës për periudhën janar-mars 2020”. Gjithashtu, me miratim të Këshillit, u vendos që projektakti “Për krijimin e seksioneve për të miturit pranë Prokurorive” nuk përfshihet në fushën e përgjegjësive të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.