Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi pret në takim zyrtar Ambasadorin Italian, Fabrizio Bucci

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, zhvilloi sot mbasdite një takim zyrtar me Ambasadorin Italian, Fabrizio Bucci me kërkesën e tij të fundit. Ambasadori Bucci ishtë i shoqëruar në takim nga Zëvëndës Përgjegjësi i Zyrës Konsullore, zoti Rocco Romano.

Kryetari Gent Ibrahimi i uroi ambasadorit Bucci mirëseardhjen në vendin tonë dhe u shpreh i bindur në suksesin e misionit të tij.

Në takim u ndanë konsiderata për bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe rolin e Italisë në zbatimin e reformës, si kusht i patjetërsueshëm në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.

Theks i veçantë gjatë këtij takimi i’u dha veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që nga dita e konstituimit  të tij si institucion kolegjal i pavarur, në zbatim të Reformës në Drejtësi. Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi ka nënvizuar rolin dhe misionin e Këshillit si një nga institucionet e reja të qeverisjes në sistemin e drejtësisë, i cila garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve në Shqipëri.

Pasi përfundoi me sukses dy nga proceset më të rëndësishme të cilat burojnë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme, Këshilli do të vazhdojë veprimtarinë e tij me miratimin e rregulloreve për evaluimin e prokurorëve, ngritjen e tyre në detyrë dhe lëvizjet paralele. Sipas   Ibrahimit, tashmë, pothuajse të gjitha institucionet e reja të drejtësisë janë ngritur dhe duket vetëm çështje kohe që ato të konsolidohet për të vepruar në përputhje me misionin e tyre kushtetues.

Në këtë këndvështrim, Ibrahimi, e vlerësoi mjaft të rëndësishme që për arritjen e këtyre objektivave, është i pazëvendësushëm kontributi dhe ndihma e partënerëve ndërkombëtar, si Italia dhe programeve të tyre të asistencës teknike me përvojë të sukseshme në Shqipëri.

Në këtë kontekst, Ambasadori Bucci siguroi kryetarin e KLP-së për mbështetje të vazhdueshme për zbatimin me sukses së Reformës në Drejtësi si kusht për hapjen e negociatave me BE-në dhe shprehu bindjen se suksesi i kësaj reforme do të matet nga produktet e saj.