I pranishëm në konferencën e organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme, “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në Dritën e Reformës në Drejtësi”, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi theksoi se sfida që e pret Prokurorin e Përgjithshëm është udhëheqja e sistemit, e cila kërkon interpretim krijues të ligjit dhe ndërveprim të vazhdueshëm me institucionet e tjera të qeverisjes së prokurorisë. Publiku i gjerë pret rezultate nga prokuroria në hetimin e veprave penale dhe përfaqësimin e tyre.

I nderuar Zoti Prokuror i Përgjithshëm,
Të nderuar anëtarë të panelit,
Miq dhe të ftuar,
Dua ta filloj me një falënderim për Prokurorin e Përgjithshëm dhe ekipin e tij për ftesën dhe mundësinë për të ndarë së bashku disa mendime mbi sfidat që qëndrojnë përpara Prokurorisë së Përgjithshme në kontekstin e ri ligjor e institucional të krijuar nga reforma në drejtësi.
Jam i bindur se Z. Çela e sheh këtë konferencë jo thjesht si një event të nivelit të lartë që, në një farë mënyre, inauguron lidershipin e tij premtues të këtij institucioni të rëndësishëm. Unë mendoj se ai ndien një nevojë gjenuine për të reflektuar dhe diskutuar lidhur me rolin e ri të institucionit që ai drejton dhe sfidat që e presin. Dhe për këtë nuk habitem as pak.
Sfida që e pret Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, e përmbledhur në një fjali të vetme, nuk është as më shumë e as më pak se udhëheqja e sistemit të prokurorisë. Kjo sfidë, në vetvete e vështirë, vështirësohet në mënyrë të posaçme po të mbajmë parasysh se tradita e krijuar në udhëheqjen e sistemit të prokurorisë nga prokurorët e përgjithshëm nga 1998 e këtej nuk i vlen asnjë grosh prokurorit të sotëm.
Në fakt, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë së 2020 ka të përbashkët me Prokurorin e Përgjithshëm të skicuar nga Kushtetuta e vitit 1998 vetëm emrin. Në gjithçka tjetër ai është një institucion i ri.
Në një interpretim semplist, dikush mund të thotë se është një institucion më pak i rëndësishëm. Unë do të thosha që është një institucion më pak i pushtetshëm por gjithësesi, qartësisht i mandatuar nga Kushtetuta që të udhëheqë sistemin e prokurorisë, duke pasur në arsenalin e tij pothuajse vetëm “soft powers”.
Të ashtuquajturat “Rrufe të Zeusit” siç njiheshin rëndom transferimet ndëshkimore të prokurorëve nga një cep i Republikës në tjetrin, apo kapërcimet kuantike në karrierat e tyre, veprime për të cilat Prokurorët e Përgjithshëm në të shkuarën zhvilluan një shije paksa perverse, për fatin e mirë të të gjithëve, nuk janë më në repertorin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës dhe të askujt tjetër.
Unë mendoj se mungesa e këtyre “rrufeve” nuk e dobëson rolin udhëheqës të Prokurorit të Përgjithshëm. Krejt në të kundërtën e forcon atë duke i dhënë një dimension moral e përfaqësues.
Sot roli udhëheqës i Prokurorit të Përgjithshëm kërkon finesë, moderim, aftësi për të krijuar konsensus, kërkon interpretim krijues të ligjit dhe ndërveprim të vazhdueshëm me institucionet e tjera të qeverisjes së prokurorisë. Cilësi këto tejet të rralla për kulturën tonë politike e institucionale. Është si një lloj qeverie e pakicës po të doni.
Lajmi i mirë është se këto cilësi nuk janë aspak të huaja për personalitetin e z. Çela. Ai, duke qenë i pari Prokuror i Përgjithshëm sipas Kushtetutës së 2016 ka detyrën e vështire të krijimit të identikitit të këtij institucioni të ri. Të tjerët që do vijnë pas tij, pavarësisht se mund të mos i kenë cilësitë personale të sipërpërmendura, do t’ju duhet të përshtaten me atë identikit dhe do ta kenë më të lehtë që t’i qëndrojnë besnik konceptit të kushtetutë-bërësit për rolin dhe fizionominë e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Një lajm tjetër i mirë është se z. Çela është ndoshta njeriu më i ditur mbi rolin e ri të institucionit dhe hapësirat që lejon ligji për të ushtruar me sukses udhëheqjen e sistemit në kushtet e decentralizimit të thellë që solli reforma. Në fakt platforma e tij e prezantuar para Këshillit të Lartë të
Prokurorisë, në procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, është ndoshta përmbledhja më e mirë e ideve dhe e mjeteve në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme për ushtrimin e leadership-it sipas Kushtetutës së vitit 2016.
Sidoqoftë, zbatimi në praktikë i atyre ideve të mençura nuk do të jetë aspak i lehtë. Mendoj se kjo vetëdije është edhe arsyeja pse jemi mbledhur sot këtu.
Pa dyshim qe ndryshimet në mënyrën sesi organizohet dhe qeveriset sistemi i prokurorisë në vendin tonë kanë qenë tektonike. Nëse Kushtetuta e vitit 1998 themeloi një strukturë vertikale duke përqendruar praktikisht të gjitha përgjegjësitë në duart e Prokurorit të Përgjithshëm, reforma e vitit 2016 e fragmentoi qeverisjen e sistemit të prokurorisë. Në këto kushte të reja, roli dhe potenciali i Prokurorit të Përgjithshëm në bashkëqeverisjen e sistemit është i gjithi për t’u zbuluar.
Nga ana tjetër, pas mëse një viti në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë mund të them me siguri se, kuadri ligjor në bazë të të cilit veprojnë institucionet qeverisëse të sistemit (Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokuroria e Përgjithshme) është tejet kompleks. Nevoja për interpretim dhe koordinim ndër-institucional është konstante. Në këto kushte garantimi i koherencës në kuptimin e ligjit si dhe bashkërendimi i këtij kuptimi me institucionet e tjera merr një rëndësi të dorës së parë. Unë shoh këtu një fushë të madhe veprimi për Prokurorin e Përgjithshëm si dhe një mundësi për të ushtruar leadership përmes interpretimit dhe zbatimit të ligjeve që mbështesin organizimin dhe funksionimin e sistemit të prokurorisë.
Publiku i gjerë, shoqëria civile, përfaqësuesit politikë, dhe miqtë tanë ndërkombëtarë presin rezultate nga prokuroria në hetimin e veprave penale dhe përfaqësimin e tyre. Suksesi, apo në të kundërtën dështimi ynë si shoqëri varet në një masë të madhe edhe prej këtyre rezultateve. Natyrisht që suksesi i çdo vendi përcaktohet nga shumë faktorë. Disa syresh janë afatgjatë dhe përgjithësisht vështirësisht të ndikueshëm nga veprimtaria njerëzore. E kam fjalën këtu për faktorë të tillë si historia politike, gjeopolitika, gjeografia kushtet natyrore etj. Disa të tjera, politikat e mençura ekonomike, fiskale, arsimore e sociale, janë më shumë rezultat i punës së njeriut. Natyrisht të gjithë këta faktorë ndërveprojnë me njëri-tjetrin në një kontekst të caktuar që është sistemi politik dhe ligjor i një vendi. Të gjithë këta faktorë synojnë mirëqenien dhe drejtësinë shoqërore. Unë nuk do të ngurroja që kësaj liste të nderuar t’i shtoja edhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë penale si një faktor me potencial të spikatur në përpjekjet për suksesin shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Nga ana tjetër, suksesi në luftën penale ndaj krimit nuk është i mundur pa praninë e disa kushteve paraprake. Ndër to, do të veçoja profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve. Në këtë drejtim Shqipëria po ndërmerr hapa vendimtarë përmes procedurave të Vetting-ut dhe punës afatgjatë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ndonëse ligji nuk parashikon rol të drejtpërdrejtë për Prokurorisë së Përgjithshme në këto fusha, zhvillimi i kapaciteteve monitoruese pranë saj do të ishte një kontribut me vlerë në arritjen e këtyre objektivave.
Parakushte të tjera të rëndësishme janë mbështetja administrative dhe buxhetore e sistemit. Në këto drejtime, Prokuroria e Përgjithshme është violinë e parë.
Unë do të doja ta mbyll duke i uruar Prokurorit të Përgjithshëm një mandat interesant, plot sfida motivuese dhe suksese, dhe duke i garantuar, në emër të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, bashkëpunim maksimal në të mirë të sistemit të prokurorisë dhe të shoqërisë. Ju faleminderit!

