Intervista e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi për FaxNews
Duket se Covid-19 ka ndikuar shumë edhe tek disa institucione. Çfarë ka ndodhur tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë? Ka pasur KLP një strategji të ndjekur për të mos penguar mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni?
Faleminderit për interesin. Në fakt, interesin tuaj unë do ta quaja edhe si një ‘dallëndyshe të parë’ të kthimit në normalitet. Ne në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, jemi mësuar tashmë, për mirë apo keq, të jemi gjithmonë në vëmendje të medias dhe kjo periudhë e kaluar, na ka lënë pak të çuditur në raport me këtë realitet të ri, ku vëmendja, natyrshëm është përqendruar e gjitha tek zhvillimet në lidhje më pandeminë dhe tek përgjigja që i jepet kësaj epidemie. Padyshim, që ndërkohë puna në institucionet e tjera vazhdon, e pavarësisht kësaj, nuk ka më vëmendjen e publikut që kishte dikur. Sfidat që paraqiten përpara institucioneve janë të ndryshme, në varësi të tipologjisë së natyrës së tyre. Një gjë është e sigurtë, që në ndryshimet e fundit kushtetuese në sistemin e drejtësisë, sistemi i drejtësisë tashmë është i vetë-qeverisur. Në këto kushte, vendimet në lidhje me mënyrën e veprimit të institucioneve të drejtësisë, janë në një masë të madhe të marra nga vetë institucionet drejtuese të drejtësisë, kuptohet deri në një farë niveli. Kur shikohet e arsyeshme që të ndërhyhet me një akt normativ, të cilin e koncepton qeveria dhe e miraton më pas parlamenti, ky është praktikisht ligj. Një gjë e tillë është bërë edhe sa i takon mënyrës së funksionimit të sistemit gjyqësor. Por, deri në momentin që nuk është vendosur të ndërhyhet me akt-normativ, padyshim që të gjitha vendimet merren nga institucionet drejtuese të sistemit të drejtësisë si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor apo edhe Prokurori i Përgjithshëm. Sfidat që paraqiten në raport me Këshillin, kanë të bëjnë në radhë të parë me natyrën kolegjiale të këshillit. Ky është një organ, i cili funksionon mbi bazën e mbledhjeve mes anëtarëve të tij. Mbledhja është zemra e organit. Rrahja e mendimeve dhe diskutimet e tyre në mbledhje është edhe mënyra se si funksionon dhe se si ecën përpara Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në këto kushte, natyrisht që na ka ardhur në ndihmë teknologjia e informacionit dhe kemi zëvendësuar në një masë të konsiderueshme mënyrën normale të funksionimit. Natyrisht që disa nga punët tona kanë edhe afate. Ne nuk kemi çeduar në asnjë prej tyre duke i respektuar maksimalisht, kështu që vështirësitë janë kapërcyer në një masë të madhe. Ne kemi edhe vështirësi më të hershme, të trashëguara tashmë, që kanë të bëjnë me infrastrukturën tonë. Ne ende nuk jemi zhvendosur në zyrat tona të reja, ku edhe aty ka pasur një ngadalësim të ritmit të punimeve, por në përgjithësi mund të them me siguri që ky institucion, ashtu si edhe institucione të tjera të drejtësisë, ka funksionuar me një ritëm të arsyeshëm.
Zoti Ibrahimi, në këtë situatë është kërkuar edhe ndihma e shumë institucioneve. Ka pasur kërkesa edhe për një kontribut monetar ku duket se KLP ka qenë ndër institucionet e para, në optikën time shumë zemërgjerë, ku përmes një vendimi ka përgjysmuar pagat e anëtarëve duke dhuruar edhe një fond shtesë. Sa ju kanë lejuar financat e institucionit për të dhënë këtë kontribut, jo të vogël.
Ju falenderoj që ngrini këtë çështje. Padyshim, është shfaqja më e spikatur e pjesëmarrjes tonë në këtë problem të madh, me të cilin ballafaqohet shoqëria jonë. Ne përfshihemi në zgjidhjen e këtij problemi në mënyrën tonë. Natyrisht që ne nuk kemi një rol primar në trajtimin e këtij fenomeni, por ajo çka mund të bëjmë ne është të kryejmë me racionalitet dhe përpikëri detyrat tona. Padyshim, kemi edhe shfaqje të një kontributi si ai që ju përmendët. Këtu dua të theksoj faktin e unanimitetit në marrjen e vendimit nga Këshilli për përgjysmimin e pagave si dhe në mundësinë e shtuar që patëm për të kërkuar në analet e buxhetit tonë, për të nxjerrë në pah disa zëra buxheti, të cilat nuk janë konsumuar dhe nuk do të konsumohen deri në fund të vitit, për t’i vënë në dispozicion të financave të shtetit, në mënyrë që të përballohen më mirë problemet me pandeminë. Pandemi me të cilën po mësohemi gradualisht, por që duhet të theksojmë se është një vendimmarrje delikate sepse në fund të fundit ka të bëjë me xhepin e gjithsecilit.

Si ka vijuar javët e fundit puna e Këshillit? Praktikisht, kemi të bëjmë me një këshill të përbërë me 9 anëtarë. Ka pasur problematika KLP në marrjen e vendimeve gjatë këtyre javëve?
Ka dy mënyra për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj. Ka një mënyre formale si dhe një mënyrë thelbësore. Nga ana formale, padyshim që nuk ka asnjë pengesë për funksionimin e Këshillit, qoftë me 9 apo edhe me 7 anëtarë, duke qenë se 7 është kuorumi që parashikon Kushtetuta për funksionimin e tij. Pra, ne mund të ecim përpara dhe të kryejmë detyrat tona, edhe me 7 anëtarë. Ana thelbësore e problemit, qëndron. Padyshim që është një mungesë e rëndësishme në Këshill, jo vetëm për faktin që mungojnë dy kapacitete njerëzore dhe profesionale, të cilat kanë qenë të llogaritura për të qenë të pranishme në marrjen e vendimeve të Këshillit, por edhe në një kuptim tjetër. Largimi i dy anëtarëve të fundit, prokurorë, ka prishur balancën kushtetuese të përbërjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sikundër edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, janë paracaktuar në Kushtetutë, të kenë një raport 6 me 5, pra të ketë një avantazh të lehtë nga ana e prokurorëve. Një avantazh, i cili presupozohet që i jep nuancat e vetëqeverisjes sistemit të prokurorisë apo edhe sistemit gjyqësor. Pra, në rast se do të më kërkonit t’i vija një emër, mënyrës së qeverisjes së sistemit të prokurorisë në Shqipëri, ai do të ishte një, vetëqeverisje e pjesshme. Pra, në një shumicë, Këshilli përbëhet nga prokurorët, duke qenë vetë ata që marrin vendimet për qeverisjen e sistemit ku ata punojnë dhe shërbejnë. Tani është pak e vështirë të flasësh për vetë-qeverisje pasi kemi të bëjmë me një shumicë të jo-prokurorëve. Pra, ka një deformim të vullnetit të kushtetutë-bërësit. E në këtë kuptim, edhe cilësia e vendimmarrjes së Këshillit, në rast se ky problem është kokëfortë dhe qëndron për një kohë të gjatë mes nesh, do të ketë pasoja. Flasim këtu për cilësinë në kuptimin e këndvështrimit dhe mendimit të prokurorëve. Padyshim, që nuk ka arsye që problemi të qëndrojë me ne sepse në çdo rast është detyra e Prokurorit të Përgjithshëm që të thërrasë mbledhjen e prokurorëve.

Besoj se zoti Çela është vonuar pak edhe për shkak të situatës, por nuk do të jetë i largët momenti që do të ndodhë edhe kjo, apo jo?
Fakti që ne jemi në një godinë edhe me zotin Çela e bën akoma edhe më të thjeshtë kontaktin me Prokurorin e Përgjithshëm. Unë kam kontakte të vazhdueshme me të, për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi. Siç e thatë edhe ju, problemi i vetëm është se një mbledhje masive nuk është e këshillueshme në kushtet në të cilat ndodhemi për shkak të masave të marra nga pandemia, pasi bëhet fjalë për rreth 300 prokurorë të cilët duhet të mblidhen të gjithë në një sallë. Ndërkohë që edhe mjetet e teknologjisë së informacionit nuk e mundësojnë një mbledhje virtuale me kaq shumë pjesëmarrës. Por, edhe sikur të ishte e mundur, do të mbetej një mbledhje formale pasi është e pamundur të jesh aktiv në një mënyrë të tillë. Ne po diskutojmë disa mënyra se si mund ta zgjidhim këtë problem. Një mënyrë është një zgjidhje e pjesshme. Duke qenë se sot në Këshill mungon një përfaqësues i zyrave të Apelit dhe një i Shkallës së Parë, ndoshta mund të bëjmë një zëvendësim me radhë. Gjithsesi mbetet nevoja për një mbledhje të përgjithshme të të gjithë prokurorëve për çdo rast. Kemi edhe një vështirësi shtesë, pasi duhet të presim të shikojmë cilat janë kandidaturat. Çdo prokuror i Republikës së Shqipërisë, që plotëson disa kushte që parashikon ligji, ka të drejtë të kandidojë. Por, në rast se njëri apo disa prej kandidatëve nuk e kanë kaluar Vetingun, do të duhet që ne të presim që ata kandidatë të kalojnë shkallën e parë të Vetingut dhe vetëm pastaj të emërohen si anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pra, ka disa vështirësi. Në momentin që ju pyesni, ne nuk kemi një zgjidhje për këto vështirësi për dy arsye. Arsyeja e parë është mungesa e një zgjidhjeje teknike, për çështjen e mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve dhe vështirësia e dytë është që mund të kemi kandidatë, të cilët nuk e kanë kaluar Vetingun. Në këto kushte, përpara se këta të kandidojnë duhet të kalojnë Vetingun, gjë e cila do të shkaktojë një tjetër vonesë të mëtejshme në plotësimin e përbërjes së Këshillit. Siç e thashë edhe në fillim, kjo nuk e cënon funksionimin e Këshillit. Këshilli do të vazhdojë të funksionojë edhe pse kemi një cedim në ekuilibrin kushtetues të përbërjes.
Zoti Ibrahimi, prej një viti e pak nga funksionimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka pasur disa rrjedhje, më saktësisht 4 rrjedhje, të shkarkuar nga ana e Vetingut. Në optikën tuaj, si mendoni e dëmtojnë përgjithësisht imazhin e KLP-së këto largime apo i konsideroni individuale?
Padyshim që ne jemi shumë të shqetësuar nga ky fakt. Fakti që në një vit e gjysmë ky Këshill ka humbur 4 anëtarë, të cilët nuk kanë qenë thjeshtë anëtarë, por anëtarë me një rol shumë të rëndësishëm në këtë Këshill, mendojmë se kemi një humbje të rëndë. Mendoj që nuk ka efekte mbi imazhin e Këshillit pasi ai është konceptuar si një organ kushtetues. Fakti që anëtarët prokurorë të Këshillit duhet të kalojnë Vetingun në shkallë të parë e më pas të shërbejnë në Këshill duke pritur vendimin e shkallës së dytë, është një zgjidhje kushtetuese dhe nuk ka pse të cënohet imazhi i Këshillit. Por, padyshim që është problem për cënimin e imazhit individual të anëtarëve të cilët janë larguar. Këshilli ka probleme të natyrës praktike. Ka probleme të prurjeve intelektuale, të cilat vijnë jo vetëm për shkak të kapaciteteve si individë, por vijnë edhe për shkak të përvojës që ne fitojmë këtu. Pra, të shërbesh për një vit e gjysmë në Këshill e pastaj të ikësh e të zëvendësohesh me një prokuror që vjen rishtazi, i cili duhet ta mësojë nga e para lojën që luhet, këto janë padyshim humbje të mëdha. Janë humbje tekniko-profesionale, janë humbje sentimentale, pasi ne kemi jetuar me këta kolegë për gjithë ketë periudhë kohore, por sidoqoftë nuk janë humbje të imazhit të institucionit.

Si e keni parë këtë periudhë? Sa ka ndikuar nëpër organet e akuzës nëpër rrethe por edhe në Tiranë, situata e krijuar nga Covdi-19? Është ndjerë mungesa e normalitetit në institucionet e drejtësisë?
Padyshim. Puna e Prokurorisë ka një karakteristikë, ku ndryshe nga ajo e gjykatës përbëhet nga dy komponentë të mëdhenj; hetimor dhe ai i përfaqësimit në gjykatë. Komponenti i parë nuk ka asnjë kufizim si rezultat i pandemisë. Puna hetimore për çdo çështje penale të raportuar ka vazhduar normalisht. Natyrisht që puna e prezantimit të rezultateve hetimore në gjykatë është pezulluar pothuajse krejtësisht. Pra, vendimmarrja kryesore në lidhje me sa i hapur duhet të jetë sistemi i drejtësisë i takon Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi gjykatat janë edhe forumet ku zhvillohet debati gjyqësor. Këshilli i Lartë Gjyqësor madje që ditët e para të pandemisë mori menjëherë vendim për të minimizuar kontaktin e palëve, për të minimizuar aksesin e publikut në sallat e gjyqeve dhe pak më vonë qeveria dhe Parlamenti e panë të udhës të dilnin me një akt-normativ, që e suprimoi vendimmarrjen e KLGJ-së. Sot e thotë vetë ligji se sa të hapura mund të jenë gjykatat dhe jo më institucionet e drejtësisë. Ajo çka pritet të bëjë Këshilli i Lartë Gjyqësor është që ta interpretojë këtë akt-normativ dhe ta shpjegojë për gjykatat dhe për publikun në mënyrë që ky akt-normativ të zbatohet në mënyrë unanime nga të gjitha gjykatat e vendit. Kuptohet, në varësi të këtij interpretimi që do t’i bëjë Këshilli i Lartë Gjyqësor, do të shohim pastaj edhe shkallën dhe mënyrën e hapjes së gjykatave si dhe do të shohim se sa dhe si puna e prokurorisë mund të vazhdojë edhe në seancat gjyqësore. Pra, Prokuroria është paksa në pozita pritjeje.
Zoti Ibrahimi, gjatë gjithë këtyre javëve janë miratuar disa akte-normative për të bërë të mundur mbrojtjen nga Covid-19, por javën e fundit ka pasur edhe ndryshime në Kodin Penal. Si do t’i komentonit ju si institucion këto vendime, keni ndonjë opinion?
Patjetër që ndryshimet në Kodin Penal janë një çështje me shumë interes për punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ne jemi ftuar zyrtarisht të japim komentet tona mbi ato projekt-akte-normative, gjë që e kemi bërë. Jemi të lumtur të themi që kemi parë edhe reflektim në versionin final të aktit-normativ që u miratua nga Kuvendi. Ju keni të drejtë që e ngrini këtë çështje sepse ligj-bërja përmes aktit-normativ ka brenda farën e problemit. Në përgjithësi procesi legjislativ është një procedurë e zgjatur, e cila u lë mundësi të gjithë atyre aktorëve të thonë çfarë kanë për të thënë dhe rezultantja e atij ligji që miratohet në Kuvend është zakonisht përftimi i kontributeve të ardhura nga shumë drejtime. Të bësh rregulla me akt-normativ ka brenda problemin sepse procedura është e shpejtë. Natyrisht që një akt-normativ nuk bëhet për qejf por në kushtet e nevojës, por nga ana tjetër të gjithë ne jemi të interesuar që thelbi i urdhërimit që vjen nga akti-normativ të jetë i kolauduar sa është e mundur në kushtet e shpejtësisë. Faktikisht, sipas optikës tonë akti-normativ në kushtet fillestare kishte disa probleme. Një problem ishte që nuk e merrte parasysh sa dhe si duhet veprimi në kohë midis masave administrative dhe masave penale. Kishte një keqkuptim ku shiheshin masat penale si mënyra përfundimtare e zgjidhjes së problemeve që lindin nga mosrespektimi i kushteve të karantinës, ndërkohë që këtu ka një kundërshti. Kjo sepse masat që merren në kushtet e fatkeqësive natyrore duhet të jenë efikase, të shpejta e të efektshme ndërsa nga ana tjetër, natyra e tyre, veprimi përmes mjeteve penale është i ngadaltë. Sistemi i drejtësisë penale është një makineri e rëndë e cila vihet në lëvizje nga aktorë të ndryshëm por që ka brenda komponentin e hetimit, gjykimit, ekzekutimin e vendimit dhe të gjitha këto shkallë janë të kushtëzuara nga nevoja akute dhe e përhershme e respektimit të të drejtave të njeriut. Pra, nuk mundet të veprosh tipikisht në kushtet e pandemisë përmes instrumenteve të të drejtës penale. Padyshim që ato duhet të jenë aty dhe ne kemi pasur një mungesë në kodin tonë penal, por të shpresosh që zbatimi i mjeteve penale është instrumenti kryesor për zgjidhjen e problemit, është gabim. Dhe ne menduam që një gabim i tillë të reflektohej në mënyrën se si ishin konceptuar masat. Komentet tona kishin të bënin me faktin që radha e veprimeve do të duhej të ndërrohej që të ekzekutoheshin masat administrative dhe të jepnin efektin e tyre të menjëhershëm e të dëshirueshëm. Kishim një koment sa i takon edhe proporcionalitetit të ndëshkimeve të propozuara, të cilat gjithashtu, pjesërisht u reflektuan nga Kuvendi në fazën finale të vendimmarrjes. Kështu që, mund të them se ne kemi bërë pjesën tonë bashkë me shumë aktorë të tjerë, përfshi këtu edhe shoqërinë civile, që thelbi i propozimeve të nevojshme të kolaudohej në atë masë sa që veprimi i tyre të jetë beninj.

Zoti Ibrahimi për të shkuar drejt fundit, në këtë periudhë të vështirë bashkëpunimi, si është manovruar bashkëpunimi me institucionet e tjera që ka Këshilli i Lartë i Prokurorisë?
Po përveç formës teknologjike që përmenda më herët, ne kemi dhe format standarde të komunikimit përmes letërkëmbimit. Një nga proceset që ne kryejmë këtu dhe që kërkon një komunikim intensiv mes institucioneve të tjera është edhe procesi i verifikimit të kandidatëve për poste të ndryshme. Ndryshimet kushtetuese dhe ligjet e reja e kanë bërë një detyrë themelore të këshillit verifikimin “vetingun” e të gjithë atyre që kandidojnë për poste në sistemin e drejtësisë. Nëse një prokuror kandidon për tu bërë inspektor në Inspektoratin e Larë të Drejtësisë, ai kandidat duhet të vetohet dhe ky vetim konsiston në letërkëmbimin e KLP-së me 45 zyra, në 45 institucione. Pra, është një punë administrative masive, të cilën ne e kryejmë për çdo individ dhe kjo është kryer pavarësisht se ne kemi punuar me kapacitet të minimizuar njerëzor dhe besoj se e njëjta gjë ndodh edhe me institucionet e tjera. Gjithsesi, kjo korrespondencë me 45 institucione ka vazhduar normalisht dhe përtej kufizimeve që duken nga jashtë, gjaku i administratës, shkresat, vazhdojnë të rrjedhin.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbyllur një vit të suksesshëm ku janë ngritur dy institucione shumë të rëndësishme. Mbase është shumë herët për të bërë një bilanc, por në kuadër të një opinion, si e shikoni punën që po bëhet nga SPAK por edhe atë të zotit Çela, prej disa muajsh tashmë.
Faleminderit që e shihni kështu, edhe ne na pëlqen që këto shihen si suksese të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Faktikisht ka qenë sfidë arritja në këto rezultate përfundimtare. Edhe unë mendoj që zgjedhja e personave që shërbejnë në këto institucione ka qenë e duhura edhe pse jo të gjithë pajtohen me këtë mendim. Ajo që ka më shumë e rëndësi, është fakti që ka pasur një garë ku kandidatët janë matur mes tyre, përmes produkteve të punës dhe jo përmes ideve të pabazuara që mund të ketë gjithsekush për gjithsecilin. Këtë e quajmë sukses. Sa i takon Prokurorisë së Posaçme, puna për plotësimin me personel vazhdon akoma. Kujtoj që ne kemi marrë një vendim për organikën e saj. Ne në Këshill kemi thënë që organika fillestare e Prokurorisë së Posaçme do të jetë me 15 prokurorë dhe jemi ende në procesin e plotësimit të kësaj organike. Deri tani kemi emëruar 9 prej tyre. Të tjerët janë vonuar për shkak të procesit të Vetingut apo edhe për shkak të dorëheqjes. Në këto kushte, ne jemi akoma në detyrimin për të emëruar edhe 5 prokurorë të tjerë. Këto ditë jemi në shqyrtim e sipër për 4 kandidatura, për dy pozicione që kemi shpallur. Pak më tutje shpallëm një pozicion të tretë. Ende si kemi marrë kandidaturat por mendoj se brenda majit ne do të jemi në gjendje të emërojmë edhe 3 prokurorë të tjerë, gjë që e çon organikën e SPAK në 12 prokurorë të emëruar. Tre kandidatët e tjerë janë ende në procesin e Vetingut dhe ne mbetemi në pritje të rezultateve. Sa i takon Prokurorit të Përgjithshëm, unë kam qenë i pranishëm në mbledhjen vjetore të analizës që ai ka kryer me të gjitha prokuroritë e Republikës së Shqipërisë dhe mund të them me kënaqësi që shoh një frymë të re bashkëpunimi midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurorëve të republikës. Shoh një frymë bashkëpunimi e cila përpiqet ta vë theksin tek rezultatetet e punës dhe tek prodhimi i të dhënave statistikore që i provojnë këto rezultate pune dhe jo thjeshtë një propagandë që e kemi parë shpesh herë sa i takon punës së prokurorisë, por një raportim i rezultateve mbi bazën e statistikave. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Prokurori i Përgjithshëm është shumë i ndërgjegjshëm gjithashtu edhe për faktin se instrumenti kryesor në dorën e tij për të avancuar punën e Prokurorisë është buxhetimi. Një buxhetim i prirur nga rezultatet. Pra, ai ka orientimin e duhur për të sjellë rezultate në sistemin e prokurorisë.