Fjala e kryetarit Gent Ibrahimi në takimin elektronik me kreun e Kuvendit dhe Institucionet e Pavarura

Ju falënderoj edhe unë për organizimin e këtij takimi elektronik. Ju përshëndes për nismën e sidomos për platformën elektronike të raportimit. Padyshim që do të jetë një mundësi e shtuar për të gjithë ne për t’i bërë të ditur njëri-tjetrit dhe komunitetit të gjerë në kohë reale, ato çka bëjmë si dhe rezultatet e punës tonë. Kështu që, besoj se të gjithë jemi tani në një situatë më të mirë për të raportuar dhe kuptuar ne të parët dhe pastaj të gjithë të tjerët.

Siç e dini, Këshilli i Lartë i Prokurorisë është konceptuar nga Kushtetuta si një organ i cili vepron në prapavijën e sistemit të prokurorisë në mënyrë që të krijojë kushtet për suksesin e kësaj të fundit. Pra, qëllimi jonë final ashtu si edhe i vetë sistemit të prokurorisë është mbështetja e këtij sistemi që në llogari të fundit, goditja penale të jetë ajo e duhura dhe sa më e efektshme.

Kuptohet që për të mbërritur deri këtu kërkohen një seri parakushtesh dhe përgatitja e këtyre parakushteve deri në një masë ka të bëjë me statusin e prokurorëve. Nuk mund të ketë sukses në goditjen penale të krimit nëse prokurorët që janë ushtruesit e kësaj goditjeje, nuk janë të pavarur, profesionalë, etikë e kështu me radhë e janë pikërisht këto ato që përbëjnë edhe objektin e punës së Këshillit të lartë të Prokurorisë. Natyrisht ne jemi një organ i ri dhe jemi shumë të interesuar për ta thelluar dhe vijuar më tej marrëdhënien me Kuvendin në një mënyrë që të jetë produktive për të dyja palët, edhe për shoqërinë çka është më e rëndësishme. Ne mendojmë që Kuvendi është i përfaqësuar në një farë mënyre edhe e bashkëqeveris Këshillin e Lartë të Prokurorisë përmes përfaqësueseve të tij, pavarësisht atyre filtrave të shumtë që bëjnë të mundur që ne të  jemi të depolitizuar.

Siç e thashë marrëdhënia jonë me Kuvendin është një marrëdhënie në ndërtim e sipër, në kolaudim e sipër ku ka konsistuar kryesisht në marrëdhënie më të imta e më të efektshme me Komisionin e Pavarur për monitorimin e zbatimit të ligjit të organeve të pavarura të drejtësisë, njëri nga të cilët jemi edhe ne. Ne kemi raportuar formalisht përpara këtij komisioni, kemi pasur edhe letërkëmbime të shumta me ta. Gjithashtu kemi raportuar pjesërisht për vitin 2019, duke pasur parasysh që ne vetë u krijuam në ditët e fundit të vitit 2018 dhe kemi bërë një raportim të pjesshëm përpara Komisionit të Ligjeve. Jemi angazhuar në ndryshimet në ligjin për statusin dhe qeverisjen, të cilat janë diktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendime këto që japin një lloj pasigurie në punën e këshillave duke qenë se për një farë kohe vendi mbeti pa një listë çështjesh disiplinore sa i takon gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po t’i shtosh kësaj vështirësie edhe vonesën e krijimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, rezulton që ne sa i takon njërit prej komponentëve më të rëndësishëm të punës tonë, që është disiplinimi i prokurorëve nuk kemi pasur rezultate. Por, ndërkohë nuk kemi ndenjur duarkryq. Ne gjatë vitit që shkoi kemi themeluar një sistem, që po të doni mund ta quani një sistem të Vetingut permanent të prokurorëve. Nëse sot flasim për një Veting të jashtëzakonshëm, që është një veprimtari me afat që do përfundojë dikur, ne ndërkohë kemi marrë masat duke krijuar një formë të Vetingut permanent, i cili verifikon pasurinë dhe integritetin e prokurorëve në çdo fazë të jetës së tyre profesionale. Diçka tjetër e rëndësishme është edhe fakti që gjatë këtij viti ne kemi punuar edhe për hedhjen e themeleve të asaj që quhet meritokraci në sistemin e prokurorisë.

Në përfundim të punës tonë, e cila besoj do të materializohet shumë shpejt me miratimin e një rregulloreje për ngritjen në detyrë dhe lëvizjet paralele të prokurorëve, do të jemi në gjendje që të sigurojmë Kuvendin por edhe publikun, që karrierat e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë të bazohen ekskluzivisht në rezultatet e tyre profesionale dhe integritetin e tyre dhe jo më nga preferenca profesionale apo të ndryshme nga këto. Frytet e këtyre rezultateve presim t’i korrim që gjatë vitit 2020. Natyrisht ka disa çështje që mbeten ende pezull dhe kërkojnë ndërveprimin e mëtejshëm tonin me Kuvendin, siç janë disa çështje që kanë të bëjnë me statusin e vet anëtarëve të këshillave, flas edhe për zonjën Llagami në këtë rast. Ne jemi ende të përjashtuar nga sistemi i pensioneve suplementare, nga i cili përfitojnë të gjithë titullarët e institucioneve të pavarura në Shqipëri. Këtu është fjala për një ligj i cili ende nuk është bërë pavarësisht presionit tonë gjatë gjithë vitit të shkuar. Një çështje tjetër e rëndësishme që ka të bëjë me statusin e prokurorëve, e cila implikohet me ndryshimet e nevojshme në ligjin për statusin, është pikërisht çështja e pagës për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme. Kujtoj këtu që ndryshimet e fundit që miratoi Kuvendi në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kishin si efekt edhe një rritje të rëndësishme të pagës së prokurorëve të SPAK, por si pasojë e dekretit të Presidentit i cili ende nuk është diskutuar nga Kuvendi ka mbetur pezull. Pra, pritet miratimi i atyre amendamenteve nga Kuvendi në mënyrë që ky i fundit në një farë mënyre “t’i lajë duart” nga detyrimet që ka ndaj Prokurorisë së Posaçme, siç është edhe ngritja e pagave të prokurorëve.

Ajo çka më mbetet të them është se unë imagjinoj që gjatë vitit që vjen do të japim edhe modelin e parë të meritokracisë në sistemin e prokurorisë, ku shpresoj dhe jam i bindur që do të jetë mes nesh në të ardhmen e afërt dhe të largët. Ju falenderoj për këtë komunikim elektronik.