Intervista e kryetarit të KLP-së, Gent Ibrahimi për RTV Ora News

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi në intervistë për Ora News.

  • Reforma në drejtësi është shoqëruar me një proces vetting për prokurorë dhe gjyqtarë. Janë me dhjetëra prokurorë që janë shkarkuar në dy vite, sa ndjehet ndikimi i këtyre vendimeve në ngarkesën e punës së prokurorisë? Çfarë masash keni ndërmarrë për zëvendësimin e vendeve të mbetura vakante?

Padyshim që reforma në drejtësi mbetet politika shtetërore dhe basti shoqëror më i rëndësishëm i Shqipërisë që nga 1998 dhe këtej. Është një politikë e cila pritej të kishte pasoja të thella, jo vetëm mbi klasën e magjistratëve, por çka është më e rëndësishme, mbi rezultatin e punës së tyre. Ajo çka pritej dhe pritet ende nga reforma në drejtësi, e cila për fat të keq ende nuk i ka sjellë rezultatet e pritura ishte risia e luftës penale kundër krimit, një rezultat ky që nuk mund të vijë pa integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dhe për pasojë Vetting ishte një zgjidhje e domosdoshme. Natyrisht që Vetting duke qenë i padiskutueshëm për nga nevoja, i padiskutueshëm për nga meritat dhe rezultatet që sjell, ka krijuar efekte negative për sa i takon numrit të magjistratëve gjyqtarë dhe prokurorëve. Duke folur për këta të fundit mund të them që në këto dy vite Vetting, 94 prokurorë kanë kaluar në sitën e institucioneve të Vettingut, dhe 43 prej tyre, për fat të keq, nuk ia kanë dalë ta kalojnë Vettingun. Natyrisht që ky është një problem shumë i madh për sa i takon burimeve njerëzore në sistemin e prokurorisë dhe ka një mënyrë afatmesme për të plotësuar këtë boshllëk që është rritja e prurjeve në shkollën e Magjistraturës.

  • Po në fakt jemi në kushtet kur rritja ka qenë fare e lehtë në shkollën e Magjistraturës?

Kjo është e vërtetë, është një problem i trashëguar, kur edhe në zyrat tona në dhjetor të 2018, ne gjetëm vetëm 6 prokurorë të sapo-diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës. Këta prokurorë kishin filluar shkollën e Magjistraturës në vitin 2015, do të duheshin të emëroheshin në 2018, por për shkak të vonesave në krijimin e KLP-së, ata u emëruan në vitin 2019. Pra deri në atë pikë ishte Shkolla e Magjistraturës që në bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm dhe KLD-së merrte vendimin për numrin e kandidatëve që do të pranonte dhe më pas për ti emëruar ata në funksione.

Në vitin 2016, kur u miratuan ligjet që pasuan Kushtetutën, u vendos që në pritje të ngritjes së KLP dhe KLGJ, vendimin për numrin e studentëve në shkollën e Magjistraturës ta vendoste vetë ligji, dhe ishte vetë ligji që parashikonte që për vitin 2016-2017 shkolla do të pranonte 25 kandidatë për magjistratë, 15 për gjyqtarë dhe 10 prokurorë, po kështu për vitin 2017-2018, pastaj kur të viheshin në funksion KLP dhe KLGJ, vendimet do të ishin të tyret, siç janë tani tonat.

Fakti është që ligji kishte parashikuar një vonesë rreth 6 muaj, nga momenti i miratimit të ligjit deri në momentin e krijimit të këshillave. Kjo vonesë u kapërcye 4 fish dhe e vërteta është që këshillat u vonuan rreth dy vjet. Në këto dy vjet kuotat u konsuamuan edhe ato kuotat e parashikuara nga vetë ligji. Kur erdhi koha për të marrë një vendim në 2018-2019, KLP dhe KLGJ nuk ishin në punë, dhe nuk kishte kush ta marrte këtë vendim. Mënyra e vetme ishte të bëhej një amendament në ligj dhe të parashikohej sërish. Mirëpo konsensusi politik, i kudo-munguar në Shqipëri, edhe në këtë rast e pamundësoi.

  • U krijua një lloj kakofonie?

Padyshim, këto fakte që unë po mundohem të paraqes e kanë origjinën te dispozita shumë të komplikuara ligjore. Pak kush ishte i vetëdijshëm në atë kohë se po nuk u krijua KLP dhe KLGJ do të vijë një moment që Shkolla e Magjistraturës nuk do të japë prurje për sistemin. E vërteta është që ne kemi qenë në gjendje të emërojmë 6 prokurorë në 2018, 10 prokurorë në 2019, do të emërojmë sërish 10 të tjerë në 2020, ndërsa në 2021 furnizimi do të jetë zero, zero prokurorë dhe zero gjyqtarë, sepse klasa politike nuk gjeti konsensusin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në momentin që erdhëm ne në funksion e lëshuam dorën dhe vendosëm që për vitin 2019 dhe tutje të kishte një pranim prej 25 kandidatësh për prokurorë dhe 75 në vitin pasardhës. Tani që është vënë në funksion KLP dhe KLGJ nuk është më i nevojshëm ndryshimi i ligjit, pasi ato vendime që dikur i merrte legjislativi, tani i marrim ne. Sidoqoftë, vendimet tona për rritjen e prurjeve në gjyqësor dhe prokurori, do të japin efektet në vitet 2022-2023. Në vitin 2021, janë zero gjyqtarë dhe zero prokurorë, kështu që kjo e thellon atë problemin e rënies së numrit të magjistratëve.

  • Situata e pandemisë ndonëse e papritur për të gjithë, ka krijuar vështirësi dhe probleme edhe në punën e prokurorisë. Seancat me përjashtim të atyre që janë urgjente, janë shtyrë duke u bërë shkak për tej zgjatjen në kohë të çështjeve në hetim apo në gjykim por duke shkaktuar vonesa edhe tek çështjet e reja që fillohen. Kjo situatë mbingarkon edhe prokurorët. Çfarë masash janë marrë për zgjidhjen e saj? Vitin e fundit edhe stafi i prokurorisë së përgjithshme gati është përgjysmuar.

Padyshim që pandemia ka pasur efekte shumëdimensionale dhe sistemi i drejtësisë ka qenë në radhën e viktimave, në kuptimin që, nuk ka qenë në gjendje që të ofrojë shërbimin e duhur në kohën e duhur.

Puna e prokurorëve në krahasim me punën e gjyqtarëve ka një rrethanë cilësuese, pasi nëse puna e gjyqtarëve konsumohet ekskluzivisht në gjykatë, pra në sallën e gjyqit, puna e prokurorëve konsumohet sa në hetim,  pra jashtë sallës së gjyqit, aq edhe në sallën e gjyqit.

Për sa i takon komponentit të parë të punës së prokurorëve, pra punës në hetim, kjo ka ecur pothuajse normalisht. Padyshim, që ka pasur vështirësi që vijnë nga kufizimi i lëvizjes, vështirësi në thirrjen dhe pyetjen e dëshmitarëve, në korrespodencën me institucionet për shkak të mbylljes së tyre të plota apo të pjesshme, kështu që komponenti hetimor i punës së prokurorëve ka ecur pothuajse normalisht.

Ai që ka mbetur në vend padyshim ka qenë komponenti i ballafaqimit dhe prezantimi i gjetjeve të hetimit në sallën e gjyqit. Në këtë pikë KLP është në pozita pritjeje sepse vendimet për shkallën dhe mënyrën e hapjes së gjykatave i takojnë KLGJ-së.

Natyrisht KLGJ që në ditët e para mori një vendim të rëndësishëm për kufizimin e një pjese të veprimtarisë gjyqësore, pastaj ky rregullim u bë edhe me akt normativ dhe së fundmi KLGJ ka marrë disa masa për ta interpretuar aktin normativ që është në fuqi deri më datën 23 qershor për të dhënë një shpjegim më të detajuar të asaj çka mund të bëhet sot nëpër gjykata.

Siç e keni vënë re kufizimet janë sa praktike aq edhe thelbësore, pasi siç e keni vënë re, çështjet e themelit nuk mund të shqyrtohen, por një kategori e madhe çështjesh të tjera me natyrë më urgjente mund të shqyrtohen nga gjykatat. Sidoqoftë problemi ka qenë më pak i theksuar tek prokurorët për shkak të ndarjes së punës së tyre në ato dy komponentë.

  – Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar që në kushtet kur numri i prokurorëve që do t’i shtohen sistemit është i kufizuar të merren masa për rritjen e numrit të OPGJ-ve në strukturën e prokurorisë, si e shikoni ju këtë ide dhe si mund të realizohet ajo?

Realiteti i kufizimit të numrave në radhët e prokurorisë do të jetë mes nesh edhe për disa vite, pasi siç e thashë ne në vitin 2023 do të jemi në gjendje të bëjmë një furnizim të fortë të sistemit me gjak të ri.

Gjithësesi duhet të keni një gjë parasysh që këto do të jenë prokurorë të rinj dhe kurrë s’mund të kenë efektivitetin e prokurorëve që kanë punuar 20 apo 30 vjet.

Në këto kushte problem do të jetë mes nesh në një kohë relativisht të gjatë. Në këto kushte është esenciale të mendohen mjete alternative për t’i shërbyer të njëjtit qëllim, shpejtësisë, efiçencës dhe cilësisë së punës së prokurorit. Padyshim idea e Prokurorit të Përgjithshëm është një ndër to, ndihma që i jepet prokurorit përmes OPGJ është një nga format më efikase të përshpejtimit të hetimit. Një pjesë e mirë e hetimit edhe sipas Kodit tonë të Procedurës Penale kryhet nga OPGJ dhe kjo do të ishte një lëvizje e mirëpritur që do ta fokusonte dhe përqëndronte prokurorinë tek puna legale, duke bërë një kombinim të mirë të punës në hetimin e fakteve kriminale dhe përfaqësimin e tyre në gjyq. Kështu që kjo është vërtet një ide shumë e mirë, mendoj që ka edhe ide të tjera. Unë mendoj që duhet revolucionarizuar mënyra sesi financohet sistemi i prokurorisë.

Përgjithësisht sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i nën-financuar, ku përfshihet edhe sistemi i prokurorisë. Një pjesë e mirë e zyrave të Prokurorisë nuk janë në gjendje optimale për sa i takon kushteve të punës, për arkivimin, për të pritur subjektet e procedimit penal, kështu që ne na duhet një zhvendosje e fortë në mentalitet për sa i takon masës së financimit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe prokurorisë në veçanti. Dhe aktori kryesor në këtë lëmë është Prokurori i Përgjithshëm.

  • Ka pasur një moment kakofonie në hetimin e një prej dosjeve me ndjeshmëri të lartë publike siç ishte dosja 184. SPAK ia kaloi Prokurorisë së Dibrës, ndërkohë që kjo e fundit e riktheu në SPAK dhe cikli u përsërit për një çështje që lidhet me akuzat për blerjen e votave e cila është edhe sot pa rezultat. Edhe Prokurori i Përgjithshëm në një dalje publike pasi mori detyrën ka folur për rrezikun e fragmentarizmit të ndjekjes penale. Si e shikoni këtë moment?

Unë me lejen tuaj nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje dhe do të përfitoj nga rasti për të dhenë një shpjegim i cili është i rëndësishëm për publikun, një shpjegim që ka për qëllim të bëjë të qartë ndarjen mes Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe prokurorëve që janë operatorët e sistemit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një institucion i cili vepron në prapavijë të sistemit të prokurorisë. Qëllimi ynë është të mundësojmë që prokurorët të jenë të aftë nga ana profesionale, të kenë integritet dhe natyrisht ta bëjnë punën e tyre në një mënyrë që tu shërbejnë interesave të shoqërisë. Këto janë qëllimet e Këshillit dhe punës së tij. Për realizimin e qëllimeve ne ndërtojmë një sistem të vlerësimit të performancës së prokurorëve, një sistem të menaxhimit të karrierës së prokurorëve ku më i miri avancon, ndërtojmë dhe një sistem disiplinor ku godasim ato raste kur sjellja e prokurorëve bie në kufijtë e parashikimit të ligjit për shkeljet disiplinore. Këto janë detyrat tona. Efektet e punës tonë janë afatgjata. Nuk vijnë nesër apo me një çështje penale konkrete, por vijnë si rezultat i forcimit të klasës së prokurorëve nga ana profesionale dhe nga ana etike natyrisht. Kështu që, unë nuk kam asnjë cilësi juridike dhe ndërkohë asnjë dijeni për asnjë çështje penale që është në hetim në Republikën e Shqipërisë. Kjo është e gjitha kompetencë e prokurorëve.

  • SPAK po bën disa muaj që është ngritur dhe në këtë fazë të parë të saj nuk i ka shpëtuar anatemimeve politike. Së fundi opozita ka folur për mosveprim apo veprim të vonuar në lidhje me tenderat sekretë gjatë pandemisë ndërkohë që Ministrja e Mbrojtjes është shprehur e kënaqur që dosja ka përfunduar aty, Sa e rrezikon politika SPAK-un dhe çfarë mund të bëjë kjo strukturë që të dalë mbi palët?

Nuk hezitoj t’i përgjigjem pasi kjo çështje ka të bëjë me pozicionin e Prokurorisë së Posaçme në këtë arkipelag të koklavitur interesash që në fund është jeta e çdo shoqërie moderne, por që këtu në Shqipëri mund të ketë disa vështirësi të shtuara. Në këtë kuptim, ne si Këshill i Lartë i Prokurorisë kemi një lloj “patronazhi”, nëse mund të përdor këtë term, edhe pse jo krejtësisht e saktë por përcjell idenë dhe pozicionin tonë në raport me Prokurorinë e Posaçme. Prokuroria e Posaçme është produkti kryesor i punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë vitit 2019. Kujtoj që Prokuroria e Posaçme funksionon si e tillë prej më pak se 6 muajsh dhe 6 muaj nuk janë as shumë as pak. Mund të jenë shumë në rast se çështjet me të cilat ti ballafaqohesh gjatë këtyre 6 muajve janë të tilla që mund të hetohen shpejt, por janë pak nëse çështjet nuk janë të tilla. Natyrisht që SPAK e ndjen dhe duhet ta ndjejë të gjithë presioni e opinionit publik për të dhënë rezultate një orë e më parë. Por, këto rezultate nuk duhet të përshpejtohen në kurriz të cilësisë. Në këtë kuptim SPAK është ende në periudhë prove dhe gëzon ende mbështetjen e publikut dhe padyshim edhe të Këshillit. Kujtoj që ne si shoqëri  ende nuk i “kemi larë duart” me Prokurorinë e Posaçme. Kujtoj këtu që organika e SPAK është ende e paplotësuar. Tani që flasim  në SPAK ka vetëm 9 prokurorë. Ju mund të pyesni me të drejtë “pse, kush e ka fajin për këtë?”. Për këtë e ka fajin sistemi i Vettingut, i cili po merr më shumë kohë se sa ne e kishim imagjinuar dhe që nuk është në gjendje që të prioritizojë. Unë kam qenë i mendimit që kur vjen fjala për kandidatët në institucione të rëndësishme të sistemit të drejtësie, Vettingu duhet të gjente një mënyrë për të përshpejtuar produktin e punës së vet. Ata nuk ia kanë dalë dhe me sa duket nuk do t’ia dalin të bëjnë një diferencim midis aktorëve dhe përshpejtimit të procesit të punës. Kështu që, sot që flasim, kemi 9 prokurorë nga 15 që duhej të ishin. Lajmi i mirë që mund ta ndaj për herë të parë me ju sot është fakti që me 21 maj do të kemi ceremoninë e betimit të tre prokurorëve të rinj te Presidenti. Çështja e ngarkesës së punës në SPAK dhe plotësimit të organikës do të vijë duke u lehtësuar, do të kemi 12 nga 15 prokurorë. Intervista me kandidatët do të zhvillohet me 18 maj. Tre më të mirët do të çohen për dekretim te Presidenti.

Mbetet ende problemi i pagave të SPAK, prokurorët e SPAK paguhen njësoj si prokurorët e tjerë ndërkohë që ne kemi lënë mbi shpatullat e tyre një përgjegjësi shumë herë më të madhe. Është bërë lëvizja në këtë drejtim, amendamenti është miratuar por nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës, jo se është kundër rritjes së pagave për SPAK por për formulën e betimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kuvendi ende nuk ka ndërmarrë hapat për ta kapërcyer veton e presidentit ose për ta reflektuar pjesërisht. Jemi ende larg rezultatit të rritjes së pagave të SPAK. Së treti ende nuk kemi arritur ta plotësojmë SPAK me strukturën e tij policore, pra Byronë Kombëtare të Hetimit. Janë tre lëvizje të rëndësishme që ende si kemi konsumuar. Para se ti kërkojmë SPAK duhet të bëjmë akoma diçka vetë. Pra, përpara se t’i kërkojmë llogari SPAK-ut duhet të mbarojmë detyrat tona vetë.

  • Numri dërrmues i kandidatëve për drejtimin e BKH vinte nga radhët e policisë. Edhe kandidatët e kualifikuar për fazat finale të testit vijnë nga policia madje kanë detyra kyçe në drejtorinë e përgjithshme aktualisht. A rrezikon BKH të kthehet në një strukturë gjurmuese ndërkohë që do te jetë bërthama e hetimeve që do të bëjë SPAK, pra do të mbledhë ato prova ligjore që më pas prokurorët do të dërgojnë në gjykatë?

Të kesh një të kaluar të gjatë në policinë e shtetit kjo lë gjurmë në mënyrën e të menduarit, të vepruarit, ndërveprimit me kolegët dhe prokurorët. Rreziku që ju imagjinoni, ku mendoni se BKH do të kthehet në një lloj përndjekësi pa qëllime të mirëfillta të procedimit penal nuk ekziston. Kjo pasi ajo është një strukturë në varësi të prokurorëve. Pra Byroja Kombëtare e Hetimit zgjidh një problem i cili e ka shoqëruar sistemin shqiptar të hetimit prej 30 vitesh. Në këto 30 vjet ka qenë gjithnjë problemi i shkëputjes së prokurorit dhe oficerit të policisë, i cili do të duhej të ishte nën varësi dhe nën drejtimin e këtij të parit. BKH-ja është një strukturë e cila do të operojë nën varësinë e plotë të prokurorëve dhe në këtë kuptim, nuk ka rrezik të dalë nga shinat. BKH nuk do të jetë strukturë që do të gjenerojë indice, pasi këtë e bëjnë institucionet e tjera. BKH do të hetojë këto indice.

Sigurisht që, duhet të kishte më shumë interes nga ana e prokurorëve për këtë strukturë. Fakti është që vetëm një prokuror kandidoi dhe ai nuk është përzgjedhur në grupin e katër kandidatëve finalistë. Por në thelb BKH do të bëjë një punë policore.

– A ka aktualisht KLP në trajtim ankesa nga qytetarët për prokurorët dhe nëse po, ku konsistojnë ato? Çfarë bashkëpunimi keni me KPK dhe KPA në lidhje me këto raste?

Po, ka shumë. Dhe unë përsëri do të përfitoj nga rasti për të bërë një tjetër sqarim publik me shumë interes. Padyshim që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është një institucion i financuar nga taksat e publikut dhe si i tillë është krye e këput, në funksion dhe në shërbim të tij. Por, e vërteta është që ne nuk merremi me shqyrtimin e ankesave të publikut. Kujtoj edhe një herë që Kushtetua e re bëri një konfigurim të ri të roleve të institucioneve në sistemin e drejtësisë, një konfigurim i cili bazohet tek fjala e fundit e shkencës të së drejtës sa i takon ndarjes së roleve mes institucioneve, balancimit, kufizimit të konfliktit të interesave e kështu me radhë. Në këto kushte, çdo pretendim për një abuzim apo shkelje nga ana e një prokurori, nuk do të duhej të vinte tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë por tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Kjo pasi kushtetutë-bërësi e ka parë të arsyeshme që të bëjë një ndarje mes hetimit të ankimit dhe gjykimit të gjetjeve të tij. Pra, është rikrijuar ajo skema e një procesi gjyqësorë, në trajtimin e shkeljeve të prezumuara disiplinore të gjyqtarëve apo prokurorëve. pra, nëse dikush mendon se një gjyqtar apo prokuror ka kryer një shkelje, nuk do të shkojë drejtpërdrejtë në KLP apo KLGJ pasi këto të dyja veprojnë si “gjykata”, por tek ILD i cili vepron si hetues. Pra, ai e heton ankesën e qytetarit dhe ai i sjell tek KLP apo KLGJ. Ndaj nuk është e udhës që ankesat të vijnë në këshill. Ajo çka kemi bërë ne gjatë gjithë këtyre muajve është që i kemi përcjellë fillimisht tek Prokurori i Përgjithshëm dhe tani që është krijuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ne thjeshtë i përcjellim atje. Ju kujtoj edhe një herë që adresa e re për depozitimin e ankesave tuaja është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ne jemi gjykata që do të gjykojmë gjetjet e tij në lidhje me ankesat e qytetarëve.

– Për disa muaj KLP ka pasur vështirësi në ambientet ku zhvillon mbledhjet dhe ku punojnë anëtarët, a është zgjidhur çështja e zyrave të KLP?

Ky është kalvar tjetër i cili rezultoi më i gjatë dhe më kompleks nga çfarë ne prisnim. Jemi në fazën finale. Mendoj që fundi i muajit maj dhe fillimi i muajit qershor do të  na gjejë në zyrat e reja. Por, e vërteta është që formula që është përdorur për të siguruara ambientet e punës për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, është e komplikuar dhe e veçantë edhe pse rezultati i saj është i shkëlqyer. Padyshim që ne do të jemi institucionet më fatlume, pasi do të punojmë në kushtet që nuk i ka asnjë institucion tjetër në Shqipëri, e në këtë kuptim kemi një lloj mirëkuptimi edhe në lidhje me tejzgjatjen e këtij procesi. Por, jemi shumë afër përfundimit dhe kjo do t’i japë padyshim një impuls të ri punës tonë, i cili ndihet direkt edhe në cilësinë e punës së Prokurorisë dhe më tej akoma edhe në suksesin e luftës kundër krimit.