AKTIVITETEPËR MEDIAT

Vendimet e marra në seancën plenare, 15.05.2020

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen plenare të radhës në prani të 9 anëtarëve, përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare EURALIUS, OPDAT dhe Ministrisë së Drejtësisë. Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e Covid-19, edhe mbledhja e sotme është zhvilluar përmes platformës on-line.

Sipas rendit të ditës, Këshilli ka vendosur miratimin e projekt-akteve të vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorët Alket Mersini, Ledina Riza, Arben Allajbeu, Arben Dyla, Ardian Braho, Bujar Memia, Dritan Marku, Saimir Smaka, Genci Qana. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Këshilli ka marrë në shqyrtim projekt-vendimin “Për miratimin e komenteve dhe sugjerimeve ndaj raportit të Shkollës së Magjistraturës me rezultatet e vlerësimit paraprak të kandidatëve që kanë aplikuar për pranimin në Formimin Fillestar në vitin akademik 2020-2021, profili prokuror”, përmes të cilit ka kërkuar rivlerësimin e përvojës profesionale të kandidatit, bazuar mbi kriterin e përcaktuar nga neni 28, pika 1, shkronja “ç”, të ligjit 96/2016 dhe jo  mbi bazën e nenit 10, pika 1, shkronja “f” të Rregullores së Shkollës së Magjistraturës. Projekt-vendimi është miratuar me shumicë votash.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur miratimin e projekt-vendimit “ Për bashkimin e procedurave administrative të filluara mbi bazën e vendimeve nr. 19, datë 27.01.2020 dhe nr.92 datë 10.04.2020 të Këshillit. Vlerësimi përfundimtar dhe renditja e katër kandidatëve të kualifikuar për prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të shpallura me vendimet nr. 19, datë 27.01.2020 dhe nr.92 datë 10.04.2020, do të jetë i vlefshëm për plotësimin e të tre vendeve vakante në këtë Prokurori.

Në përfundim, Këshilli vendosi edhe miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit për prokurorin z. Kreshnik Ajazi, aktualisht drejtues i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan konkretisht si pedagog i jashtëm pranë Kolegjit Universitar të Biznesit Tiranë, për periudhën e semestrit të II, të vitit akademik 2019-2020, si lektor në lëndën “Procedura Penale”.