Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi prezantoi sot para Komisionit parlamentar të Ligjeve, gjetjet e Raportit Vjetor të institucionit për vitin 2019. Me anë të një lidhjeje online, titullari i institucionit komunikoi dhe iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të komisionit në lidhje me një mori çështjesh si ngritja e SPAK, zgjidhja e Prokurorit të Përgjithshëm, miratimi e akteve nënligjore, vendimeve përsa i përket statusit dhe karrierës së prokurorëve, verifikimit të figures dhe integritetit, rregulloreve dhe metodologjive të hartuara dhe të miratuara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjatë vitit të shkuar, bashkëpunimi ndër-institucional me Kuvendin, Ministrinë e Drejtësisë, KLGJ, Shkollën e Magjistraturës, institucione jo-qeveritare dhe partnerë ndërkombëtare të misioneve të asistencës për implementimin e reformës në drejtësi. Gjithashtu, deputetët ishin të interesuar për aspekte të ndryshme të punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe adresuan çështje për të cilat titullari i institucionit dha përgjigjet e kërkuara.
Për më tepër ndiqni një pjesë të diskutimeve të zhvilluara sot në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat të Njeriut midis Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi dhe deputetëve anëtarë të Komisionit.
‘Mirëdita! Faleminderit për durimin që po tregoni duke kaluar në një seancë tjetër dëgjimore edhe pse e para ishte e gjatë dhe paksa e lodhshme për ju. Unë jam këtu i rrethuar nga kolegët e mi, drejtuesit e komisioneve të këshillit, zv/ kryetarin zoti Alfred Balla dhe kryetar i komisionit të Etikës, zoti Bujar Sheshi drejtues i Komisionit të Disiplinës, zoti Sandër Beci drejtues i Komisionit të Karrierës si dhe zoti Tartar Bazaj, drejtues i Komisionit të Posacëm për Mbrojtjen e Prokurorëve.
Për ne mendoj që ishte privilegj që dëgjuam raportimet dhe diskutimet lidhur me raportin e KLGJ-së, sepse në këtë mënyrë kuptojmë pak më mirë edhe se çfarë i intereson vërtetë Kuvendit dhe cila është mënyra më e mirë për të raportuar. Ky është raporti ynë i parë vjetor dhe unë kam kënaqësinë që në emër të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ta ndaj atë me ju. Është për ne një mundësi unike për t’i bërë të ditur Kuvendit, institucioneve partnere dhe shoqërisë në përgjithësi një përmbledhje të veprimtarisë tonë gjatë vitit të shkuar në këtë përvjetor të parë.
Jam shumë dakord me diskutimin që u bë gjatë seancës së raportimit nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor , ku ndoshta do të ishte një ide e mirë raportimi periodik, në një afat më të shkurtër i Këshillave. Kjo do të na jepte mundësinë që të përqëndroheshim në disa cështje që janë vërtetë me interes të përbashkët mes Këshillit dhe Kuvendit si dhe shoqërisë.
Siç e dini Kushtetuta e ka komanduar Këshillin e Lartë të Prokurorisë që të veprojë në prapavijë të sistemit të prokurorive me qëllimin për të krijuar kushtet dhe suksesin e këtij sistemi në goditjen penale të krimit. Nga ana tjetër suksesi në luftën penale kundër krimit është i mundur vetëm në rast se prokurorët e republikës janë profesionalë, të pavarur dhe me integritet. Pikërisht këto 3 fjalë profesionizmi, pavarësia dhe integriteti i prokurorëve përmbledhin qëllimin dhe objektin e punës të këshillit. Do të vëreni padyshim një dallim mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, ku fusha jonë e veprimit është paksa më e ngushtë dhe ku reforma e thellë kushtetuese e vitit 2016 e themeloi Këshillin e Lartë të Prokurorisë si një organ të pavarur në nivelin kushtetues, me përgjegjësi ekskluzive në fushën e statusit të prokurorëve. Pra, ndryshe nga KLGJ ne nuk kemi përgjegjësi në administrimin e prokurorisë. Përgjegjësitë e Këshillit shtrihen mbi të gjithë ciklin e jetës profesionale të prokurorëve, duke filluar që nga pranimin i kandidatëve për prokurorë në shkollën e Magjistraturës, emërimin e prokurorëve të rinj, caktimin e tyre në detyra konkrete, transferime, ngritje në detyrë, gjithë pjesën e karrierës së prokurorëve dhe së fundmi edhe disiplinimin në ato raste kur do të jetë i nevojshëm. Natyrisht që këto vendime të rëndësishme , jetike për karrierën dhe statusin e prokurorëve, merreshin në mënyrë arbitrare dhe kjo është e qartë. Edhe në këtë kuptim është gjithashtu në misionin e Këshillit që vendime të kësaj natyre të bazohen ekskluzivisht në vlerësimin e meritave të tyre profesionale dhe në rezultatet e verifikimit të figurës dhe integritetit, të cilat ne i bëjmë në mënyrë të herë pas herëshme dhe në faza të ndryshme të karrierës së prokurorëve.
Ky set kompetencash i është veshur Këshillit sepse ai është gjithashtu një organ i zgjedhur në mënyrë meritokratike, profesionale dhe të depolitizuar, një gjë e cila u theksua edhe nga ju në fjalën e fundit në raportimin e KLGJ-së. Ne në fakt kemi një përbërje të njëjtë me KLGJ-në, me 6 përfaqësues nga prokuroria dhe 5 nga avokatia, trupa e pedagogëve dhe shoqëria civile. Një përbërje e cila lejon një balancim të suksesshëm do të thoja, të interesave legjitime të prokurorëve me interesat e shoqërisë në përgjithësi. Është një formulë vërtetë e zgjuar e cila mundëson realizimin e njëkohshëm të disa qëllimeve. Nga njëra anë vetë prokurorët përfshihen në mënyrë të efektshme dhe demokratike në qeverisjen e sistemit ku ata shërbejnë. Nga ana tjetër, Kuvendi përmes përfaqësuesëve të tij në Këshill, bashkëqeveris sistemin e prokurorisë në emër dhe për llogari të shoqërisë.
Unë dëgjova më interes komentet tuaja në lidhje me modelet e vendimmarrjes që ju keni vërejtur në punën e KLGJ-së dhe u gjeta i papërgatitur në fakt, pasi ne nuk kemi bërë një studim të raporteve të vendimmarrjes këtu në Këshill, por mund të them me siguri që nuk kemi një model vendimmarrjesh 6 me 5, gjë që tregon për një amalgamim të përfaqësuesëve të grupeve të ndryshme të interesit. Është e sigurt që në ditët dhe muajt e para të veprimit të Këshillit ajo ndarja profesionale mes anëtarëve ka qenë më e theksuar por që me kalimin e kohës ka ardhur duke u tretur. Unë premtoj të bëj një analizë të këtij lloji por mund ta parathem me siguri rezultatin e saj; nuk do të gjeni një model vendimesh 6 me 5 në Këshill. Jam i sigurtë që është më i çrregullt gjë që mendoj se ndikon edhe në natyrën e vërtetë të vendimmarrjeve në një organ kolegjial.
Kjo është një formulë që ka një meritë të madhe edhe depolitizimin e anëtarëve jo-prokurorë. Kujtoj fare mirë që një nga objektivat e mëdha të reformës ka qenë pikërisht gjetja e një formule që do të bënte shkëputjen e asaj lidhjes unbilikale midis Kuvendit dhe institucioneve të larta të drejtësisë. Kjo formulë që u konceptua atëherë besoj se është interesante sepse unë mendoj që falë një procesi përzgjedhës meritokratik dhe të depolitizuar të anëtarëve që vijnë nga jashtë sistemit, ia del që të krijojë një distancë mes organeve politike dhe anëtarëve të Këshillit pavarësisht se në llogari të fundit, ne anëtarët jo-prokurorë zgjidhemi nga Kuvendi.
Sa i takon veprimtarisë tonë gjatë vitit të shkuar, ne jemi të vetëdijshëm që veprimtaria jonë është shënjuar qartë dhe fortë nga dy procese; themelimi i Prokurorisë së Posaçme dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Procesi i parë zgjati plot 10 muaj e 8 ditë, por më në fund ne ia dolëm që pasi vendosëm për organikën fillestare të Prokurorisë së Posaçme, (ne vendosëm që do të ishte e arsyeshme që Prokuroria të fillonte me një ekip prej 15 prokurorësh).
Është një vendim i cili në të ardhmen nuk na takon më ne por i takon vetë kësaj prokurorie. Por, pasi morëm këtë vendim të rëndësishëm për caktimin e organikës me 15 prokurorë ne vijuam më përzgjedhjen e kandidatëve ku patëm një prurje të arsyeshme por jo një nga ato prurje që do të kënaqte 100 % nevojat tona si organ përzgjedhës, por sidoqoftë ne patëm mundësinë të përzgjedhim 15 prokurorë potencialë në SPAK mes një grupi prej 23 kandidatësh.
Siç e dini pasi kryem detyrën tonë, edhe pse ne nuk ishim në gjendje t’i emëronim ata pasi ligji parashikonte që çdo prokuror mund të emërohet vetëm pasi të ketë kaluar Vetingun në të dyja shkallët e tij, ne bëmë 8 emërimet e para dhe pak më vonë në 2 episode të ndryshme ishim në gjendje që të emëronim edhe 3 prokurorë të tjerë. Tani që flasim jemi në pritje të vendimeve të organeve të Vetingut edhe për 3 kandidatë të tjerë që ne i kemi përzgjedhur.
Ata janë në faza të ndryshme të procesit të Vetingut, por mendoj se jemi afër përfundimit të procedurave në lidhje me kandidatët e përzgjedhur prej nesh dhe së shpejti do të jemi në gjendje ta plotësojmë organikën e SPAK, por duhet të theksoj edhe një herë që plotësimi i organikës nuk është më në dorën tonë dhe topi është qartësisht në fushën e organeve të Vetingut.
Procesi tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe procesi i përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm,” është shprehur kreu i Këshilli të Lartë të Prokrurorisë, z. Gent Ibrahimi në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimorë në Komisionin e Ligjeve.
Vazhdimin e diskutimeve e gjeni në audion e publikuar më poshtë.