Vendimet e marra në seancën plenare, 12.06.2020

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot në orën 13:00 mbledhjen plenare të radhës, ku në kuadër të masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, mbledhja është mbajtur përmes platformës on-line në prani të 9 anëtarëve si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe programet e asistencës për zbatimit të reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Mbledhja nisi me miratimin e procesverbaleve të seancave plenare të datës 15,05,2020, datës 19.05.2020 dhe datës 21.05.2020.

Sipas rendit të ditës, Këshilli ka vendosur me shumicë votash miratimin e projekt-akteve të vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorët Drini Pali dhe Rabiana Halili. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit (mësimdhënie) për prokurorin Ylli Pjetërnikaj, si pedagog me kohë të pjesëshme pranë Departamentit të së Drejtës Penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në lëndën “E drejta penale e posaçme”, në masën dy orë në javë, çdo ditë të Mërkurë, nga ora 14.00 deri në orën 16.00, për vitin akademik 2020-2021 dhe miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit (mësimdhënie) për prokurorin Ylli Pjetërnikaj, pranë Fakultetit të Drejtësisë, Kolegji Universitar TBU (Tirana Business University College), në lëndën “Procedura Penale”, në masën 60 orë, të shpërndara në 30 javë, 15 orë për çdo semestër, deri në dy orë në javë, çdo ditë të enjte, pas orës 17.30, për vitin akademik 2020-2021; Miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit për prokuroren Doloreza Musabelliu, si eksperte pranë OSBE, në kuadër të trajnimit që do organizojë kjo organizatë në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, në masën jo më shumë se dy orë në javë, gjatë orarit zyrtar dhe pa kufizim jashtë orarit zyrtar, deri më datë 30.10.2020; Miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit për prokuroren Manjola Kajana, si eksperte pranë UNODOC (United Nations Office on Drugs and Organized Crime), zyra në Vjenë, Austri, në kuadër të projektit Global Firearms Programe, për të përgatitur një përmbledhje me raste praktike gjyqësore për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve”, të parashikuar nga nenet 278 dhe 278/a, të Kodit Penal, si dhe për të rishikuar, në gjuhën Shqipe, dokumentin “Udhëzues mbi provat elektronike”, të përgatitur nga UNODOC. Veprimtaria do të ushtrohet  jashtë orarit të punës për periudhën 01.07.2020-30.10.2020.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi u njoh me dorëheqjen nga detyra të z. Nezir Gjoka, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, paraqitur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nëpërmjet kërkesës së regjistruar me nr.688 prot., datë 02.06.2020, vendosi deklarimin e mbarimit të statusit, për shkak dorëheqje, të magjistratit z. Nezir Gjoka, aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Dorëheqja jep efektet në datën 30.06.2020.

Këshilli ka vijuar me hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankesave kundër arkivimit të hetimit nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për sa më sipër, bazuar në nenin 160, pika 13 e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, për shqyrtimin e këtyre ankesave duhet të krijohet një komision i përkohshëm i përbërë nga 2 anëtarë jo-prokurorë dhe 1 anëtar prokuror. Nga ky short përjashtohen anëtarët e Komisionit tët e Komisionit të Disiplinës. Përbërja e këtij komisioni përcaktohet me short nën kujdesin e Kryetarit të Këshillit. Shorti ka caktuar z. Gent Ibrahimi, znj. Nurihan Seiti dhe z. Kostaq Beluri.

Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale në Këshill paraqiti raportin për ecurinë e procesit të verifikimit të figurës pasurisë si dhe plotësimin e kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji, për kancelarët në detyrë në sistemin prokurorial si dhe për kandidatët për inspektor në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Me Vendimin nr. 37, dt. 05.02.2020 “Për plotësimin e 4 (katër) pozicioneve pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përmes procedurës së komandimit të prokurorëve”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur fillimin e procedurave për plotësimin e 4 (katër) pozicioneve si Inspektorë në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të afatit të caktuar, në dt. 19.02.2020 kanë kandiduar për këto pozicione 6 (gjashtë) magjistratë prokurorë,  

Elena Pelushi (Bakallbashi), Lindita Ziguri (Male), Julian Zonja, Xhevahir Lita, Daniela Sulaj (Konica) dhe Sonila Muhametaj (Domi). Me Vendimin nr. 55, dt. 24.02.2020 “Për kryerjen e verifikimit të pasurisë dhe figurës të magjistratëve, kandidatë për t’u komanduar si Inspektorë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka filluar procedurën administrative për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët që kanë shprehur interes për t’u komanduar në pozicionet e mësipërme.

Me Vendimin nr. 56, datë 24.02.2020 “Për kryerjen e verifikimit të figurës, pasurisë si dhe plotësimin e kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji, për kancelarët në detyrë”, i ndryshuar me Vendimin nr. 79, dt. 04.03.2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur fillimin e procedurave të verifikimit të figurës, pasurisë dhe plotësimit të kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji për shërbimin civil për kancelarët në detyrë. Aktualisht, në sistemin e prokurorisë janë të punësuar në detyrën e kancelarit të prokurorisë 4 nëpunës, konkretisht, pranë Prokurorive të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Korçë, respektivisht Alketa Kurmaku (Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan), Sotiraq Stratoberdha (Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë), Përparim Hoxha (Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë); Valentina Qokaj (Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë).

Me propozim të kryetarit të Këshillit ka pasur diskutime rreth mundësisë për transferim të përkohshëm të një prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec si dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, sipas kërkesave të drejtueseve të prokurorive të sipër përmendura, të adresuara pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për plotësimin të nevojave të tyre me burime njerëzore për shkak të ngarkesës.

Këshilli vendosi se diskutimet mbi draft-rregulloren “Mbi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë në shkallët më të larta dhe në pozicionet e drejtuesit të prokurorisë” të kalojnë për mbledhjen e ardhshme.