Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, prezanton në Kuvend raportin vjetor për vitin 2019

I nderuar Z. Kryetar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Sot kam kënaqësinë të ndaj me Ju raportin e parë vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Paraqitja e këtij raporti është për Ne një mundësi e mirë për t’i bërë të ditur Kuvendit, institucioneve partnere dhe të gjithë shoqërisë, një përmbledhje të veprimtarisë së Këshillit në këtë përvjetor të parë.

Siç e dini, Kushtetuta e ka mandatuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë që të veprojë në prapavijë të sistemit të prokurorisë, me qëllimin për të krijuar kushtet për suksesin e këtij sistemi në goditjen penale të krimit. Nga ana tjetër, suksesi në luftën penale kundër krimit është i mundur vetëm nëse prokurorët e Republikës janë profesionalë, të pavarur dhe me integritet. Pikërisht këto 3 fjalë (profesionalizmi, pavarësia dhe integriteti i prokurorëve) sintetizojnë më së miri qëllimin dhe objektin e punës së Këshillit.

Reforma e vitit 2016 themeloi Këshillin e Lartë të Prokurorisë si organ të pavarur në nivel kushtetues me përgjegjësi ekskluzive në fushën e statusit të prokurorëve. Përgjegjësitë e Këshillit shtrihen mbi të gjithë ciklin e jetës profesionale të prokurorëve përfshi pranimin e kandidatëve për prokurorë në Shkollën e Magjistraturës, emërimin e prokurorëve të rinj, caktimin në pozicione konkrete, transferimin, ngritjen në detyrë dhe disiplinimin.

Natyrisht, të gjitha këto vendime të rëndësishme nuk mund të jenë arbitrare. Është gjithashtu në misionin e Këshillit që vendimet e sipërpërmendura mbi karrierën e prokurorëve të bazohen ekskluzivisht në vlerësimin e meritave profesionale dhe në rezultatet e verifikimit të figurës dhe të integritetit të tyre.

Ky set kompetencash, i cili në të shkuarën ushtrohej praktikisht nga një njeri i vetëm (PP), pa një procedurë të detajuar dhe pa kurrfarë transparence, i është veshur pikërisht Këshillit sepse ai është një organ i zgjedhur në mënyrë meritokratike, profesionale dhe të depolitizuar, si dhe ka një përbërje që mundëson balancimin e interesave të prokurorëve me ato të shoqërisë në përgjithësi. Po kështu, siç e dini, Këshilli vepron në kushtet e një transparence të plotë.

Kjo formulë e zgjuar mundëson realizimin e njëkohshëm të disa qëllimeve: nga njëra anë vetë prokurorët përfshihen në mënyrë të efektshme në vetëqeverisjen e sistemit ku ata kalojnë të gjithë jetën e tyre profesionale; nga ana tjetër, Kuvendi, përmes përfaqësuesve të tij në Këshill, bashkë qeveris sistemin e prokurorisë në emër dhe për llogari të shoqërisë, krah më krah me trupën e prokurorëve. Një nga meritat e formulës është gjithashtu depolitizimi i anëtarëve jo prokurorë të Këshillit, falë një procesi përzgjedhës meritokratik e të depolitizuar, pavarësisht faktit se emërimi bëhet në fund nga një organ politik si Kuvendi.

Ne jemi të vetëdijshëm se veprimtaria e Këshillit gjatë vitit 2019 është shënjuar nga themelimi i Prokurorisë së Posaçme dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. E vërteta është se këto 2 procese morën më shumë se gjithçka tjetër kohën dhe energjinë e Këshillit, ashtu si dhe vëmendjen e publikut. Ndërsa jemi pa dyshim krenarë për arritjet në këto 2 drejtime, duam të theksojmë se veprimtaria e Këshillit ka qenë në fakt shumë më e gjerë dhe e thellë.

Vetëm për të përmendur disa prej aspekteve më të spikatura të punës tonë gjatë vitit 2019 do të veçoja faktin se, gjatë vitit që shkoi, ne kemi themeluar një sistem të vetting-ut permanent të prokurorëve. Në kuadër të kësaj procedure, ne korrespondojmë me rreth 45 institucione e zyra të ndryshme në një përpjekje për të verifikuar figurën dhe pasurinë e prokurorëve në faza të ndryshme të karrierës së tyre. Kështu krahas atij vetting-ut të jashtëzakonshëm e të përkohshëm që është duke u zbatuar aktualisht nga institucionet e vetting-ut, ne përgjigje të degradimit të standardeve të integritetit e profesionalizimit në sistemin e drejtësisë, ne japim garancinë se edhe kur ky vetting i jashtëzakonshëm të përfundoje, sistemi do të ketë mekanizma të sprovuara për të parandaluar bjerrjen e standardeve të sipërpërmendura në të ardhmen.

Sistemi i vetting-ut permanent zbatohet mbi:

Kandidatët për prokurorë përpara se këta të hyjnë në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës (kështu ne kemi një fotografi të imët të gjendjes së tyre pasurore dhe të integritetit që në ditën e parë) – 13 raporte të tilla janë miratuar nga Këshilli gjatë 2019;

Kandidatët për prokurorë në përfundim të studimeve në SHM – 8 raporte të[ tilla janë miratuar nga Këshilli gjatë 2019; dhe kandidatet që aplikojnë për ngritje në detyrë – nuk ka pasur raste të zbatimit të vetting-ut në këto raste gjatë vitit 2019.

Ne besojmë se ky sistem i vetting – ut permanent, së bashku me sistemin disiplinor, do të shndërrohet, hap pas hapi, në gurin e themelit të integritetit në sistemin e prokurorisë.

Gjithashtu, gjatë vitit që shkoi Këshilli është integruar plotësisht ne rolin e organit ndihmës në kuadër të procesit të vetting – ut te jashtëzakonshëm duke ndihmuar në vlerësimin e njërit nga tre komponentët e tij, që është vlerësimi i aftësive profesionale. Është një përgjegjësi që e kemi trashëguar nga Prokurori i Përgjithshëm, të cilën jemi kujdesur ta ngremë në një nivel më të lartë cilësor në një përpjekje për të ndihmuar në procesin e vetting-ut.

Gjatë vitit 2019 Këshilli ka miratuar 44 raporte vlerësimi në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting – u i jashtëzakonshëm).

Po kështu gjatë këtij viti ne kemi hedhur themelet e meritokracisë në sistemin e prokurorisë duke hartuar rregulla, sa komplekse aq edhe të efektshme, për identifikimin dhe individualizimin e rezultateve profesionale të prokurorëve dhe përdorimin e këtyre rezultateve si bazë ekskluzive për të gjitha vendimet e Këshillit mbi karrierën e prokurorëve.

Ndërsa objektivi i meritokracisë është afatgjatë dhe do të ndiqet nga Këshilli në vazhdimësi, gjatë vitit 2019 na është dashur të përballemi dhe të zgjidhim situatat emergjente të krijuara si rezultat i shkarkimit të Drejtuesve të Prokurorive me vendim të organeve të vetting – ut. Në një përpjekje për të zbutur pasojat e pashmangshme të procesit te vetting – ut, Këshilli ka përdorur instrumentin e caktimit të përkohshëm për plotësimin e vakancave të krijuara në pozicionet e drejtueseve. Për periudhën 1 Janar- 31 Dhjetor 2019, Këshilli ka marrë 15 vendime për caktimin e përkohshëm të 15 drejtuesve në të gjithë republikën. Në përpjekje për të zbutur pasojat negative që vijnë nga përkohshmëria në detyrë e drejtuesve në vazhdimësinë normale të punës, Këshilli i ka përsëritur caktimet e përkohshme pothuajse në të gjitha rastet.

Sa i takon gjendjes së përgjithshme të personelit prokurorial në sistem, gjatë vitit 2019 jemi ballafaquar me vështirësinë e shtuar të shkaktuar nga largimi i 52 prokurorëve si rezultat i procedurave të vetting-ut, dorëheqjeve dhe daljes në pension. Në fund të vitit 2019 numri faktik i prokurorëve në sistem ishte 284 nga 336 që parashikohen në strukturë.

Sa i takon veprimtarisë së Këshillit si forum i gjykimit të shkeljeve disiplinore të prokuroreve, theksoj se gjatë vitit 2019 veprimtaria jonë ka qenë e kufizuar për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizuan listën e shkeljeve disiplinore dhe vonesave në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Në këto kushte, gjatë vitit 2019 Këshilli është mjaftuar me trajtimin e kërkesave dhe ankesave të ndryshme që i kanë ardhur Këshillit nga qytetarët dhe institucionet, duke iu kthyer përgjigje sipas rastit. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe, ka pasur 1 (një) rast ku Këshilli ka marrë vendim për shkarkimin nga detyra të një prokurori për shkak të dënimit me vendim gjyqësor të formës së prerë, për kryerjen e një krimi.

Së fundi, gjatë vitit që shkoi Këshilli, në disa raste, ka vënë në përdorim instrumentet që na jep ligji për të reaguar ndaj situatave të cilat i kemi gjykuar si potencialisht të rrezikshme për pavarësinë e prokurorëve.

Për të mësuar më tepër për sa më sipër dhe gjithçka tjetër Ju ftoj të lexoni raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2019.

KRYETAR

Gent Ibrahimi