AKTIVITETEPËR MEDIAT

Takimi i kreut të KLP-së me drejtueset e prokurorisë së Korçës dhe Pogradecit

Posted

Në kuadër të turit të takimeve me prokuroritë e rretheve, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Gent Ibrahimi , i shoqëruar nga anëtari i këshillit z. Bujar Sheshi, ka zhvilluar ditën e mërkurë, takimin e radhës me drejtueset e prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë dhe Pogradec.

Në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve ndaj reformës në drejtësi, kreu i Këshillit propozoi një bashkëpunim më të thellë me prokuroritë e rretheve.

Zoti Ibrahimi dhe z. Sheshi ofruan mbështetjen e Këshillit në përmirësimin e punës së prokurorëve duke ndërvepruar me ta në hartimin e dy rregulloreve për lëvizjet paralele dhe atë të ngritjes në detyrë. Me rëndësi u cilësua edhe caktimi sa më parë i një prokurori Etike në Këshill, si urë lidhëse mes këshillit dhe prokurorive të rretheve, në rritjen e cilësisë se etikës profesionale dhe integritetit të prokurorëve.

Gjithashtu, në kuadër të legjitimitetit të besimit të publikut në reformën në drejtësi, u diskutua edhe lidhur me rritjen e transparencës në punën e prokurorëve ku sfida e institucioneve te reja të drejtësisë ndër të tjera është edhe mbështetja e tyre nga media.

Drejtueset e prokurorive të Korçës dhe Pogradecit, respektivisht znj. Dhorina Theodhori dhe znj. Dorina Bejko, dakortësuan për përmirësimin e imazhit të prokurorisë duke vënë theksin tek marrëdhëniet me publikun dhe median. Në takim u theksua se duhet të ketë një qasje të re në përputhje me kompetencat që kanë sot prokurorët, bazuar kjo edhe në organizimin e ri të reformës në drejtësi.