Në respektim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur ditën e sotme, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line Zoom. Mbledhja është zhvilluar në prani të të gjithë anëtarëve si dhe në prezencë të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Seanca ka nisur me miratimin e procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 26.06.2020. Me propozimin e nënkryetarit z. Alfred Balla si dhe miratimin e të gjithë anëtarëve, rendit të ditës iu shtua edhe propozimi për shqyrtimin e nevojës së rregullimit ligjor të statusit të anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas mbarimit të mandatit. Sipas dispozitave ligjore në fuqi, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka statusin e magjistratit. Në këtë kuadër, Këshilli ndjen nevojën për disa rregullime ligjore të domosdoshme në ligjin “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, për sa i përket statusit të anëtareve të tij pas mbarimin të mandatit. Këshilli vendosi që ky propozim t’i dërgohet për miratim Kuvendit të Shqipërisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi opinionin e dërguar nga Shkolla e Magjistraturës mbi programin Tematik të Formimit Vazhdues Tetor 2020 – Korrik 2021. Me këtë rast, anëtarët e Këshillit kanë theksuar nevojën e përfshirjes më aktive të prokurorëve në propozimet për tematikat të cilat i vijnë në ndihmë formimit dhe veprimtarisë së tyre. Për këtë arsye, Shkolla e Magjistraturës duhet të hartojë programin tematik për formimin vazhdues bashke me KLP dhe KLGJ.
Në vijim të seancës, Këshilli miratoi projekt-rregulloren “Për transferimin e përkohshëm”. Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i parimeve, kritereve dhe procedurave për transferimin e përkohshëm të prokurorëve në pozicione të lira të krijuara në sistemin e prokurorisë. Rregullorja ka si qëllim të krijojë kuadrin e brendshëm juridik të nevojshëm për të siguruar rregulla të njëjta për prokurorët, duke garantuar parimin e barazisë dhe të proporcionalitetit në rastin e zbatimit të procedurës së transferimit të përkohshëm.
Anëtarët Esmeralda Keshi dhe Kostaq Beluri kanë paraqitur para Këshillit Draft Rregulloren “Mbi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë në shkallët më të larta dhe në pozicionin e drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”. Qëllimi i kësaj Rregulloreje është përcaktimi i kritereve dhe procedurave për ngritjen në detyrë të prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokuroritë e Apelit, si dhe për ngritjen në detyrë të pozicionit të Drejtuesit të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm, bazuar në parimet e meritokracisë dhe të zhvillimit të karrierës. Pasi u njoh me draftin, Këshilli vendosi që anëtarët të dërgojnë komente dhe sugjerime rreth këtij dokumenti brenda 10 ditëve, për të bërë të mundur miratimin e tij brenda muajt Korrik 2020.
Këshilli ka diskutuar lidhur me Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme “Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST dhe mënyrën e caktimit të prokurorit ndërlidhës pranë EUROJUST. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është vënia në zbatim e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST për emërimin e një prokurori ndërlidhës që do të përfaqësojë Republikën e Shqipërisë në EUROJUST, me synimin për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar. Anëtarët kanë shprehur opinionet e tyre për sa i përket rolit të Këshillit në këtë memorandum bashkëpunimi dhe vendosën me shumicë votash ( Kostaq Beluri dhe Bujar Sheshi janë shprehur kundër ) që Këshilli mos të jetë pjesë e këtij memorandumi. Disa anëtarë kanë propozuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë SPAK për shkak të fushës së veprimtarisë së saj dhe nevojës për një bashkëpunim më efikas me institucionet ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit, terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Në përfundim të seancës, Këshilli vendosi unanimisht miratimin e raporteve për analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit për z. Leonard Filopati, z. Albert Demirneli, z. Gjergji Tako, z. Tasim Puci, z. Erion Çela si dhe z. Gjon Kodra. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.